Kosovë

Bashkimi kombëtar, analisti Muhaxhiri: Pozicioni i Shqipërisë në këtë moment është negativ

Përditësimi i fundit: 21/02/2021 - 16:52
Text size Aa Aa

Analisti, Artan Muhaxhiri thotë se Lista Serbe po keqpërdor sistemin zgjedhor duke deformuar idenë e 20 vendet e dedikuara në Kuvendin e Kosovës, ku 10 janë për pakicat serbe dhe 10 për pakicat e tjera. Mirëpo ai thekson se e gjitha kjo situatë është krijuar pa shkelu ligjet dhe për këtë arsye e shikon të vështirë që gjykatat të ndalin deformimin.

“Në aspektin formal nuk besoj se ka pasur shkelje të ndonjë dispozite. Ato vota janë legale dhe janë dhënë nga qytetarët serb që mund thonë se këto parti mund ta përfaqësojnë më mirë interesin tonë. Pastaj në aspektin jo formal mund të ketë deformim apo votë të dirigjuar. Nuk mendoj se gjykatat e Kosovës do të kenë bazë të mjaftueshëm për të hedhur poshtë këtë që është jashtëzakonisht negative”, deklaroi analisti.

Sipas Artan Muhaxhirit “kjo ka ndodhur për faj të vetë pakicave jo serbe pasi deri më tani përfaqësuesit e tyre kanë privatizuar pushtetin, e kanë personalizuar dhe përdorur për qëllime të tyre personale”.

Rezultati paraprak i zgjedhjeve të 14 shkurtit tregon se Lëvizja Vetëvendosje do të marrë 56-57 deputetë dhe në një situatë të tillë, z. Muhaxhiri thotë se pala serbe kthehet në një faktor dhe mund të bëjë që z. Kurti të bëjë lëshime të mëdha.

“Z. Kurti do t’i duhet të bëjë kompromise të konsiderueshme me palën serbe për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit”, tha ai.

Analisti parashikon dy mundësi që LVV të arrijë të formojë qeverinë, ndërsa sheh si opsion të mundshëm bashkëpunim me AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Nëse nuk arrin 61 ka vetëm dy mundësi, të bëjë koalicion me një parti tjetër ose të gjejë deputetë të opozitës që janë të pakënaqur. Me LDK dhe PDK nuk besoj se do të bëjë koalicion pasi kanë shumë ndryshime, mund të bëjë koalicion me AAK ose të gjejë të pakënaqur tek LDK dhe PDK”, tha ai.

Për çështjen e bashkimit kombëtar të rihapur nga Albin Kurti gjatë intervistës për Euronews ALbania, ai tha se nuk ka asnjë ide konkrete si mund të realizohet kjo ndërsa nënvizoi se qëndrimi i Shqipërisë dhe ndërkombëtarëve aktualisht është kundër.

“Nuk ka asnjë bazë reale, dihet pozicioni i ndërkombëtarëve që është i ashpër kundër dhe po ashtu dihet dhe pozicionimi i Shqipërisë që është krejtësisht negative në këtë moment për një ide të tillë. Nuk mund të përmendet çështja e bashkimit pa përmendur një ide konkrete. Z. Kurti nuk ka treguar asnjëherë se si planifikon të bëjë bashkimin nga ngelur vetëm në planin retorik. Duhet një lider që ka guximin dhe idenë për ta realizuar këtë ide”, tha ai.

Z. Muhaxhiri preku edhe çështjen e dialogut me Serbinë, ku tha se kreu i LVV mund ta vendosë Kosovën në pozicion të vështirë me BE dhe SHBA nëse refuzon të bisedojë me Serbinë.

“SHBA dhe BE nuk do të kenë raport normal me Kosovën nëse z. Kurti refuzon që të bisedojë apo që ta shndërroi një prioritet dialogun me Serbinë. Është në interes të gjitha palëve që kjo të përfundojë. Çdo vonesë të dialogut i bën dëm dhe vetë shtetit të Kosovës pasi nuk mund të zhvillohet në mënyrë normale nëse nuk bëhet pjesë e OBK dhe organizatave të tjera dhe të jetë e barabartë me shtetet e tjera të botës”, përfundoi analisti.

 

Lexoni gjithashtu:

Do të votoja pro bashkimit kombëtar Kosovë-Shqipëri, thotë Albin Kurti për Euronews

Bashkimi kombëtar, Pandeli Majko: Kjo histori duhet mbyllur, Kurti të mendojë për drejtimin e Kosovës

Serbia reagon ndaj deklaratës së Kurtit, Ana Brnabic: Dialogu me Beogradin nuk është prioritet për të