Kosovë

Mimoza Kusari-Lila i bashkohet listës së VV-së, enigmë vendimi i Vjosa Osmanit

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 22:28
Text size Aa Aa

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, përfundimisht do të garojnë vetëm dy koalicione. Afati për regjistrim të aleancave politike ishte ora 18:00 e datës 12 janar. Këtë afat e shfrytëzuan katër parti minoritare duke krijuar dy koalicione. Njëri është  koalicioni VAKAT, që përbëhet nga Partia Demokratike Boshnjake dhe Partia Demokratike Vatan.

E koalicioni tjetër është mes Lëvizjes për Gorën dhe Iniciativës Qytetare Gorane, që garojnë nën emrin ‘Zajedno’. Koalicion pritej edhe mes LDK së Isa Mustafës e AKR-së së Behgjet Pacollit, por në fund marrëveshja parashikon vetëm një listë të përbashkët në kuadër të LDK-së. Kjo do të thotë se në fletëvotim, akronimi i partisë së Pacollit nuk do të figurojë e në listën e përbashkët për deputetë, pritet të jenë rreth dhjetë kandidatë nga kjo parti.

Kurse Vetëvendosja e Albin Kurtit ka marrë në listë të saj, Alternativën e Mimoza Kusari-Lila dhe AAK -ja e Ramush Haradinajt, deklaroi kohë më parë se do të garojë e vetme, e diskutueshme ishte nëse Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt do të arrinte koalicion me PDK-në që drejtohet nga Enver Hoxhaj. Në një kohë kur një koalicion i tillë pritej, kjo nuk ndodhi meqë kryesia e PDK-së kërkoi listë të përbashkët, kërkesë që nuk u pranua nga Nisma.

Në krejt këtë situatë procedurash, mbetet ende i paqartë se cili do të jetë hapi i Vjosa Osmanit, aktualisht u. d së presidentes. Ndonëse e ka pranuar edhe vetë se ka afërsi me Vetëvendosjen, ajo ka deklaruar se shpejt do ta formojë një iniciativë politike e cila bazuar në sloganin e publikuar në rrjetet sociale, pritet ta ketë emrin “Guxo”.

Sidoqoftë, edhe hapat e saj do të kuptohen përfundimisht brenda tre ditëve të ardhshme. Kjo pasi ndrydhe nga regjistrimi i koalicioneve, afat tjetër ka për regjistrimin e partive politike. Ky afat përfundon në orën 18:00 të datës 16 janar.