Maqedoni e Veriut

Nga 23 të infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, 20 janë shqiptarë

Përditësimi i fundit: 17/03/2020 - 09:16
Text size Aa Aa

Në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar edhe pesë raste të reja të të infektuarve me virusin COVID-19. Katër janë banorë të Dibrës dhe një nga Shkupi duke e çuar numrin total të të infektuarve në 23.    

Po ashtu edhe dy banorë të Shkupit kanë rezultuar pozitive në një spital privat, por ministria e shëndetësisë duhet t’i konfirmojë vetë në spitalin shtetëror gjatë ditës.

Nga këta 23 të infektuar, 20 janë shqiptarë nga qyteti i Dibrës, qytet me popullatë shumicë shqiptare. Informatat për etninë e të infektuarve Euronews Albania i ka siguruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe infektologët, të cilët trajtojnë personat e infektuar.

Infektimi në Dibër nisi nga një çift i ardhur nga Italia i cili e kishte shpërndarë virusin në anëtarët më të ngushtë të familjes, ndërsa ata më tej gjatë kontakteve me fqinjët dhe të njohurit e kishin përcjellë virusin.

Qyteti i Dibrës tashmë disa ditë është nën izolim. Ndërsa në nivel shtetëror, në fuqi janë një sërë masash si urdhri për vetëizolim dhe mbyllja e të gjithë bizneseve përveç farmacive dhe supermarketeve e vendeve ku shiten produkte ushqimore dhe higjienike.

Për shkak të numrit të madh të rasteve sot do të mbahet edhe takim i liderëve politik të cilët si masë parandaluese për shpërndarjen e virusit Korona janë të gatshëm të anulojnë edhe zgjedhjet e dakorduara për 12 prill.

Pavarësisht që Qeveria ka urdhëruar një sërë masash të rrepta, kufizuese, për bizneset dhe qytetarët, Këshilli i Sigurisë i cili u mblodh dje, vlerësoi se  nuk ka nevojë për shpallen e gjendjes së krizës apo emergjencës, pasi që institucionet janë duke menaxhuar situatën siç duhet, dhe e kanë nën kontroll.

Tregime të lidhura