Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut pa datë zgjedhjesh, krerët e partive politike nuk bien ende dakord për shkak të pandemisë

Përditësimi i fundit: 13/05/2020 - 07:59
Text size Aa Aa

Liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut nuk arritën gjuhë të përbashkët për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe për këtë shkak do të takohen edhe në fillim të javës së ardhshme. Shumica e liderëve vlerësojnë se situata me pandeminë duhet shqyrtuar mirë dhe duhet vlerësim nëse ka kushte për zgjedhje.

“Shëndet për qytetarët do të jetë nëse funksionojnë të gjithë institucionet. Në kontinentin e Evropës, në të gjitha vendet ku do të ketë apo jo zgjedhje funksionojnë institucionet. Në Maqedoninë e Veriut kemi Parlament jofunksional dhe Qeveri teknike. Nuk mund ta dimë nëse në vjeshtë do të paraqitet ose jo një valë e re e krizës”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Opozita shqiptare vlerëson se zgjedhjet duhet të organizohen gjatë muajve të verës kur ka studime se virusi mund te dobësohet, dhe të pritet hapja e kufijve në mënyrë që edhe emigrantet të votojnë.

“Unë besoj se kemi konsensus për një gjë; e ai është shëndeti i qytetarëve. Por, nga ana tjetër duhet të kemi shumë kujdes edhe për shëndetin e shoqërisë dhe shtetit. Ne patjetër duhet ta rivendosim demokracinë parlamentare dhe zgjedhjet doemos duhet të mbahen. Besoj se gjithsecili aktor politik do ta ketë parasysh faktin që në zgjedhje do të shkohet kur virulenca e virusit do të jetë më e vogël, dhe sipas disa të dhënave dhe analizave të ekspertëve, kjo ndodhtë kur temperaturat janë të larta”, tha Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ndërkohë qeveria ka vendosur të lehtësojë masat kufizuese për një sërë biznesesh siç janë qendrat për edukim dhe trajnim, autoshkollat, qendrat tregtare por pa restorantet që funksionojnë brenda tyre.

Javën tjetër pritet të hapen edhe kafenetë, restorantet, hotelet dhe kazinotë, por që të gjithë do të japin shërbime nga sporteli.

Tregime të lidhura