Maqedoni e Veriut

12 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 15:56
Text size Aa Aa

Maqedonia e Veriut ka regjistruar 132 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit nga testimi i 868 personave. Ndërsa 12 persona të prekur nga coronavirus kanë ndërruar jetë gjatë ditës së fundit, ku 5 janë nga Shkupi.

Nga ana tjetër Instituti i Shëndetit publik ka regjistruar 112 pacientë të shëruar. Maqedonia e Veriut në total deri tani ka kryer gati 60 mijë testime, nga të cilët kanë rezultuar të infektuar mbi 6 200 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se nga verifikimet e fundit është ndeshur një rast në Kumanovë, ku një person i shëruar nga COVID-19 është infektuar sërish.

Pas masave lehtësuese, Maqedonia e Veriut është kthyer në një prej vendeve me numrin më të lartë të të infektuarve me coronavirus. Një ditë më parë, RMV kishte 176 raste të reja me COVID-19 dhe 9 të vdekur.

Në total, Maqedonia e Veriut deri tani numëron 298 persona të vdekur që nga nisja e pandemisë. Sa i takon të dhënave të fundit për numrin e të infektuarve për 100 mijë banorë, qëndron e dyta në Evropë pas Suedisë.

Tregime të lidhura