Maqedoni e Veriut

Partitë shqiptare në RMV, kërkohet kompromisi mes 3 partive për të fituar zgjedhjet

Përditësimi i fundit: 11/01/2020 - 16:01
Text size Aa Aa

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe Besa, po bëjnë kalkulimet e fundit nëse ia vlen të shkohet në zgjedhjet e prillit si koalicion trepalësh.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari shpreh optimizëm të lartë se do të arrihet kompromis, dhe se këto parti do ti dalin përballë partisë në pushtet BDI dhe do t’i fitojnë zgjedhjet.

“Bisedimet janë nga përfundimi. Javën e ardhshme do të ketë epilog nga ky bisedim. Ne pastaj do të dalim me një konferencë në të cilën do ti tregojmë qëndrimet e partive me të cilat negociojmë, edhe qëndrimet e Aleancës për Shqiptarët. Unë kam optimizëm se ka hapësirë për tu bërë tresh”, tha z. Taravari.

I pyetur se si do ta tejkalojnë rivalitetin mes Besës dhe Alternativës të cilat nuk pranojnë të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, Taravari thekson se nëse këto dy parti nuk pajtohen mes vetes, Aleanca do të bëjë zgjedhje të kushtëzuara.

“Në momentin që e shohim se nuk mundet të bëhen tre palë, atëherë kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët do ti prezantojë para negociatat në parti se deri ku kanë arritur të gjitha marrëveshjet dhe në fund kryesia qendrore duhet të vendosë se me cilën, një prej këtyre partive, mund të vazhdojmë koalicionin dhe do t’i fitojmë zgjedhjet e 12 prillit”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.

Një koalicion i mundshëm mes këtyre partive shqiptare do ta çonte BDI-në në opozitë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, partitë e atëhershme opozitare kishin fituar mbi 40 mijë vota më shumë se BDI-ja. Për shkak të garimit veç e veç, BDI-ja e Ali Ahmetit fitoi edhe një mandat tjetër qeverisje.

Tregime të lidhura