Kosovë

Nis rinumërimi në Kosovë, kryetarja e KQZ-së flet për votat e pavlefshme në Euronews Albania

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 09:51
Text size Aa Aa

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka tha në një intervistë për Euronews Albania se deri në fund të kësaj jave do të përfundojë gjithë rinumërimi në 494 vendvotime dhe do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të emigrantëve.

“Së shpejti, nëse nuk ka ndonjë çështje e cila mund të na dalë rrugës do të mund edhe t’i shpallim rezultatet përfundimtare, që i hap pastaj rrugë dhe certifikimit të rezultateve,” – tha Daka.

Ndërkohë që sa i takon votave të pavlefshme Daka tha se kjo ka ndodhur për disa arsye, një prej tyre dhe prej faktit se kanë votuar individë të cilët nuk janë regjistruar më parë.

Kryetarja e KQZ-së  tregoi se nga dikush në Prokurorinë Speciale të Kosovës është bërë një kallzim penal për hetimin e disa votave dhe mbi bazën e atij kallëzimi Prokuroria është duke zhvilluar hetimet, për të cilat momentalisht, Daka nuk mund të jepte asnjë informatë.

Ajo sqaroi se nuk ka të bëjë fare as me institucionin e KQZ-së as me mënyrën si procedohet por me disa persona që kanë tentuar të votojnë në mënyrë të paligjshme.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pasditen e djeshme filloi procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, që u takojnë komunave të ndryshme.

Në 370 vendvotime, te formularët e rezultateve të kandidatëve, është vënë re se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

Në 83 vendvotime të tjera, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas.

 

Lexoni gjithashtu: 

Kryeministri apo presidenti? Juristi Palushi: Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton radhën

Qeveri e re në Kosovë, por probleme të vjetra, familjarët kërkojnë informacione se ku janë groposur viktimat e luftës

''I ka ndarë rrugët me LDK-në'', Alma Lama mohon rikthimin e Vjosa Osmanit pas largimit të Mustafës

Tregime të lidhura