Kosovë

Kosova, vendi i parë në Ballkan që s'ka marrë asnjë dozë vaksine kundër Covid-19

Përditësimi i fundit: 22/02/2021 - 19:14
Text size Aa Aa

Angazhime por asnjë datë konkrete për mbërritjen në Kosovë të ndonjërës nga llojet e vaksinës anti-covid. Kaq mundi të thotë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, edhe pse para zgjedhjeve deklaronte se vaksina do të ishte në muajin shkurt në Kosovë

"Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19 në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës sonë”, tha Armend Zemaj, ministër në detyrë i Shëndetësisë, 

Këtë deklaratë Zemaj e bëri pas mbledhjes së Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me Covid-19, ku sipas tij, situata me pandeminë në Kosovë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për ndonjë alarm. Por në Klinikën infektive, situata duket ndryshe. Ajo është e mbushur me pacientë ku 70% e tyre kanë nevojë për oksigjen.

“Faktikisht ne i kemi kapacitetet e mbushura me pacientë me COVID, i kemi 90 pacientë, por është e mbushur për arsye se në një repart është duke u bërë vendosja e oksigjenit qendror që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ndërsa, repartet e tjera që janë në dispozicion 90 shtretër të gjithë i kemi të mbushur me pacientë prej të cilëve 60 deri 70 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi”, tha Izet Sadiku, infektolog në Klinikën Infektive.

Megjithatë, zyrtarët e Komitetit anti-covid, po ashtu edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, deklarojnë se ka rënie të numrit të rasteve pozitive. Ai foli më shumë për strategjinë e vaksinimit edhe pse vaksinat ende nuk kanë ardhur.

"Ne jemi gati dhe po presim kontingjentin e parë të vaksinave të Oxfordit. Sigurimi i vaksinës pra është projektuar në strategji dhe pritet vetëm të realizohet, ekipet janë gati dhe kapacitetet pritëse janë gjithashtu gati”, tha Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.

Ai bëri thirrje që masat anti-COVID, të respektohen ndonëse Ramadani tha se numri i të infektuarve është nën kontroll. Por mjekët në Klinikën Infektive deklarojnë të kundërtën.

 “Ne kemi parë një rritje të lehtë të rasteve këtë javë, sigurisht kjo është si pasojë që tek ne janë të liruara të gjitha masat, kemi pastaj numër apo lëvizje që ka pasur gjatë fushatës”, u shpreh Izet Sadiku, infektolog. 

Aktualisht, në të gjitha spitalet anti-covid në Kosovë, ka të shtrirë 526 pacientë, prej tyre 370 janë me oksigjeno-terapi të vazhdueshme, ndërkohë që 21 nga ta janë në gjendje të rëndë, 7 prej tyre janë në respirator dhe gjendja e tyre vlerësohet shumë kritike. Megjithatë, në një kabllogram të Ambasadës Amerikane të publikuar së fundi, shteti amerikan e sheh Kosovën si të rrënuar nga Covid-19.