Maqedoni e Veriut

Zgjedhje në RMV? Zv.ministri i Shëndetësisë: Synim politik, por në fund vendos Komisioni për Sëmundje Infektive

Përditësimi i fundit: 14/05/2020 - 11:40
Text size Aa Aa

Në Maqedoninë e Veriut po përgatitet protokolli i detajuar se si do të zhvillohet fushata zgjedhore dhe dita e zgjedhjeve. Kryeministri teknik, Oliver Spasovski është shprehur dje se  pret që partitë politike javën e ardhshme ta caktojnë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, si do të menaxhohet situata shëndetësore, a janë të mundshme zgjedhjet në periudhën e pandemisë? Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, zv.ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, z. Armend Asllani foli lidhur me planin e masave.

Z. Asllani tha se Ministria e Shëndetësisë është duke monitoruar situatën e COVID-19 në RMV, e cila pas një trendi linear të rënies së numrit të të prekurve për 13 ditë me radhë, pësoi sërish rritje të numrit, por kjo sipas tij mund të jetë për shkak të masave liruese.

“OBSH na ka thënë se deri tani situatën lidhur me COVID-19 e kemi në kontroll”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjeve që synohen të mbahen së shpejti në RMV, z. Asllani tha se ky është një synim politik, por ai do të vendosë në fund nëse janë kushtet që zgjedhjet të zhvillohen, do të jetë Komisioni për Sëmundje Infektive.

“Akoma nuk ka një plan të detajuar se si do të bëheshin zgjedhjet, ky është më shumë një synim politik. Unë si mjek por edhe si zv.ministër do kem si shtyllë komisionin për sëmundje infektivë, që punojnë në përputhje me rekomandimet e OBSH. Për momentin po bëhen statistika dhe në bazë të numrave do kemi një përfundim prej komisionit. Ata do të vendosin a ka kushte në këtë periudhë epidemie për zgjedhje. Në aspektin tjetër është qeveria që do të marrë vendime për datë zgjedhjesh. Ne për momentin jemi tek komisioni që ende nuk kanë dalë në një përfundim nëse do të zhvillohen zgjedhjet dhe kur”, tha ai.

Tregime të lidhura