Me pak fjalë

Qeveria mori mbi 435 milionë euro për të luftuar pandeminë

Përditësimi i fundit: 21/10/2020 - 20:57
Text size Aa Aa

Që prej fillimit të pandemisë, qeveria shqiptare ka marrë në total rreth 435 milionë euro mbështetje për Covid-n, shëndetësore dhe ekonomike.

Rreth 245 milionë euro për të përballuar krizën shëndetësore, sociale dhe ekonomike, ndërsa mbi 190 milionë të tjera janë premtuar dhe do të merren në muajt e ardhshëm.

Por, pavarësisht ndihmës, qeveria ka vendosur të mos investojë as në testime dhe as në krijimin e kapaciteteve laboratorike.

Sipas të dhënave të publikuara në emisionin ‘Me pak fjalë’ të mërkurën në Euronews, për pesë muaj rresht nga marsi deri në fund të korrikut, Shqipëria pati vetëm një laborator për testet, laboratorin e ISHP-së, me kapacitet rreth 600 teste në ditë.

Në mes të korrikut qeveria hapi një laborator të dytë. Ky laborator pavarësisht investimeve me dhjetëra mijëra euro, u mbyll dy javë pas hapjes, pasi koncesionari i laboratorëve spitalore, kërkoi të merrte në dorëzim laboratorët e QSUT-së dhe gjithë spitaleve të vendit.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë pohoi për emisionin ‘Me pak fjalë’ se, pavarësisht se laboratori i mikrobiologjisë i ka kaluar koncesionarit, laboratori covid i ka mbetur QSUT-se dhe ka bërë pa ndërprerje testimet covid.

Ajo që dihet është se laboratorët spitalorë në të gjithë vendin sot i ka një privat, dhe asnjë prej tyre nuk bën testime covid. Testime nuk bëjnë as laboratorët e koncesionarit.

Kjo qasje është edhe paradoksi i qeverisë: ajo na bën falas me detyrim teste shëndetësore që nuk na duhen, por për t’u testuar kundër covidit duhet të paguajmë nga xhepi në laboratorë privatë.