#Kubi

Pandemia shtyn shqiptarët të kursejnë për festat e fundvitit

Përditësimi i fundit: 21/11/2020 - 20:18
Text size Aa Aa

Shqiptarët do të shpenzojnë më pak se në 2019-ën për festat e këtij fund-viti dhe planifikojnë që shpenzimet më të mëdha t’i bëjnë për ushqime. Janë këto rezultatet që kanë dalë nga sondazhi i realizuar në faqen zyrtare të Euronews Albania në Instagram.

Të pyetur nëse për festat e fund-vitit 2020 do t’i reduktojnë apo do t’i shtojnë shpenzimet, vetëm 11% janë shprehur se do të shpenzojnë më tepër se një vit më parë, ndërkohë që shumica e përgjigjeve (89%) kanë qenë për “do të shpenzojmë më pak”.

Sa i përket kategorive të produkteve, pjesëmarrësit në sondazh janë shprehur se do të shpenzojnë më shumë për ushqime në tryezat e tyre (579 persona), për dhurata (265), për rroba të reja (253) dhe më pak për dekore festash (105).

Duke komentuar këto të dhëna, ekonomisti, njëherësh dekan i Tirana Business University, Gerti Dajçi, tha se “pandemia ka ndikuar drejtpërdrejtë në sigurinë ekonomike të shqiptarëve” duke i shtyrë drejt kursimeve.

“Është situatë relativisht shumë e vështirë për shkak të pandemisë Covid-19, ku shumica e shqiptarëve kanë një lloj pasigurie që i bën të shpenzojnë më pak. Historikisht, Shqipëria është një nga ato shtete ku në vend që njerëzit të shpenzojnë më shumë në festat e fundvitit, pasi dhe çmimet duhet të jenë më të ulëta, ndodh e kundërta. Njerëzit shpenzojnë më pak sepse çmimet janë relativisht më të larta në krahasim me vendet e tjera,” – shprehet Dajçi për #KUBI-n në Euronews Albania.

Një studim i publikuar së fundmi nga American Express tregon që britanikët do të shpenzojnë më shumë se një vit më parë për dhurata, rroba të reja dhe dekore festash. Ndryshe nga shqiptarët, britanikët do të shpenzojnë më pak për ushqime.

Ekonomisti Gerti Dajçi shprehet se është normale të shpenzojnë më shumë, pasi qeveria iu ka dhënë benefite dhe asistencë financiare njerëzve dhe punonjësve, përkundrejt asistencës financiare që jepet në vendin tonë.

“Për mua është qesharake. U dha një herë ndihmë me paketën e parë dhe pastaj nuk u dha më asgjë në Shqipëri. Gjithashtu, shqiptarët shpenzojmë më shumë se britanikët për ushqime, sepse ne e shohim më të nevojshme për të pasur gjithmonë ushqime të bollshme. Është pjesë e traditës sonë”, shprehet Dajçi.

Tregime të lidhura