Maqedoni e Veriut

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut shkarkon ministren e Punës dhe Politikës Sociale

Përditësimi i fundit: 15/02/2020 - 13:48
Text size Aa Aa

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së shtunë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka shkarkuar ministren e Punës dhe Politikës Sociale Rashella Mizrahi pas akuzave se ka shkelur Kushtetutën, duke refuzuar përdorimin e emrit Maqedonia e Veriut.

Parlamenti shkarkoi ministren me  62 vota pro, ndërsa 26 bashkëpartiakët saj nga VMRO-DPMNE-ja votuan kundër aktit të shkarkimit.

Debati për shkarkimin e saj ishte i vakët në krahasim me debatin që kishte nisur parlamenti për ligjin për Prokurorinë Publike, por megjithatë VMRO DPMNE-ja që e kishte vendosur Mizrahin në postin e ministres dërgoi akuza të rënda në adresë të pushtetit duke thënë se zyrtarët e tyre e shkelin çdo ditë kushtetutën e nuk shkarkohen, ndërsa Mizrahi shkarkohet për shkak të gabimit të paraardhëses së saj Milla Carovska, që është nga radhët e LSDM-së.

Ministrja e Punës dhe e Politikës Sociale, Rashella Mizrahi në disa paraqitje para mediave mbante pas vetes tabelën me emrin e vjetër të shtetit, “Republika e Maqedonisë” dhe kjo kishte shkaktuar reagime të Greqisë zyrtare dhe  ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov i cili mori edhe një notë proteste nga ministria e Jashtme e Greqisë. Kjo situatë e detyroi kreun e qeverisë Oliver Spasovski që t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e Mizrahit me arsyetimin se e ka shkelur Kushtetutën dhe ka rrezikuar Marrëveshjen e Prespës me të cilën mori zgjidhje çështja e emrit.

Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontekstit për emrin është arritur më 17 qershor të vitit 2018. Më këtë marrëveshje, Maqedonia ka ndërruar emrin në Maqedonia e Veriut, ndërsa Greqia ka hequr veton për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në institucionet euroatlantike.

Tregime të lidhura