Pikëpamje

Evropa përballë një krize shëndetësore, nëse nuk rregullon me ligj tregun e produkteve të kanabisit

Përditësimi i fundit: 07/10/2019 - 10:57
Text size Aa Aa

Tregu i kanabidiolit (CBD, përbërësi kryesor i bimës së kanabisit) është zhvilluar me shpejtësi dhe befasi marramendëse, mundësuar nga një zbrazëti në legjislacionin për kanabisin dhe nxitur nga ndryshimi i perceptimeve rreth kanabisit në vitet e fundit. Por, në ndryshim me intensitetin e zhvillimit të këtij tregu, qeveritë kanë qenë tejet të ngadalta në reagimin e tyre.

Sipas firmës së kërkimeve mbi tregun e kanabisit, “Brightfield Group”, tregu evropian për produktet e kanabidiolit është rritur në rreth 273 milionë euro gjatë vitit 2018. Kjo shifër përllogaritet të rritet në gati pesëfishim, duke kapur vlerën 1.5 miliardë euro deri në vitin 2021. Por, është po aq i pabesueshëm fakti që nuk ka një rregullator për të mbikëqyrur tregun e kanabidiolit, e pasojat kanë nisur të ndihen.

Natyra e papërcaktuar “gri” e këtij tregu po u lejon kompanive të shesin produkte pa asnjë kontroll, duke paraqitur një rrezik të madh për shëndetin e njerëzve. Duket ironike, por rreziqet nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me përbërjen e vet kanabidiolit (CBD), por me elementë të tjerë që mund të gjenden apo të shtohen në këto produkte, si për shembull myku apo metalet e rënda toksike, të cilat plantacionet e kanabisit mund t’i thithin nga toka.

Një tjetër çështje që po ndikon në tregun e kanabidiolit është reklamimi i rremë. Laboratorët më të mirë të kanabisit në Evropë raportojnë se, një numër i madh kompanish hedhin në treg produkte me më pak përmbajtje kanabidioli nga sa përshkruhet në paketimin e tyre. Në disa raste, produktet nuk përmbajnë aspak CBD. Kjo është diçka e tmerrshme për një industri që duhet të dëshmojë se është e besueshme. Mes gjetjeve më shqetësuese janë produktet e konfirmuara si të kontaminuara me kanabioidë sintetikë, lëndë të rrezikshme kimike apo lëndë narkotike të paligjshme.

“Duke parë zgjerimin eksponencial të tregut të CBD-së, autoritetet evropiane duhet të bëhen gjithnjë e më serioze në lidhje me kërcënimet potenciale të një industrie të një shkalle kaq të gjerë dhe të parregulluar. Evropa ka një reputacion të mirë sa i përket mbrojtjes së qytetarëve të saj, por kur vjen fjala te kanabisi, duket se ka mbetur pas”.

Zhdukja e një industrie krejt të re, e cila sjell punësim dhe ku shumica e prodhuesve po i bëjnë gjërat në mënyrë të rregullt, nuk është një opsion. Por, nuk duhet rrezikuar kurrsesi me sigurinë e shëndetit të konsumatorëve. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa për të qartësuar gjërat, por zgjedhja e bërë është shumë larg të qenit perfekt. Duke e shpallur CBD-në si një produkt të ri ushqimor më herët gjatë këtij viti, Bashkimi Evropian ka nisur një proces, në të cilin do të duhen vite për të arritur qartësimet e nevojshme dhe ky është një hap tejet i ngadaltë. Kanabidioli (CBD) duhet të vlerësohet imtësisht, të shtohet në regjistrin e ushqimeve të reja dhe vetëm më pas të mund të krijohen rregulloret e reja.

Këto rregullore nuk mund të aplikohen ndaj produkteve CBD në fusha të tjera, përtej ushqimeve dhe kozmetikës. Faktikisht, tregu i kanabidiolit është tejet i madh që në këtë fazë; ekzistojnë miliona përdorues dhe mijëra kompani që kanë nevojë për udhëheqje për qindra lloje produktesh aktualisht të disponueshme. Standardet dhe kornizat ligjore për CBD-të janë të nevojshme tani. E nëse do të duhet, një kornizë tranzitore në formën e rregullave provizore mund të ngrihet përkohësisht, derisa të sqarohet situata e përgjithshme e produkteve të kanabisit dhe të zbatohen ligje më gjithëpërfshirëse.

Në sistemin rregullator tranzitor nuk duhet nisur nga zeroja, pasi ekzistojnë ekspertë shkencorë të kësaj fushe. Ata kanë bërë kërkime dhe kanë përfunduar raste studimi me njerëz realë. Kemi disa shtete gjithashtu që e kanë legalizuar tërësisht kanabisin dhe sigurisht që ato kanë leksione për të ndarë, qofshin pozitive apo negative. Në Shtetet e Bashkuara, Autoriteti Federal për Drogat (FDA) ka shtuar përpjekjet për mbledhjen e informacionit mbi CBD-në nga shkencëtarë dhe profesionistë të tjerë të fushës, si dhe nga grupet e interesit. Ata kanë ngritur një grup pune në mënyrë që të planifikojnë me efektshmëri një rregullator për CBD-në në të ardhmen. Bashkimi Evropian duhet të hedhë hapat e veta në të njëjtin drejtim.

