Maqedoni e Veriut

Partitë politike në RMV përplasen mbi regjistrimin e popullsisë

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 17:01
Text size Aa Aa

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një debat mes forcave politike mbi regjistrimin e popullsisë, i cili nuk është bërë që prej vitit 2002. Qeveria ka çuar një projekt-ligj në Parlament me procedurë të shkurtuar, në mënyrë që të bëhen përgatitjet për procesin, i cili duhet të zhvillohet gjatë muajit prill.

Por që në fillim, opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka paralajmëruar bllokim të ligjit me arsyetimin se pushteti nuk ka marrë parasysh asnjë propozim të opozitës për metodologjinë e regjistrimit të popullsisë.

Analisti Albert Musliu nga Shkupi tha për Euronews Albania se mungesa e regjistrimit të popullsisë në 20 vitet e fundit është shoqëruar me pasoja të forta në shoqëri.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është njëri nga tre shtetet në botë, që nuk ka bërë regjistrim popullsie në një kohë kaq të gjatë.

“Është problematike, për shkak të mungesës së ligjit për regjistrimin e popullatës, jemi një nga tre shtetet në botë së bashku me Somalinë, të cilat nuk kanë bërë regjistrim popullate në një kohë kaq të gjatë në 20 vitet fundit.  Problem është edhe tek zhvillimi ekonomik. Kjo gjithashtu ka probleme edhe në fushën arsimore”, tha ai.