Maqedoni e Veriut

Afrim Gashi për Euronews Albania: Koha për ndryshim tek shqiptarët e RMV

Përditësimi i fundit: 21/02/2020 - 18:12
Text size Aa Aa

I ftuari i rradhës në emisionin e përjavshëm Balkan Talks të Euronews Albania të gazetarit Franko Egro, ishte Kryetari i Partisë shqiptare Alternativa në RMV, zoti Afrim Gashi. Ai u ndal në problematikat me të cilat ballafaqohet spektri politik shqiptar në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve, nevojën e riorganizimit të tyre në me pak forca politike, por të siguruar më shumë përfaqësim për komunitetin shqiptar si dhe përmirësimin cilësor të raporteve ndëretnike.

Kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi, u shpreh se: "Është shumë i madh numri i partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky është një sinjal për ne si politikanë që të jemi më të kujdesshëm që në të ardhmen të bëjmë një rigrupim, madje edhe shkrirje, pasi ky numër e dëmton indin politik shqiptar, e shpërndan votën dhe e zbeh fuqinë politike shqiptare.”

Pikërisht për këtë element të qenësishëm të jetës politike shqiptare në RMV ai nënvizoi se: "Zgjedhjet e 12 prillit do të jenë një filtër i mirë, por këto procese janë të vështira dhe kërkojnë kohë; pasi qytetarët vetë duhet t’i provojnë partitë politike dhe duhet të marrin vendimet e tyre. Nga ana tjetër ne si politikanë duhet të bëjmë shumë që të unifikohemi në dy apo tre blloqe politike”.

Z. Gashi gjatë intervistës për gazetarin Franko Egro u shpreh se: "Partitë politike shqiptare nuk kanë qenë politikisht të ideologjizuara. Ato janë parti të formuara në një kontekst të caktuar kohor, p.sh BDI ka patur në epiqendër implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ne këtë akull po e thyejmë. Alternativa është pjesë e së djathtës. Ne mendojmë se e djathta shqiptare kudo në hapësirat tona, duhet të riformatohet dhe nëse partitë tona ridimensionohen, atëhere do të jetë shumë e lehtë për qytetarët”.

I pyetur për mundësinë e hapjes së partive shqiptare edhe ndaj votuesve maqedonas z. Gashi u shpreh se: "Tek shqiptarët ekziston ndjesia se zgjidhja e problemeve shqiptare ende nuk kanë përfunduar. Unë mendoj se pa e përfunduar mirë ciklin e realizimit etnik të shqiptarëve, por pse jo për ta hequr ndjesinë se duhet të organizohemi mbi baza etnike nuk mund të kalojmë në fazën që edhe elektorati maqedonas të votojë për partitë shqiptare.”

Kryetari i Partisë Alternativa u shpreh se partia e tij do të përpiqet të thyejë dominimin politik të BDI-së. Më tej Afrim Gashi I Partisë Alternativa nënvizoi: "Nëse ne dalim fitues të bllokut shqiptar atëhere në nëgociata me fituesit e bllokut tjetër do të bëjme maksimumin që sa më shumë pika të programit tonë të përfshihen dhe të zbatohen në programin e qeverisë së ardhshme. Maqedonasit kanë trashëguar një politikë anti shqiptare që nga koha e Jugosllavisë dhe pas shpalljes së pavarësisë janë munduar që t'i mbajnë shqiptarët të diskriminuar dhe jashtë strukturave të shtetit. Për fat të keq edhe pse ka përmirësime të dukshme dhe jam i bindur se kjo qeveri aktuale ka bërë më të shumtën që të relaksohen marrëdhëniet ndëretnike, por jemi shumë larg asaj qe është e dëshirueshme dhe normale.”