Me pak fjalë

Tomini sqaron strategjinë e ISHP-së për testimet dhe gjurmimin e Covid-19

Përditësimi i fundit: 21/10/2020 - 21:00
Text size Aa Aa

Eugena Tomini, shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, sqaroi strategjinë e përdorur për të gjurmuar kontaktet e të infektuarve me Covid-19.

Gjatë një interviste për emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews, znj. Tomini theksoi se strategjia e ndjekur që në hapat e parë të pandemisë është mbështetur në rekomandimet e Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ajo shpjegoi se si ISHP ka vepruar për të testuar kontaktet e rasteve pozitive dhe për të parandaluar përhapjen e virusit:

“Strategjia ndiqet për çdo rast të dyshuar si të infektuar, pra çdo rast i dyshuar për Covid-19 testohet, bashkë me kontaktet. Kemi testuar çdo rast të dyshuar dhe kemi testuar të gjithë kontaktet, brezi i parë, i dytë apo i tretë.

Nuk është testuar vetëm anëtari pozitiv dhe 4-5 anëtarë të familjes. Kemi pasur vatra në fasoneri, në institucione në të cilat numri i kontakteve ka arritur në brezin e dytë e të tretë. Ka pasur raste kur i kemi tejkaluar dhe shifrat e rekomanduara nga OBSH (30 testime kontaktesh për një pacient pozitiv), por kemi tejkaluar dhe numrin e kontakteve të ngushtë”, deklaroi shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP.

Znj. Tomini theksoi se çdo rast i infektuar është i ndryshëm: “Asgjë nuk është e prerë në lidhje me numrin e kontakteve të rasteve pozitive sepse varet nga hetimi epidemiologjik, nga bashkëpunimi i pacientit me epidemiologun.

Nga kjo listë e kontakteve, duke bërë dhe vlerësimin e riskut, duke përcaktuar dhe indikatorët dhe faktorët e tjerë, për shembull nëse ka qëndruar mbi 15 minuta në një ambient të mbyllur e pa maska mbrojtëse, krijohet një listë e detajuar e hetimit epidemiologjik.”