#Kubi

Reagime të ashpra në rrjetet sociale për Nexhmije Hoxhën

Nga: Kubi
Përditësimi i fundit: 26/02/2020 - 22:23
Text size Aa Aa

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e të vesë së diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, ka pasur reagime të shumta në rrjetet sociale. Familjarët dhe të afërmit kanë shprehur trishtimin për ndarjen e saj nga jeta.

Një prej këtyre postimeve me fjalë të ndjera është edhe i këngëtares dhe biznesmenes Rezarta Shkurta, që është edhe bashkëshortja e nipit të Nexhmijes Hoxhës, Ermal Hoxha.  Shkurta shkruan në postimin e saj që është me fat që ka njohur një grua “histori” dhe e konsideron atë një gjyshe e stërgjyshe të dashur, por edhe një grua luftarake.

Nga ana tjetër, në postimet dominuese në rrjetet sociale, dita e sotme konsiderohet ditë zie për faktin se 99-vjeçarja u nda nga jeta pa bërë asnjë ditë burg për krimet e panumërta që ka kryer në bashkëpunim me diktatorin Enver Hoxha. Gazetari Enkel Demi e konsideron atë edhe si një nga gratë më të poshtra në histori.

Reagimet nga politika shqiptare kanë qenë të rralla. Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Eno Bozdo shprehet në Facebook se Nexhmije Hoxha vdiq e papenduar për krimet e tmerrshme që ka kryer.

Një postim që tërheq vëmendje është publikuar nga kryetari i Frontit Popullor në Ferizaj, Agim Xhigoli, i cili shprehet se Nexhmija do të jetë përherë e gjallë, si shoku Enver Hoxha. Në profilin e Xhigolit shihet edhe një foto-montazh me diktatorin.