Pikëpamje

Skocia e pavarur nuk është gati për BE-në. Më parë i duhet një kushtetutë

Përditësimi i fundit: 05/02/2020 - 18:37
Text size Aa Aa

Partia Kombëtare e Skocisë (SNP), arriti rezultate shumë të mira në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 2019, dhe tani i duket më e natyrshme që të këmbëngulë me kërkesën për pavarësi, në mënyrë që Skocia “të mos tërhiqet jashtë BE-së në planin afatgjatë”, duke filluar me një referendum të dytë.

Kjo nuk është ide irracionale, veçanërisht pas paaftësisë që tregoi qeveria në Londër, në tre vitet e fundit, në lidhje me Brexit-in. Paaftësi që vetëm sa shtoi në mënyrë të natyrshme arsyetimet për të qenë pjesë e BE-së.  

Megjithatë, duhet pasur parasysh se lëvizjet për pavarësi nga partitë nacionaliste kanë gjithnjë si synim të marrin pushtet për vete, në një rajon që duan ta shkëpusin nga pushteti qendror: si në Katalonjë, Skoci, apo dhe vetë lëvizja e Brexit kundër Brukselit.

Me “për vete” e kam fjalën për klasën politike, jo për popullin, i cili mund të gënjehet nga referendumet populiste dhe të ligjërojë një regjim edhe më kontrollues, edhe më pak demokratik, që thjesht nuk do të ketë ndërhyrjen ligjore ose politike të një pushteti qendror, që në fakt do të kishte ofruar ekuilibra kushtetuese që do të shërbenin për të sjellë para përgjegjësisë qeverinë kombëtare ose rajonale.

Konservatorët pro Brexit-it janë një shembull i mirë i kësaj strategjie, që mund të përdoret edhe nga vetë SNP. Pse duhet të mbështesë anëtarësimin në BE një parti nacionaliste, kur BE-ja është krijuar pikërisht për të shmangur nacionalizmin? Të paktën SNP-ja nuk po bën përgatitje për të përmirësuar një ekonomi të pavarur, dhe as nuk po forcon marrëdhëniet politike me vende më të vogla të BE-së, si Danimarka, Holanda apo Austria.

Ende nuk jam i bindur që SNP-ja do të drejtojë me të vërtetë një Skoci të re e të pavarur në Bashkimin Europian.  SNP-ja e përdor anëtarësimin në BE si argument bindës vetëm që ta arrijë më lehtë pavarësinë. Më pas ndoshta do të fajësojë BE-në se ka refuzuar t’i pranojë, edhe pse kjo në të vërtetë nuk ka qenë aspak shqetësim për ta. Gjithsesi,

[
cite_header=BE-ja bën gabim po të mbështesë anëtarësimin e një Skocie të pavarur (ndoshta nëpërmjet Zonës Ekonomike të Europës) nëse situata aktuale me Kushtetutën nuk ndryshon por në fakt SNP-ja nuk duket se ka bërë shumë në këtë drejtim.
cite_author=Andreas Rahmatian
cite_description=Pedagog, Universiteti i Glasgout
]

Për mua, si një akademik juridiku me origjinë nga kontinenti europian, i mësuar me një traditë të gjatë kushtetuese, është e habitshme të shoh se si as SNP-ja, e as partitë e tjera politike, nuk po shfaqin interes për të hartuar një kushtetutë për një Skoci të pavarur, që mund të shërbejë në fillim edhe si kushtetutë rajonale, (siç ndodh në vendet me sistem federal). Dhe nëse arrihet pavarësia, mund të shërbejë si kushtetutë kombëtare, të paktën për një periudhë të përkohshme. Kushtetuta me siguri do i priste krahët fuqive të tepruara të partive politike. Prandaj, te “Letra e Bardhë” e publikuar në vitin 2014, SNP-ja ka shfaqur interes shumë të vakët  për të sjellë ndryshime kushtetuese pas pavarësisë, dhe nuk ka shfaqur fare interes për të hartuar një dokument të saktë nga ana ligjore.

Si rrjedhojë, një Skoci e pavarur, pas vitit 2014, mund të ishte bërë një monarki absolute, (pasi parashikohej edhe ruajtja e monarkisë),  pa pasur kushtetutë për një kohë të papërcaktuar, dhe do të vazhdonte me pushtetin e paprekur të partisë në fuqi, SNP-së, e cila do të ishte qeveri ekzekutive, e bazuar në pushtetin e garantuar nga Kurora.  

Gjithashtu mund të ngrihet pyetja nëse është normale që një shtet i ri, në shekullin e 21-të, të nisë si monarki, e nëse ndodh, cila do të ishte familja mbretërore e Skocisë në të ardhmen? Sidoqoftë, fuqitë e Kurorës duhet të përcaktohen dhe të kontrollohen nga një kushtetutë e shkruar, e cila duhet të heqë menjëherë fuqitë e prapambetura dhe jashtë-kushtetuese të Kurorës. 

