Maqedoni e Veriut

Arrestime dhe përleshje me policinë gjatë karnavaleve në RMV

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 22:23
Text size Aa Aa

Karnevali qindra vjeçar i Vevçanit është kthyer në një përplasje masive mes fshatit dhe forcave të policisë, duke përfunduar me arrestime. E filluar në orët e paradites, ceremonia pagane, ka mbledhur me dhjetëra të rinj e të moshuar të fshatit.

Me maska të frikshme, por edhe duke u tallur me vaksinën, apo ndërhyrjet bullgare në historinë e Maqedonisë së Veriut, banorët e Vevçanit kanë nisur festimet si çdo vit, pa e menduar se paralajmërimi që u kishte bërë prej kohësh policia, do të përfundonte në mënyrë të dhunshme. Forca të shumta policore, kanë mbërritur në qendër të fshatit, ku janë përplasur me pjesëmarrësit në festime.

Sipas policisë, prej kohësh banorëve u ishte thënë që karnevali nuk do të lejohej që të mbahej, si shkak i masave anticovid. Madje, sipas policisë, banorët e kanë tradhtuar marrëveshjen, pasi kishin premtuar se karnevali nuk do të zhvillohej.

Reagimet e banorëve, kanë sjellë acarimin e situatës, ku policia ka arrestuar disa prej tyre. Karnevali i Vevçanit, një fshat me popullatë krejtësisht maqedonase në afërsi të Strugës, është një organizim mbi një mijë vjeçar dhe për çdo vit tërheq edhe turistë vendas dhe të huaj.