Kosovë

Shënohet një viktimë në Kosovë, numri i të infektuarve me Covid-19 mbetet i lartë

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 15:15
Text size Aa Aa

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë ka humbur jetën një qytetar nga Covid-19, ndërsa nga kryerja e 1825 testeve të dyshuara, 299 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Të dhënat bëhen publike nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i cili shton po ashtu se 526 pacientë kanë mundur të shërohen nga coronavirus, duke e çuar në total numrin e të shëruarve në 47 605, që nga fillimi i Shqipërisë.

“Numri total i rasteve pozitive është 54.560 raste nga 201.918 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.388 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 526 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 47.605 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.567”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.

 

Rastet pozitive:

Prishtinë 94 raste, Podujevë 29 raste, Gjilan 21 raste, Vushtrri 21 raste, Lipjan 14 raste, Ferizaj 13 raste, Mitrovicë 13 raste, Fushë-Kosovë 12 raste, Suharekë 9 raste, Viti 9 raste, Deçan 7 raste, Obiliq 7 raste, Pejë 6 raste, Prizren 6 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 5 raste, Gjakovë 4 raste, Kaçanik 4 raste, Shtime 4 raste, Skenderaj 4 raste, Kamenicë 3 raste, Klinë 3 raste, Drenas 2 raste, Istog 2 raste dhe me nga një rast komunat Dragash dhe Novobërdë.

Autoritetet shëndetësore kërkojnë nga qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, te zbatojnë masat anti-Covid dhe të shmangin vendet ku ka grumbullime masive. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha të martën se po mendojnë për të hequr disa masa kufizuese, duke shtuar se Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë e Covid-19.