Maqedoni e Veriut

Kosova dhe Maqedonia e Veriut shtojnë bisedimet për hapjen e kufijve pa kushte

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 15:42
Text size Aa Aa

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi ka pritur në takim gjatë ditës së sotme homologun e tij kosovar Besnik Tahiri, me të cilin njoftoi se ka biseduar për hapjen e kufijve mes dy vendeve pa kushtin e testit negativ të Covid-19.

Të dy zëvendëskryeministrat besojnë se hapja e kufijve do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe në lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Qëndrimi im është që kufijtë tanë duhet të liberalizohen për nga shembulli i kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë të cilat janë të hapura dhe keni lëvizje të jashtëzakonshme mes dy vendeve, në veçanti në sezonin turistik dhe  transmetimi i infektive  me Covid-19 nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas ishte minimal”, tha Grubi.

Zëvendëskryeministri Tahiri kërkon që Maqedonia e Veriut dhe Kosova të ndjekin shembullin e hapjes së kufijve si me Shqipërinë.

“Për mua është e palogjikshme që ne të kemi sistem të testimit bilateral përderisa me Shqipërinë kushtimisht kufiri është I hapur. Mendoj se duhet parë të gjithë mundësitë, sigurisht duke ruajtur shëndetin publik, duke ruajtur njëri tjetrin, që të lehtësojmë komunikimin e qytetarëve të cilët në baza ditore komunikojnë por edhe për udhëtim në aeroport, për çështje shëndetësore, por edhe çështjet ekonomike që ta kenë më të lehtë”, theksoi Tahiri.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut për momentin mund të udhëtojnë vetëm në Shqipëri dhe Bullgari pa test PCR.