Maqedoni e Veriut

Teuta Arifi: Prezenca e shumë partive shqiptare ka dëmtuar faktorin tonë në Maqedoninë e Veriut

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 17:55
Text size Aa Aa

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut, në një intervistë për “Balkan Talk” në Euronews Albania, tha se, formimi i shumë partive shqiptare e ka dëmtuar faktorin shqiptar. Zv. Kryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, u shpreh se mesazhi kryesor në zgjedhjet e ardhshme për ta do të jetë fuqizimi ekonomik i shqiptarëve.

“Prezenca e shumë partive shqiptare nuk paraqet një formë të mirë të përfaqësimit të shqiptarëve. Këtë e them për numrin real që kanë shqiptarët në vend dhe formimi i shumë partive krijon një shpërndarje të votës dhe një dobësim të artikulimit të kërkesave”, tha znj. Arifi, duke iu referuar faktit se në RMV ka 6 parti shqiptare.

Duke folur për diskutimet mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kryetarja e Komunës së Tetovës u shpreh se, BDI kërkon që ato të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, por pa rrezikuar përhapjen e coronavirus.

“BDI nuk ka favorizuar datë për zgjedhjet parlamentare, por ka kërkuar që të bëhet një vlerësim për situatën e pandemisë nga ana e Komisionit të Sëmundjeve Virale. Mbështesim idenë që zgjedhjet të mbahen shpejt, por nuk duam që të shkaktohet ndonjë problem nga COVID-19”, tha znj, Arifi.

Ajo foli dhe për gabimet e BDI për të cilat janë nxjerr mësime përveç arritjeve të mëdha që janë arritur si përdorimi i flamurit kombëtar dhe njohja e gjuhës shqipe.

“BDI që nga themelimi ka artikuluar çështje kyçe të shqiptarëve. Nisur nga përdorimi i flamurit, gjuhës dhe universitetit. Por, çdo parti ka mangësitë dhe problemet e veta ashtu si BDI që ka paguar një çmim të caktuar. Ndryshime e ligjit në procesin e implementimin ka sfidat e veta. Por, e rëndësishme është baza ligjore dhe në kohë do të sjellë zbatimin. Do të ishte jo reale që menjëherë të gjitha gjykatat ta implementimin menjëherë. Avancimi do të kërkojë angazhime të mëtejshme”, tha zv. kryetarja e BDI-së.

Znj. Arifi foli dhe për politika diskriminuese për investimet në territore shqiptare, duke thënë se pavarësisht se taksat paguhen njëlloj nga të gjithë qytetarët, nga ndarja e buxhetit paratë shkojnë më shumë në qytete me shumicë maqedonase.

“Për fat të keq për shumë vite buxheti shtetëror nuk ka një instrument që do të siguronte ndarjen rajonale të barabartë. Është vetëm një  pjesë që drejtohet nga ministria e pushtetit lokal. Edhe pse ka  përmirësime gjatë 3 viteve të fundit, megjithatë pasoja e mos shpërndarje së barabartë të buxhetit është problematike dhe çështja duhet të shtojë angazhimin e partive shqiptare në krijimin e politikave përveç temave të mëdha etnike, të shtrohen problemet e zhvillimit ekonomik dhe rajonal”, deklaroi znj. Arifi.

E pyetur nga gazetari, Franko Egro lidhur me faktin se, shqiptarët vijojnë të jenë viktima të proceseve të montuara, si rasti i Kumanovës, ajo tha se, “çështja e gjyqësorin është një prej sfidave më të mëdha” dhe se ndikimi shqiptar në këtë aspekt ka qenë shumë i vogël ndaj është kërkuar gjithmonë hetim ndërkombëtar për raste të bujshme.

Znj. Arifi u shpreh se BDI ka si kusht për bashkëpunim me partitë maqedonase respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, Prespës, marrëveshjen e Bullgarinë si dhe të mos cenojë vlerat dhe orientimin euroatlantik të vendit duke shtuar se nuk kanë aleatë të preferuar.

“Nuk kemi lidhur asnjëherë ardhmërinë e BDI me ardhmërinë e të tjerëve. Kemi vetëm një përparësi, dhe ajo është aleanca me shqiptarët e Maqedonisë që i besojnë konceptit dhe programit të BDI. Partnerë të ardhshëm janë ato parti politike që nuk kontestojnë marrëveshjen e Ohrit, Prespës dhe me Bullgarinë”, përfundoi zv. kryetarja e BDI.

Tregime të lidhura