Maqedoni e Veriut

RMV, procesi mësimor në rrezik, gjimnazistët paralajmërojnë bojkot të mësimit online

Përditësimi i fundit: 30/09/2020 - 13:09
Text size Aa Aa

Nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë së Veriut i kanë dhënë afat një muaj ministrisë së Arsimit që të rishikojë vendimin për mësimin e kombinuar, që ishte propozim i nxënësve për muaj me radhë.

Ata thanë se do të presin një muaj pas fillimit të vitit shkollor, nëse gjendja me pandeminë e Covid-19 do të stabilizohet dhe do të kërkojnë kthimin në bankat e shkollës. Nëse kërkesa e tyre nuk pranohet, ata paralajmërojnë bojkot të mësimit online, i cili sipas ministrisë së Arsimit dhe ekspertëve të shëndetësisë është gati të nisë në 1 tetor. 

Korrespondentja e Euronews Albania në RMV, Ferikan Iljazi, u shpreh se edhe gjatë protestave të bëra disa javë, nxënësit janë shfaqur skeptik për cilësinë që ofron mësimi online dhe për këtë ata kanë kërkuar kombinim me mësim në klasa.

“Kryesisht nga 1 tetori në Maqedoninë e Veriut mësimi do të jetë online dhe në televizion për ata nxënës që nuk kanë pajisje elektronike. Nxënësit nuk pajtohen me këtë dhe kanë dhënë ultimatum një muaj për të parë si do të shkojë situata dhe më pas nëse nuk u dëgjohet kërkesa do të bojkotojnë tërësisht procesin arsimor,” – u shpreh gazetarja Iljazi e cila shtoi se ministria i qëndron vlerësimeve të ekspertëve të shëndetësisë.

“Si politikanë, nga ministria, thonë se nuk mund t’ia lejojnë vetes të japin vlerësim mbi gjendjen epidemiologjike dhe nëse mësimi në një shkollë me praninë e pandemisë është i rrezikshëm apo jo në një kohë kur ekspertët e shëndetësisë e kanë dhënë një vlerësim më parë,” – u shpreh gazetarja e Euronews Albania.

Prej nisjes së pandemisë së COVID-19 në RMV janë diagnostikuar mbi 17,700 raste me infeksion, prej së cilave 14,800 janë shëruar, ndërsa 737 nuk ia kanë dalë mbanë.

Tregime të lidhura