Maqedoni e Veriut

Vijon fushata në RMV, më 15 korrik mbahen zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga pavarësia

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 07:37
Text size Aa Aa

Maqedonia e Veriut më 15 korrik mban zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga pavarësia. Në Maqedoninë e Veriut ka nisur fushata elektorale e cila po zhvillohet në kushte jo të zakonta  kjo për shkak dhe situatës me COVID- 19. Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me propozimin për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, gjë e cila nuk është pëlqyer nga aleati në qeverisje Zoran Zaev.

Partitë e tjera shqiptare e  quajnë këtë një propozim thjesht elektoral. BDI-ja ka propozuar për kryeministër Naser Ziberi, pjesëmarrës në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit para 19 vjetësh. BDI-ja në mandatin e fundit pati dhjetë deputetë në parlamentin prej 120 vendesh.

Dy partitë e tjera shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kësaj radhe dalin në koalicion dhe kjo sipas analistëve mund t’i sjellë përkrahjen edhe të një pjese të pakënaqur të elektoratit të partive të tjera shqiptare, eventualisht dhe të votuesve të pavendosur shqiptarë.

Lëvizja Besa shkon në koalicion me Lidhjen Social Demokrate, ndërsa Bilal Kasami do të jetë kryesues i listës zgjedhore në njërën prej gjashtë zonave zgjedhore. Partia Demokratike Shqiptare do të shkojë e vetme në zgjedhjet e 15 korrikut.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate shpreson të fitojë edhe vota të elektoratit shqiptar. Krahas koalicionit me Lëvizjen Besa ajo ka futur edhe disa kandidatë shqiptarë në listat e saj.

Partia konservatore VMRO-DPMNE, synon të fitojë zgjedhjet, duke shfrytëzuar pakënaqësitë ekonomike të shkaktuar edhe nga pandemia, sikundër edhe për marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin.