Kosovë

Qeveri e re në Kosovë, por probleme të vjetra, familjarët kërkojnë informacione se ku janë groposur viktimat e luftës

Përditësimi i fundit: 22/02/2021 - 13:35
Text size Aa Aa

Ndër çështjet e para me të cilat do të duhet të përballet qeveria e re e Kosovës, është zbardhja e fatit të të pagjeturve.

Familjarët kërkojnë që bisedimet me Serbinë së paku të kushtëzohen me dhënien e informacioneve se ku janë groposur shqiptarët e vrarë nga forcat serbe.

“Familjarët kërkojnë që më mos të ulen të bisedojnë pa pasur imazhet satelitore. Mos të luhet siç po bën Serbia në Kizhevak të punohet pesë vjet e në fund të thonë na e solli një fotografi Ambasada Amerikane dhe e gjetëm. A është lojë ajo, që me mijëra ton të gërmohet edhe njerëzit e gjallë janë e nuk i tregojnë sepse Daçiçi ka thënë nuk guxoni të tregoni. A thua çka?”, u shpreh Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”.

Familjarët kërkojnë që nga fjalët e shumta për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të kalohet në veprime.

“Të flasësh është lehtë por të punohet për të, pak punohet. Nuk jemi të kënaqur e as nuk mund të jemi të kënaqur kur janë edhe 1.634 veta ende të pagjetur”, tha Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”“

Përveç zbardhjes së fatit të të pagjeturve, nga Serbia kërkohet që të paguajë edhe dëmet e luftës, të shkaktuara në Kosovë, që shkojnë në miliarda euro.

Organizata joqeveritare “Ngritja e Zërit”, ka dorëzuar për herë të nëntë dosjen në Gjykatën Kushtetuese rreth vlerësimit të kushtetueshmërisë së aktit juridik të Gjykatës Supreme, pas refuzimit të padive për kompensimin e dëmeve të luftës.

“Mjerisht gjyqësori jonë i ndikuar nga politika është vazhdimisht duke refuzuar paditë edhe pse në kundërshtim me dispozitat ligjore”, u shpreh Jahir Bejta,  Shoqata “Ngritja e zërit”.

Ai kërkon nga partitë politike që në programet e tyre të kenë edhe dëmet e luftës.

“Ndaj i kisha pyetur pretendentët për të parin e shtetit dhe kandidatët për kryeministër se a i kanë të përfshira në programet e tyre dëmet e luftës, dhe nëse jo, gabim”, u shpreh ai.

Deri më tani organizata joqeveritare “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar 120 dosje në Gjykatën Kushtetuese. Së fundi Qeveria e Kosovë ka krijuar një komision për krijimin e Institutit për Dëmet e Luftës, ndërkohë të pagjeturit vazhdojnë të mbesin plagë e shoqërisë kosovare edhe 20 vjet pas asaj që ndodhi para dy dekadave.

Lexoni gjithashtu:

Vijon numërimi i votave të diasporës në Kosovë, verifikimi i tyre po zgjat procesin

Tregime të lidhura