Pikëpamje

Llogaridhënia e gjyqësorit turk, një nevojë urgjente për demokracinë në Turqi

Përditësimi i fundit: 07/10/2019 - 10:47
Text size Aa Aa

Zgjedhja e Ekrem İmamoğlu si kryebashkiak i Stambollit në qershor, që u shoqërua me një diferencë të shtuar votash gjatë ripërsëritjes së zgjedhjeve, nënvizon vendosmërinë e patundur të popullit turk për të jetuar në një shtet tërësisht demokratik. Vendimi i diskutueshëm i Këshillit Suprem Zgjedhor (SEC) për të anuluar votimet e para është një tregues i gjendjes aktuale të demokracisë turke.

Fitorja e İmamoğlu ka forcuar mandatin e partive opozitare dhe mund t’i hapë rrugë një ndryshimi në qeverisjen e vendit. Gjithsesi, që demokracia e Turqisë të çlirohet nga kurthi i “demokracisë së mesme” dhe të ecë përpara drejt demokracisë së avancuar, siç është evidente edhe dëshira e popullit, duhet të sigurohet përgjegjësia dhe llogaridhënia brenda sistemit të drejtësisë.

Po, është e vërtetë që Turqia i ka ngritur institucionet bazë të një demokracie dhe po aq e vërtetë që pushteti ndryshohet përmes zgjedhjeve. Megjithatë, pavarësisht se Kushtetuta turke përcakton një ndarje të pushteteve dhe një gjyqësor të pavarur, një gjë e tillë nuk ekziston. Në realitet, ngritja dhe funksionimi i organeve të drejtësisë është i varur nga ekzekutivi, pasi anëtarët e Këshillit Gjyqësor zgjidhen nga autoritetet legjislative dhe ekzekutive.

Veç të qenit të varur, anëtarët dhe institucionet e drejtësisë kanë mungesa të theksuara të llogaridhënies dhe transparencës.

“Turqia duhet të garantojë se pavarësia e gjyqësorit do të respektohet dhe ruhet përgjithnjë. Si hap të parë, gjithsesi, të gjitha degët dhe elementet e sistemit gjyqësor duhet të japin llogari dhe të jenë transparentë në të gjitha aktet dhe vendimmarrjet e tyre.”

Vendimet administrative të Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Këshillit Suprem Zgjedhor, Gjykatës Supreme të Apelit dhe Këshillit të Shtetit janë imune ndaj rishikimit juridik, gjë që mund të shihet si diçka kundër parimeve të “republikës, sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit” të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, në vitin 1977. Është kundër parimeve bazike dhe fundamentale të Kushtetutës, që të mungojnë mjetet juridike ndaj këtyre institucioneve. Në realitet, përgjegjësia juridike e anëtarëve të këtyre gjykatave të larta i faturohet vendimeve diskrete dhe përfundimtare të vet institucioneve. Në këtë mënyrë, anëtarët e trupave gjyqësore mund të kenë imunitet të përjetshëm ndaj llogaridhënies dhe nuk mund të bëhen përgjegjës për shpërdorim detyre, apo për shkelje personale.

Papërgjegjshmëria dhe metodat jo transparente të gjyqësorit kanë krijuar një mjedis të pasur për lulëzimin e koalicioneve mes forcave të ndryshme politike dhe trupave gjyqësore. Pushteti gjyqësor, kësisoj, është bërë një instrument në duart e shtetit, ndërkohë që vazhdon të humbasë pavarësinë e tij.

Për pasojë, Turqia po përballet me një dilemë a një paradoks, nëse gjyqësori duhet të jetë i pavarur duke e kufizuar atë, sado e rëndë të jetë kjo, duke justifikuar kështu faktin që nuk është llogaridhënës. Kjo ka rezultuar në një kompromis të përgjegjësisë juridike në ekzekutivin shtetëror.

Tashmë në Turqi është e nevojshme mbikëqyrja juridike për të garantuar mirëfunksionimin e institucioneve publike, por kjo është e cunguar kryesisht për shkak të ineficencës. Në vend ekziston bindja se zyrtarët publikë duhet të japin llogari për veprimet e tyre, por vënia e tyre para përgjegjësisë lihet në duart e eprorëve të tyre, sepse drejtësia konsiderohet e pabesueshme. Për shembull, nëse një zyrtar i ekzekutivit do të kryente një krim, leja për ta hetuar atë duhet të jepet nga eprorët dhe më pas nga politikanët, të cilët edhe vet nuk japin llogari para gjyqësorit për shkeljet e Kushtetutës apo ligjeve të tjera. Pra, është një rreth vicioz.

