Maqedoni e Veriut

Teatri shqiptar në RMV, prej 6 vitesh asnjë shfaqe në gjuhën amtare

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 22:05
Text size Aa Aa

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka më shumë se gjashtë vite që nuk kanë parë shfaqje teatrale në gjuhën amtare…Kjo për shkak se teatri i vetëm shqiptar po rinovohet për gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe pse premtimi i qeverisë së kaluar VMRO – BDI ishte se punimet do të mbarojnë për dy vite.

Edhe pas gjashtë vitesh, ky objekt, i cili ka kushtuar mbi dhjetë milionë euro, ende nuk është i denjë për shfaqe. Nga jashtë duket bukur, ndërsa brenda nuk ka vend ku nuk ka plasaritje dhe ujë që rrjedh nga çatia.  

“Teatri nisi të adaptohet shkaku i kulmit, sepse e mbaj mend, jam gati 25 vite në këtë institucion, pikonte kulmi. Por jo deri në këtë masë, deri në këtë nivel. Tani gjendja është edhe më e keqe… Ne nuk mund të presim më. Do të ketë zgjedhje, do të kalojë gjendja e jashtëzakonshme. Ne kemi program të miratuar nga Ministria e Kulturës dhe ne duhet të fillojmë me punë. Si do që të jetë teatri do të hapet”, tha Ylber Murtezi, drejtor i Teatrit shqiptar në Shkup.

Drejtori i teatrit i cili është emëruar tre muaj më pare, thotë se ka vërejtur shumë parregullsi që po i heton një komision i pavarur në Ministrinë e Kulturës.

“Firma Eshensija që i bën punimet, ka më shumë se dy muaj, prej kur jam emëruar drejtor që nuk kemi asnjë kontakt me të. Ne e kemi obligim ligjor që tu kërkojmë në afat brenda dy javësh që të vijnë dhe të shohin se ka shumë mangësi në teatrin tonë. Lëre që nuk i kanë kryer punët deri në fund por me kontratën që e kanë me teatrin shqiptar edhe dy vitet e ardhshme duhet ta mirëmbajnë teatrin. Përndryshe ne si institucion do të jemi të detyruar që të ngrisim padi penale ndaj kësaj firme”, deklaroi z. Murtezi.

Rikonstruksionin e objektit të Teatrit e kishte fituar kompania italiane ‘LAMONE MOREDA’ e cila falimentoi në gjysmë të projektit dhe la punimet pezull, edhe pse i kishte marrë paratë, ndërsa një kompani tjetër me emrin “Shencija” që e kishte blerë kompaninë italiane, pavarësisht se i ka marrë përsipër detyrimet e saj, nuk shfaqet për të bërë korrigjimet e nevojshme në objekt.

Tregime të lidhura