Me pak fjalë

Shoqata e Ricikluesve: Industria në prag të falimentimit

Përditësimi i fundit: 07/10/2020 - 21:09
Text size Aa Aa

Kreu i Shoqatës së Ricikluesve në vend, Bardhyl Baltëza, deklaroi në emisionin ‘Me pak fjalë’,se industria e riciklimit, jo vetëm që nuk mbështetet nga qeveria, por po falimenton.

Zoti Baltëza tha se aktualisht industria e riciklimit punon me vetëm 15-30 për qind të kapacitet, është drejt falimentimit dhe largimit nga Shqipëria:

“Një pjesë e ndërmarrjeve ricikluese kanë ikur nga Shqipëria, kanë ikur dhe në Afrikë. Të gjithë kemi menduar që të ikim. Vendet fqinjë kanë ofruar propozime shumë interesante, të japin godinën, 5 vjet nuk paguan taksa, lehtësime. Në të gjithë Europën, industria e riciklimit subvencionohet, ndërsa ne po subvencionojmë djegien, mënyrë më të keqe.”

Ai sqaroi se strategjia e qeverisë shqiptare është në drejtimin e gabuar, sepse kudo në botë e Europë fokusi po vihet tek ripërdorimi dhe riciklimi, dhe në asnjë mënyrë tek djegia, e cila çliron në ajër gazra të dëmshëm për shëndetin dhe është e kushtueshme.

Ai shtoi se ndërtimi i inceneratorëve me kapacitete kaq të mëdha në Shqipëri është i dyshimtë pasi është i pajustifikuar qoftë nga ana e burimit të mbetjeve, qoftë nga ana ekonomike.