Maqedoni e Veriut

Pa maskë në vendet publike, 74 mijë gjoba në Maqedoninë e Veriut

Përditësimi i fundit: 12/10/2020 - 16:43
Text size Aa Aa

Në Maqedoninë e Veriut nga muaji maj ka filluar gjobitja e qytetarëve që nuk mbajnë maska në vende publike. Deri më tani, ka mbi 74 mijë qytetarë që janë gjobitur me nga 20 euro. Zëdhënësi i policisë Toni Angellovski thotë se policia vazhdimisht është në rrugë dhe kontrollon nëse respektohet detyrimi për mbajtjen e maskës, por autorizimi i tyre ndalet aty, gjithçka tjetër varet nga përgjegjshmëria e qytetarëve.

“Deri tani kemi firmosu mbi 74 mijë gjoba për mosmbajtjen e maskës. Kryesisht në territorin e Shkupit, Ohër dhe Tetovë. Vazhdimisht u bëjmë thirrje qytetarëve, jo vetëm me masa ndëshkuese, por edhe me këshilla që t’i mbajnë maskat, pasi kështu së bashku do e ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundje. Për fat të keq ende kemi shumë njerëz që nuk i respektojnë masat dhe kjo reflektohet në numrin e gjobave që janë nga 800 deri 900 në ditë gjatë dy javëve të fundit”, tha ai.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të obliguar të mbajnë maskë kudo nëpër vende publike dhe institucione, sidomos nëse janë të shoqëruar me dikë që nuk e kanë pjesëtar të familjes së ngushtë me të cilën jetojnë. Maskat janë të obligueshme në gjitha bizneset, qoftë për të punësuarit qoftë për blerësit apo shfrytëzuesit e një shërbimi. Përjashtim bëjnë vetëm biçiklistët, sportistët në natyrë, dhe fëmijët deri 6 vjeç. 

Drejtori i Institutit për shëndet publik Shaban Memeti thotë se shifrat e larta të të infektuarve dëshmojnë se qytetarët nuk janë ndërgjegjësuar për nevojën e mbajtjes së maskës, sidomos të rinjtë, të cilët janë rastet më të shpeshta të të infektuarve gjatë dy muajve të fundit.

“Siç shihet këto rekomandime nuk respektohen nga qytetarët dhe prandaj kemi rritje të numrit të të infektuarve...Kushti kryesor i mbrojtjes nga Covid-19 janë tre rregullat e arta, mbajtja e maskës, distanca fizike dhe dezinfektimi i duarve. Këto janë mekanizmat mbrojtëse për Covid-19. Mosrespektimi i masave do të thotë se do të mbushen spitalet me shenja klinike për Covid-19...Kërkojmë nga qytetarët që të ndërgjegjësohen dhe vetëdijesohen, pasi nga shtatori kemi raste të shumta të personave në moshë prej 20 deri në 40 vjeç. Të kemi kujdes nga grumbullimi, nga mbrëmjet e organizuara pasi që çdo grumbullim do të çojë në rritjen e rasteve pozitive me Covid-19 ” , shtoi ai.

Por, pavarësisht gjobitjeve të mesatarisht 400 personave në ditë, apo rreth 12 mijë personave në muaj, shifrat e larta të të infektuarve me Covid-19 dëshmojnë se gjobat nuk e kanë dhënë efektin e duhur.

Përveç për qytetarët, janë parashikuar edhe gjoba për kompanitë që nuk sigurojnë maska për të punësuarit. Gjobat për këto shkelës janë 2000 euro, ndërsa në mënyrë shtesë edhe personi përgjegjës i kompanisë dënohet me plus 500 euro gjobë.