Rregullorja tranzitore nuk ka përse të jetë shumë e komplikuar. Fokusi i saj duhet të jetë qartësisht siguria e shëndetit të konsumatorëve. Boshllëqet kryesore për momentin lidhen kryesisht me mungesën e standardeve të cilësisë dhe të laboratorëve. Thjesht nuk ekziston një infrastrukturë e mundshme për të mbështetur kontrollet e cilësisë për këtë treg. Kjo është fusha kryesore ku qeveritë mund dhe duhet të jenë më proaktive. Rregullorja do të krijojë gjithashtu kërkesa për laboratorë. Këto mund të ngrihen pikësëpari përmes nismave të sektorit publik. Janë pikërisht këto laboratorë në rolin e palëve të treta që do të garantojnë sigurinë e konsumatorëve dhe certifikojnë cilësinë e produkteve.

Përgjegjësia më e madhe e qeverive duhet të jetë mbrojtja e konsumatorëve, duke kërkuar kontrolle të detyrueshme të këtyre produkteve për metale të rënda, myk apo lëndë të tjera kimike të papritura që mund të gjenden në produktet e kanabisit. Së dyti, laboratorët duhet të garantojnë që produktet të deklarojnë sasinë reale të CBD-së që ato përmbajnë. Tetrahidrokanabinoli (THC), një prej të paktën 113 kanabinoidëve të identifikuar deri më tani, duhet të matet me korrektësi për të garantuar që nuk e kalon maksimumin e ligjshëm.

Një tjetër hap që duhet ndërmarrë është përcaktimi i vetë standardeve të testimit. Ekzistojnë tri mënyra të ndryshme për testimin e kanabinoidëve dhe idealja do të ishte që të njëjtat standarde të përdoreshin anembanë Evropës.

Sa i përket paketimit, përmbajtjet e CBD-ve dhe THC-së duhet të jenë qartësisht të deklaruara, ndërkohë që është e qartë se THC-ja nuk duhet të kalojë 0.2 për qind të të gjithë produktit në Evropë. Gjithashtu, produktet CBD duhet të theksojnë nëse janë të një “spektri të plotë” apo janë prodhuar me kufizime. Një produkt i spektrit të plotë nënkupton përmbajtjen e substancave të tjera të gjetura në bimën e kanabisit, përfshi THC-në në një sasi të caktuar, apo kanabinoidë të tjerë që rrisin efektivitetin e CBD-së, ndryshe nga produktet e prodhuara me kufizime, që nënkuptojnë një formë të përqendruar pa praninë e kanabinoidëve të tjerë. Ky është një dallim i rëndësishëm.

Por, Bashkimi Evropian duhet të trajtojë edhe statusin e CBD-së si një industri e ligjshme. Për momentin, lojtarë që i janë futur industrisë së kanabidiolit e kanë të pamundur të krijojnë marka. Ata hasin pengesa në përpjekjet e tyre për të siguruar qasje në mjetet bazike financiare, si për shembull llogaritë bankare, kartat e kreditit apo huatë. Kompani që veprojnë në këtë industri nuk munden as të marrin pagesa “online”, siç ndodh me simotrat e tjera të tyre përmes rrjeteve “Paypal” apo “Stripe”, pasi këto të fundit refuzojnë të punojnë me përfaqësues të industrisë së kanabidiolit (CBD). Pavarësisht se nuk po bëjnë asgjë të paligjshme, markat e CBD-ve po diskriminohen kur vjen puna te promovimi i tyre përmes publiciteteve në mediet tradicionale, apo edhe në kanalet e medies digjitale. Por, kjo i pengon ato që të rrisin markat e tyre.

Të qenit markë është një funksion tejet i rëndësishëm, pasi duke u lidhur me tipare të ndryshme si cilësia apo çmimi, ato ndihmojnë konsumatorët të bëjnë zgjedhjet më të mira. Markat janë gjithashtu të domosdoshme edhe sa i përket garantimit të standardeve minimale të cilësisë. Përgjatë kohës, markat hulumtohen si nga konsumatorët, ashtu dhe nga mbikëqyrës të tregjeve, duke i bërë ato përgjegjëse për cilësinë e produkteve të tyre. Por, kjo gjë nuk po ndodh në industrinë evropiane të kanabidiolit, sot për sot. Për pasojë, konsumatorët shpesh mund të bien viktima të produkteve që rrezikojnë shëndetin e tyre.

Edhe tregu i kanabidiolit (CBD) duhet të rregullohet, jo thjesht për vetveten, sesa për mënyrën sesi trajtohen dhe prodhohen produktet e tyre. Duke parë zgjerimin eksponencial të tregut të CBD-së, autoritetet evropiane duhet të bëhen gjithnjë e më serioze në lidhje me kërcënimet potenciale të një industrie të një shkalle kaq të gjerë dhe të parregulluar. Evropa ka një reputacion të mirë sa i përket mbrojtjes së qytetarëve të saj, por kur vjen fjala te kanabisi, duket se ka mbetur pas. Pikërisht këtu duhet krijuar një mekanizëm që do të mundësojë kërkimin e standardeve minimale të cilësisë, e po ashtu markave, që do t’i drejtojnë siç duhet konsumatorët në zgjedhjet e tyre.

Shënim: Jonas Duclos është CEO dhe themelues i “JKB Research SA”, një kompani kanabisi me seli në Gjenevë të Zvicrës.