Maqedoni e Veriut

Dhuna në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Prokuroria akuzë për ish-kryeparlamentarin Veljanovski

Përditësimi i fundit: 12/01/2020 - 19:40
Text size Aa Aa

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, së bashku me ish-kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski organizuan sulmin ndaj Parlamentit më 27 prill të vitit 2017, kur për kryetar u zgjodh Talat Xhaferi.

Kështu thotë Prokuroria për Krimit të Organizuar në dokumentin e akuzës të cilën e ka përpiluar pas më shumë se dy vitesh hetim. Akuzën, Gjykata Penale ia ka pranuar prokurorisë në tërësi, dhe për një muaj do të nisë edhe gjykimi.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ndjek këta persona nën akuza për “vënien në rrezik të rendit kushtetues dhe sigurisë”, për shkak se u kanë dhënë protestave të dhunshme mbështetje logjistike dhe financiare.

Prokuroria për krimin e organizuar  në Shkup

“Në fillim të vitit 2017, pas negociatave të dështuara për formimin e Qeverisë, të akuzuarit Nikolla Gruevski, Trajko Veljanovski, Mile Janakievski, Spiro Ristovski, Vlladimir Atanasovski dhe Nikolla Boshkovski, kanë përgatitur plan me qëllim të prishjes së rendit kushtetues dhe sigurisë me akte të dhunës për të penguar dorëzimin e pushtetit te shumica  parlamentare dhe e posaformuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krimin e Organizuar  në Shkup

Në listën e të akuzuarve mungojnë deputetët e VMRO/DPMNE-së, të cilët ishin liruar nga akuzat me një amnisti politike që ishte dakorduar mes pushtetit dhe opozitës. Por, edhe pse është në listën e të akuzuarve, as Nikolla Gruevski nuk mund të gjykohet, pasi është në arrati në Hungari.

Nga dhuna e protestuesve që hynë në Kuvend pasi i hapën dyert disa deputetë të VMRO/DPMNE-së, pësuan lëndime deputetë, gazetarë e të punësuar në Kuvend. Dhuna nisi me kundërshtimin e VMRO/ DPMNE-së që kryetari i ri i Parlamentit të bëhej Talat Xhaferi.

Tregime të lidhura