Ndaj, në mënyrë që demokracia turke të përparojë, ngritja e llogaridhënies së sistemit të drejtësisë është e një rëndësie të pamohueshme. Një gjyqësor i papërgjegjshëm mund të degjenerojë shumë shpejt, të neglizhojë detyrat e veta, e rrjedhimisht të lejojë të bëhet një instrument në duart e ushtrisë, financave apo pushtetit lokal për abuzim.

Një gjë e tillë është bërë realitet në Turqi gjatë së shkuarës. Siç përcaktohej nga Kushtetuta e vitit 1982, gjyqësori ra nën ndikimin e grupeve të pushtetshme ushtarake që morën kontrollin e shtetit, dhe u përdor për të eliminuar komandantët apo gjeneralët laikë dhe të moderuar. Kontrolli i gjyqësorit ndërroi më pas duar, në favor të Organizatës së ashtuquajtur terroriste Gyleniste (FETÖ), e cila infiltroi radhët e tij për të burgosur pjesëtarë të Forcave të Armatosura turke me prova false apo të fabrikuara, si dhe me dëshmitarë të rremë. Më tej, kontrolli ushtarak mbi gjyqësorin mori fund për të kaluar nën kontrollin e pushtetarëve civilë.

Pas një beteje për pushtet me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe presidentin Recep Tayyip Erdogan, “FETO” tentoi një “grusht shteti juridik” në dhjetor të vitit 2013 duke organizuar me shpejtësi aktivitete juridike ndaj ministrave të kabinetit. Ata dështuan dhe për pasojë humbën kontrollin mbi sistemin e drejtësisë. Në korrik të vitit 2016, Turqia përjetoi një tjetër përpjekje për “grusht shteti” nga e njëjta organizatë dhe, prej atëherë, rreth 40 për qind e gjykatësve dhe prokurorëve janë shkarkuar nga postet për shkak të lidhjeve me “FETO”-n. Disa janë arratisur nga vendi, ndërsa të tjerë janë arrestuar. Të ikurit janë zëvendësuar me gjykatës dhe prokurorë të cilët konsiderohen besnikë të AKP-së në pushtet. Për këtë arsye, është i pakundërshtueshëm fakti që drejtësia aktualisht është nën ndikimin e ekzekutivit.

Referendumi i vitit 2017 për ndryshimet kushtetuese në Turqi dhe zgjedhjet e fundit lokale tërhoqën kritika të ashpra, duke shërbyer si një kujtesë e hidhur e ndikimit politik ndaj Këshillit Suprem Zgjedhor, që përbëhet nga pjesëtarë të Këshillit Shtetëror dhe Gjykatës së Kasacionit. Boshllëku i krijuar nga mungesa e kontrollit dhe ekuilibrave midis pushteteve ofron terrenin perfekt për ndikim politik dhe ndërhyrje në çështje joekzekutive. Është evidente se, një sistem i pakufizuar drejtësie mund të çojë në kufizimin e të drejtës së publikut për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Ai është gjithashtu shkaku kryesor i dështimit për të dhënë drejtësi dhe për të garantuar një drejtim të shëndetshëm dhe demokratik të institucioneve dhe entiteteve të tjera ligjore.

Për këtë arsye, që të garantojë sundimin e ligjit dhe të krijojë një sistem drejtësie të pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, Turqia mund ta ristrukturojë atë në përputhje të plotë me parimet fundamentale të përcaktuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të vitit 1985. Ajo duhet ta bëjë atë totalisht dhe vërtet të pavarur nga pushtetet ekzekutive apo legjislative, qoftë sa i takon përbërjes, por veçanërisht sa i takon funksioneve të tij për të penguar në të ardhmen të bëhet sërish objekt i luftës politike për pushtet.

Turqia duhet të garantojë se pavarësia e gjyqësorit do të respektohet dhe ruhet përgjithnjë. Si hap të parë, gjithsesi, të gjitha degët dhe elementet e sistemit gjyqësor duhet të japin llogari dhe të jenë transparentë në të gjitha aktet dhe vendimmarrjet e tyre.

Shënim: Mehmet Gün është bashkëthemelues i firmës ligjore turke “Gün + Partners”, me seli në Stamboll.