Maqedoni e Veriut

RMV, arratiset ish-shefi i inteligjencës Sasho Mijallkov, akuzohet si përgjegjës i skandalit të përgjimeve

Përditësimi i fundit: 22/02/2021 - 13:23
Text size Aa Aa

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë lëshuar urdhër-arrest për ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov. Gjykata vendosi që t'i caktojë paraburgim shtëpiak Mijallkovit në pritje të aktvendimit përfundimtar për skandalin e përgjimit të paligjshëm, i cili u bë publik në vitin 2015.

Mirëpo policia nuk e ka gjetur në shtëpinë e tij për t'ia dorëzuar vendimin e gjykatës. Gjatë mbrëmjes, ekipe policore kanë kryer kontrolle në pronat e tij, ndërsa kanë kontrolluar edhe hyrje-daljet e Shkupit, por nuk kanë arritur të gjejnë asnjë gjurmë.

Nëse arratisja konfirmohet e suksesshme, do të jetë kjo arratisja e dytë spektakolare në pak vite, pasi asaj të Nikolla Gruevskit në vitin 2018.

Korrespondentja e Euronews Albania, Ferikan Iljazi tha se Mijallkov akuzohet për organizimin e përgjimit të paligjshëm të rreth 20 mijë qytetarëve. Se ai ishte një nga personat më të rëndësishëm në Shkup gjatë udhëheqjes së Gruevskit.

Mijallkov rrezikon deri në 15 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg me dyshimin se ai mund të arratisej, mirëpo ky shqetësim po rezulton të jetë i vërtetë, pasi prej më shumë se 24 orësh ende nuk ka informacione se ku ndodhet.

Nëse Mijallkov nuk do të gjendet në RMV, atëherë autoritetet do të lëshojnë një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Tregime të lidhura