Maqedoni e Veriut

Pandemia në RMV, Gëzim Nuredini: Rritja e shpejtë e rasteve në Tetovë detyroi riorganizimin e shërbimeve në spital

Përditësimi i fundit: 20/11/2020 - 17:10
Text size Aa Aa

Gëzim Nuredini, koordinatori i Qendrës së COVID-19 në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, tregoi për Euronews Albania për situatën që po kalon vendi fqinj përballë fluksit të shtuar të personave që po kërkojnë trajtim.

Nuredini tha se fillimisht në Tetovë ka qenë i hapur për trajtimin e të sëmurëve me COVID vetëm pavijoni i sëmundjeve infektive, mirëpo pas “rritjes së shpejtë” të rasteve u hap edhe pavijoni i sëmundjeve të brendshme.

“Kemi hapur dy katet e spitalit të sëmundjeve të brendshme dhe kemi fituar edhe 80-90 shtretër të gatshëm për pacientët, ndërsa për sa i përket numrit aktual të të shtruarve kemi 43 persona, të cilët janë në gjendje të rëndë, pasi kanë nevojë për oksigjen,” – u shpreh Nuredini.

Gazetarja Bruna Çifligu e pyeti koordinatorin Nuredini se çfarë parashikohet nëse do të ketë sërish fluks të madh dhe shtretërit nuk do të mjaftojnë, ai u përgjigj se momentalisht ka pasur një prirje në rënie të fluksit, por megjithatë po konsiderohet marrja e masave të ngjashme për shtimin e kapaciteteve.

“Nëse brenda ditëve në vijim, automatikisht gjithë spitalin do ta shndërrojmë në qendër COVID-i edhe pse kjo nuk është e lehtë, pasi mund të privojë shërbimet e tjera [...] por i gjithë spitali diku me 400 shtretër do të jetë më pas në dispozicion në rastin më urgjent, faza aktuale që mund ta bëjmë është ndërprerja e shërbimeve më të manovrueshme,” – u shpreh Nuredini.

Maqedonia e Veriut është ndër më të prekurat nga pandemia në rajon pasi ka regjistruar deri më sot mbi 1,400 viktima dhe mbi 51 mijë raste. Përqindja e vdekshmërisë po shkon te rreth 3% e të prekurve.

Tregime të lidhura