#Kubi

COVID-19 vazhdon të përhapet, ndërsa autoritetet mundohen ta përmbajnë

Nga: KUBI
Përditësimi i fundit: 25/02/2020 - 22:32
Text size Aa Aa

Ndërkohë që pritej që situata me Coronavirusin të stabilizohej në rang ndërkombëtar, këmbanat e alarmit vazhdojnë të bien. Edhe gjatë ditës së sotme, #Coronavirus ishte ndër hashtag-et më të përdorura online, sidomos në rrjetin social Twitter. Kroacia dhe Austria kanë konfirmuar rastet e para, në SHBA janë diagnostikuar 53 persona të prekur nga Coronavirus (COVID-19), në Itali kanë humbur jetën 11 persona, etj.  

Ndërsa në Iran një video është bërë virale në rrjetet sociale gjatë ditës së sotme. Zëvendës ministri i Shëndetësisë në Iran njofton nga ambientet e spitalit se është i prekur nga Coronavirus. Skuadra e #KUBI-t ka përkthyer deklaratën e zv.ministrit të Shëndetësisë Iraj Harirchi, i cili shprehet se mjekët po kujdesen për të në mënyrë profesionale dhe familjarët e miqtë po e mbështesin me telefonatat e tyre. Harirchi shprehet besimplotë se do e kalojë këtë situatë dhe shumë shpejt do i kthehet punës së tij.

Gjatë ditës së djeshme, Harirchi ka përgënjeshtuar një anëtar të parlamentit që ka thënë se në qytetin Qom kanë humbur jetën 50 persona nga Coronavirus. Zv.ministri i Shëndëtësisë ka thënë se nëse kanë humbur jetën vetëm gjysma e kësaj shifre, ai do të jepte dorëheqjen.

Edhe gjatë deklaratës zyrtare për mediat se në Iran situata me Coronavirusin është nën kontroll, zv.ministri Iraj Harirchi është vënë re shumë i shqetësuar dhe duke fshirë djersët. Sot, ai ka lajmëruar në rrjetet sociale, përmes videos “selfie” se është edhe vetë i prekur me Coronavirus.

Komentuesit në rrjetet sociale shprehen se ai mund të ketë infektuar edhe persona të tjerë gjatë kësaj konference, por duhet thënë se zv.ministri Harirchi, gjatë ditëve të fundit, ka kryer takime të shumta me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të medias.

Tregime të lidhura