Maqedoni e Veriut

Hapen xhamitë në Maqedoninë e Veriut, besimtarët iu drejtuan objekteve të kultit për herë të parë që nga nisja Ramazanit

Përditësimi i fundit: 14/05/2020 - 09:12
Text size Aa Aa

Pas gati dy muaj mbylljeje për shkak të coronavirusit, dje u hapën sërish xhamitë në Maqedoninë e Veriut, përkundër faktit që autoritetet shëndetësore kanë qenë kundër hapjes së objekteve të kultit. Shumë besimtarë iu drejtuan objekteve të kultit për lutjet e drekës, të parat në xhami që nga fillimi i Ramazanit.

“Deri në ditën e sotme kemi respektuar të gjitha normat, normat islame, të sheriatit, normat e sistemit juridik islam, por edhe normal lokale, territoriale dhe ndërkombëtare. Na e mori mendja se duhet të përshëndetemi me virusin COVID-19 dhe Riaseti i BFI-së (Bashkësia Fetare Islame), vendosi që xhamitë prej ditës së sotme t’i hapim”, tha Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së

Megjithatë, besimtarët duhet t'i përmbahen protokollit të veçantë gjatë faljes në xhami. Maskat dhe distanca përkatëse janë të obligueshme. Edhe pse xhamitë u hapën me vendim të Bashkësisë Fetare Islame, besimtarët do të mund t’i vizitojnë vetëm kur nuk është në fuqi orari i kufizimit të lëvizjeve. Kufizimi i lëvizjes do t’i mbajë xhamitë e mbyllura për 3 nga 5 lutjet e ditës.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë ka propozuar hapjen graduale edhe të një pjese të bizneseve, duke marrë parasysh rënien e numrit të rasteve aktive në Maqedoninë e Veriut. Ministri Filipçe tregoi se cilat biznese do të përfshihen nga faza e parë e rikthimit në normalitet.

“Plani parasheh që gjatë kësaj javë të hapen dhe të hyjnë në funksion qendrat për edukim, trajnim dhe seminare të të rriturve, organizimin i mbledhjeve të organeve udhëheqëse, hapja e autoshkollave, qendrat për testim, trajnimet për sport në ambiente të hapura për sporte individuale, hapja e bastoreve përmes sporteleve si dhe hapja qendrave tregtare-molleve pa shërbime hotelerike”, tha ministër i Shëndetësisë i RMV, Venko Filipçe.

Në Maqedoninë e Veriut virusi COVID-19 ka infektuar gjithsej 1694 qytetarë, por sot ka vetëm 370 raste aktive. Janë shëruar gjithsej 1229 pacientë, ndërsa coronavirusi ka marrë jetën e 95 personave.

Tregime të lidhura