Maqedoni e Veriut

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut: Rritja e numrit të testimeve ka ndikuar në uljen e rasteve me COVID-19

Përditësimi i fundit: 24/04/2020 - 12:39
Text size Aa Aa

Në Maqedoninë e Veriut gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 41 raste të reja me koronavirus. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend ka shkuar në 1300. Nga ana tjetër edhe numri i personave shëruar është rritur ndjeshëm. Javën e kaluar edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski kishte rezultuar pozitiv me Covid-19, por testet e sotme treguan se tashmë e ka kaluar edhe ai virusin. Negativ kanë rezultuar edhe Kryeministri Oliver Spasovski dhe Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, të cilët kishin takuar kryetarin e Kumanovës javën e kaluar. 

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, Arben Ziberi, tregon për Euronews Albania se si është situata e përgjithshme në shtetin fqinj.

"Është vërejtur një ulje e personave të prekur nga COVID-19 duke bërë një krahasim me javët e shkuara. Sot vetëm 26 persona kanë rezultuar pozitiv në Maqedoninë e Veriut. Tashmë vetëm 5% e personave të testuar kanë rezultuar pozitiv, ndërsa më parë mbi 10% e personave të testuar kanë rezultuar pozitivë. Kjo tregon që këtë javë kemi patur një rënie të rasteve të diagnostifikuara me COVID-19", u shpreh Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut. 

Arben Ziberi shtoi se rritja e numrit të testimeve ka ndikuar në uljen e numrit të personave të prekur nga virusi.

"Edhe numri i të shëruarve është dukshëm më i lartë në krahasim me javët e shkuara. Megjithatë jemi ende herët për të dhënë rezultate të qarta, por java që vjen do të na tregojë se ku jemi realisht me situatën. Në këtë situatë ka ndihmuar gjurmimi epidemiologjik, po ashtu numri i madh i testimeve. Këto janë shumë të rëndësishme për zvogëlimin e numrit të personave të infektuar. Kumanova është qyteti që ka patur vatrën më të madhe të personave të prekur nga COVID-19. Në Kumanovë numri i të prekurve është 355", tha Zyberi.

Tregime të lidhura