Kosovë

Zgjedhja e Presidentit sfida e radhës për shtetin e Kosovës

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 14:13
Text size Aa Aa

Ndërkohë që procesi zgjedhor, përfshirë numërimin e votave po shkon drejt fundit, në radhë është konstituimi i institucioneve të reja.

 “Në kohën kur KQZ është ende duke u marrë me procedurat e saja për certifikimin e zgjedhjeve dhe sa më shpejtë që t’i bëjë KQZ rezultatet aq më tepër ne fitojmë në kohë edhe si shoqëri edhe si shtet sepse nuk guxojmë të hyjmë në datën pesë prill pa procedurat e zgjedhjes së Presidentit”, u shpreh juristi Vigan Qorolli.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe krijimi i qeverisë, për shkak të numrave gati të mjaftueshme të fituara nga Vetëvendosje, nuk pritet të jetë problem për Albin Kurtin.

 “Por prapë se prapë VV ka mundësi që ta bëjë qeverinë edhe me pakicat jo-serbe por kjo do të ishte një qeveri ta themi me shumicë shqiptare por me një bllok të madh shqiptar në opozitë e cila nuk i duhet dhe s’do të duhej t’i duhej VV dhe as ndonjë fituesi qoftë edhe absolut”, tha profesori Muhamet Hamiti.

Sfidë në këtë rast do të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit kur në një formë apo në një tjetër duhet vota ose prezenca e 2/3 nga 120 deputetë.

 “Në rast se VV i bën 80 me pakicat ose me një konsensus me ndonjë parti tjetër shqiptare, atëherë mund të kalojë kandidatja e tyre znj.Vjosa Osmani. Në rast se kemi bllokim nga ana e pakicave apo eventualisht ndonjë tjetër, atëherë aktivizohet pas datës 5 prill, ky 60 ditëshi dhe Kosova rrezikon jo më vonë se qershori i këtij viti të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, deklaroi Vigan Qorolli.

 Ai duhet të punojë që Kosova t’i ketë institucionet e reja meqë ka fuqinë më të madhe politike, duke përfshirë edhe Presidentin. A do të ishte më së miri të ishte konsensual, patjetër. Mirëpo konsensuali bëhet kur flet edhe me të tjerët. Nuk mund të flasësh për President konsensual nëse e hedh vetëm propozimin tënd. Konsensuali është kur flet edhe me të tjerët dhe madje në këtë rast më e mira do të ishte të fliste ai me opozitën për të parë se cili njeri do të ishte më i pranuar edhe për opozitën”, tha Muhamet Hamiti.

Sido që të jetë, Kosova sapo e përmbylli një periudhë zgjedhore të parakohshme, ndonëse këtë vit edhe ashtu është vit elektoral.

Zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë do të jenë sfida e radhës për KQZ-në e që do të zgjasin edhe më shumë. Kjo për faktin se ligji parashikon edhe balotazh duke e stërzgjatur tërë procesin.

Lexoni gjithashtu:

Nis rinumërimi në Kosovë, kryetarja e KQZ-së flet për votat e pavlefshme në Euronews Albania

Kryeministri apo presidenti? Juristi Palushi: Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton radhën

Tregime të lidhura