Pikëpamje

Rikthehet jeta studentore, në BE duhet folur troç për përdhunimin

Përditësimi i fundit: 07/10/2019 - 10:05
Text size Aa Aa

Nuk është aspak e lehtë të flasësh rreth përdhunimit, të futesh në detajet e tmerrshme të asaj çfarë ndodh, apo për traumën shkatërruese që akti në fjalë lë pas. Është aq e vështirë sa, qoftë si individë, ashtu dhe si shoqëri, ne shpesh i largohemi turpshëm kësaj teme të gjithë bashkërisht. Por, sado e vështirë që të jetë, ne duhet të flasim për përdhunimin.

Një studim i fundit i kryer në vendet e Bashkimit Evropian na tregon se një në 20 të reja të moshës mbi 15 vjeç ka rënë pre e përdhunimit, që do të thotë rreth 9 milionë të reja. Një studim britanik i vitit të kaluar zbuloi gjithashtu se një në 10 të reja janë shprehur se, janë bërë viktima të këtij akti gjatë kohës së studimeve universitare.

Duke qenë studente në universitet kam arritur të kuptoj se shumë të rinj nuk e kanë të qartë në mendjen e tyre se çfarë përbën përdhunim apo ngacmim seksual. Ka shumë gjëra të paqarta apo “zona gri” dhe, ndryshe nga krimet e tjera si vjedhja, agresioni apo mashtrimi, shumë prej nesh duken të paqartë se çfarë përkufizohet si përdhunim.

Por, pavarësisht këtij konfuzioni, përkufizimi aktual i përdhunimit duhet të jetë tejet i hapur dhe i drejtpërdrejtë, që do të thotë se përdhunim njihet çdo rast kur një person penetron në vendet intime të dikujt tjetër pa miratimin e këtij të fundit. E thënë më thjesht, akti seksual bëhet i paligjshëm kur kryhet pa miratimin e personit tjetër.

Gjithsesi, edhe pse përkufizimi ligjor i përdhunimit në standardet ndërkombëtare është i qartë dhe pa nënkuptime, duket se ende nuk njihet plotësisht nga shoqëria. Kërkimet kanë zbuluar gjithashtu se, më shumë se një në 4 persona në Bashkimin Evropian besojnë se ndërveprimi seksual pa miratimin e tjetrit mund të justifikohet në disa rrethana të caktuara, si për shembull kur viktima është e dehur apo nën ndikimin e lëndëve narkotike, shkon vullnetarisht në shtëpinë e dikujt tjetër, mban një veshje provokuese që e ekspozon më shumë sesa e mbulon, apo kur nuk thotë një “Jo” të qartë dhe nuk kundërshton.

Këto gjetje shqetësuese, ndoshta nuk janë edhe aq surprizuese nëse shqyrtojmë faktin se, vetëm 9 vende në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA) njohin zyrtarisht seksin pa miratimin e tjetrit si përdhunim. Ligjet në disa vende të tjera të BE-së fokusohen më së shumti te rezistenca apo dhuna, në vend të mosdhënies së miratimit. Nga ana tjetër, supozimi se viktima ka dhënë miratimin në momentin që nuk reziston fizikisht është thellësisht problematik, duke qenë se “paraliza e pavullnetshme” apo “ngrirja” e dikujt njihet nga ekspertët si një përgjigje tejet e zakonshme fiziologjike dhe psikologjike përpara një ngacmimi seksual.

Përkufizimet me të meta apo të papërditësuara të përdhunimit përforcojnë një kulturë të rrezikshme të fajësimit të viktimës anembanë kontinentit të vjetër. Frika e të rejave se mund të mos jenë të besueshme është konfirmuar për të disatën herë, teksa kemi parë se të mbijetuara kurajoze që kërkojnë drejtësi kanë dështuar për shkak të përkufizimeve me të meta apo të papërditësuara të përdhunimit në ligjet e një vendi.

Megjithatë, përkufizimet nuk mjaftojnë. Ndërkohë që ligji në Britani mund të jetë mëse i qartë, se seksi duhet të jetë konsensual, një gjë e tillë nuk përkthehet njësoj në jetën e përditshme. Popullarizimi i kulturës “maskiliste” në universitetet britanike, që promovojnë burrërinë dhe lëvdojnë nënshtrimin seksual, përforcon idenë se studentët meshkuj duhet të kenë qasje te trupat e femrave për kënaqësinë e tyre.

Kjo, së bashku me mentalitetin “djemtë do të mbeten gjithnjë djem”, deformojnë seksin në mbrojtje të burrave, që kryhet prej burrave ndaj grave, pa pasur parasysh kënaqësinë seksuale të femrave apo mirëqenien e tyre. Kjo kulturë helmuese, që inkurajon të rinjtë t’i shohin të rejat si objekte seksuale pasive, duhet të adresohet medoemos.

Shumë njerëz besojnë se përdhunimi ndodh vetëm kur një person shihet duke vuajtur dhe thotë vazhdimisht “Jo”, por nuk është ky rasti. Nëse nuk ka pëlqim konsensual, atëherë kemi të bëjmë me përdhunim, edhe nëse viktima qëndron e heshtur dhe nuk bën rezistencë.

“Pikërisht për këtë arsye, fushata “Le të flasim për Po-në” e nisur nga “Amnesty International” është kaq shumë e domosdoshme në ditët e sotme. Fushata në fjalë fokusohet te rëndësia e miratimit dhe në faktin që mund të jepet vazhdimisht, e jo të presupozohet përmes pasivitetit të dikujt”.

E rëndësishme është gjithashtu të kuptohet se konsensusi nuk është thjesht mosthënia e një “Jo”-je, por ka të bëjë me fuqinë për të thënë “Po”. Për më tepër është aftësia për të ndryshuar mendimin, pasi miratimi në këtë rast është një proces në vazhdim dhe jo thjesht një deklaratë momentale.

Miratimi është gjithashtu fuqizim, pasi i jep kujtdo fuqinë për të përdorur trupin e tij, për t’u përfshirë me vullnet në akte seksuale, apo për t’u ndalur përpara se të ndihet i parehatshëm. Çdo akt seksual që shkon kundër këtyre parimeve është i paligjshëm dhe njohja e kësaj është tejet e rëndësishme.

Pikërisht për këtë arsye, fushata “Le të flasim për Po-në” e nisur nga “Amnesty International” është kaq shumë e domosdoshme në ditët e sotme. Fushata në fjalë fokusohet te rëndësia e miratimit dhe në faktin që mund të jepet vazhdimisht, e jo të presupozohet përmes pasivitetit të dikujt. Kjo fushatë ka të bëjë me rivendosjen e të drejtës sonë për të bërë vetëm atë çfarë duam ne, në dhomën e fjetjes apo kudo tjetër, duke ditur se dhënia në mënyrë aktive e miratimit ka një peshë të madhe ligjore.

Miratimi është diçka tejet e fuqishme, por ne kemi nevojë të dimë qartësisht sesi funksionon, në mënyrë që të mund ta përdorim atë për t’u ndierë të sigurt dhe të lumtur. Ndërkohë që viti i ri akademik pritet të fillojë së shpejti dhe të rinj e të reja do të mblidhen në salla dhe kampuse anembanë kontinentit, bëhet gjithnjë e më jetike të dihet se këto hapësira janë të sigurta për ta, për të mësuar dhe dashuruar.

Le të mos ngurrojmë, e aq më pak të kemi frikë, të flasim për përdhunimin dhe kuptimin real të miratimit.

Shënim: Cara Balen është studente dhe anëtare e “Amnesty International”