Kushtetuta skoceze duhet të garantojë rregulla edhe për anglezët që jetojnë në Skoci, të cilët janë nënshtetas skocezë nga ana ligjore dhe në të kundërt, ajo çka ata ndihen nuk duhet të ketë të bëjë me ligjin. Kjo duhet të vlejë për të gjitha pakicat, qofshin ato etnike apo jo. Duhet të ketë të drejta njeriu të garantuara për individin, si dhe të drejta shoqërore. Po ashtu duhet të ketë kontroll të imponuar nga kushtetuta ndaj proceseve të ligjvënies dhe akteve të ndryshme të vendosura nga qeveria ekzekutive, e cila duhet të përgjigjen para një gjykate kushtetuese (ndoshta në Glasgou, që të mos përqendrohen të gjitha autoritetet në Edinburg).

Duhet të ekzistojë një sistem fiskal dhe një bankë qendrore skoceze, si dhe një plan për ta ndarë  borxhin publik midis shtetit të ri dhe pjesës që do të mbetet nga Mbretëria e Bashkuar pas ndarjes. Gjithashtu duhet marrë një vendim nëse Skocia do të ketë përqendrim të pushtetit apo një sistem federalist, dhe se çfarë  kompetencat do të ketë rajoni si dhe si do të ushtrohen ato. Këto, dhe shumë më tepër, duhet të rregullohen me ligje në kushtetutë, që është dokumenti themelor i një shteti.

Nuk mund të ketë shtet modern pa kushtetutë. Kjo nuk është diçka me të cilën shtyjnë kohën juristët. Shteti është në radhë të parë një institucion ligjor. Kushtetuta duhet të hartohet dhe të bëhet publike shumë kohë përpara referendumit, përndryshe nuk do të kenë për çfarë të vendosin. Pyetja “a duhet të jetë Skocia e pavarur”, te referendumi i ri, do të ishte e pavlefshme dhe boshe. Dhe gjatë fushatës së referendumit, ky boshllëk do të mbushej nga racizmi, nacionalizmi dhe premtimet boshe, njësoj siç po ndodh me lëvizjet populiste nëpër Europë. Mungesa e masave kushtetues në Skoci është receta për krijimin e një shteti të dështuar dhe për një luftë civile në të ardhmen.

Kohët e fundit, BE-ja ka refuzuar dy vende që kërkonin anëtarësim, dhe të dyja kanë kushtetuta funksionale. BE-ja do të tregohej pa mend po të merrte parasysh anëtarësimin e Skocisë pa pasur një kushtetutë moderne, por vetëm një nacionalizëm të rreptë në vend të saj (a thua se BE-ja nuk ka mjaftueshëm nacionalizëm), sidomos tani që BE-ja hoqi qafe Britaninë, e cila ia krijonte telashet nga brenda. Nga ana ekonomike, me një popullsi më të vogël se Parisi, Skocia nuk është aspak jetike për BE-në, dhe si e tillë nuk do të kishte luksin që të tregohej e vështirë nga ana politike.

[
cite_header= BE-ja do të tregohej pa mend po të merrte parasysh anëtarësimin e Skocisë pa pasur një kushtetutë moderne por vetëm një nacionalizëm të rreptë në vend të saj (a thua se BE-ja nuk ka mjaftueshëm nacionalizëm) sidomos tani që BE-ja hoqi qafe Britaninë e cila ia krijonte telashet nga brenda.
cite_author=Andreas Rahmatian
cite_description=Pedagog, Universiteti i Glasgout
]

Fatkeqësisht, as midis akademikëve skocezë nuk duket se ka dëshirë për të organizuar debate të rëndësishme në lidhje me Kushtetutën. Kjo ndodh kryesisht sepse juristët kushtetues në Skoci janë të trajnuar si britanikë, të cilët besojnë se Britania e ka një kushtetutë të shkruar dhe nuk ka nevojë për një të dytë, një ide që duhej të ishte  mbyllur që me ngjarjen e Brexit. Këtë e konfirmon dhe ligji i BE-së për Marrëveshjen e Tërheqjes, që sapo u votua në parlamentin britanik.  Ky ligj përmban shumë pushtete që i delegohen qeverisë, vetëm sepse mungon një kushtetutë e mirëfilltë.

Nga përvoja për rreth 20 vite si akademik juridiku në Skoci, kam vënë re se juristët akademikë skocezë nuk kanë interes të diskutojnë komentet apo paralajmërimet e dhëna nga juristët që vijnë nga jashtë. Për këtë arsye, nuk ekziston një studim i sistemeve kushtetuese të huaja, të cilat nuk janë britanike apo skoceze. Nuk është studiuar as kushtetuta e SHBA-ve, e cila është në anglisht. Akademikët skocezë nuk kanë interes dhe as ekspertizë për të hartuar një kushtetutë të re për Skocinë.

Nuk është diçka e pazakontë që specialistët akademikë të mos konsultohen për procesin e hartimit të kushtetutës. Kur u bë kushtetuta e SHBA-ve, nuk kishte shumë specialistë kushtetues. Hartuesit e Ligjit Bazë të Gjermanisë në vitin 1949 nuk u bazuan shumë te studimet e ofruara nga akademikët, kryesisht për shkak të rolit që kishin luajtur ata gjatë regjimit nazist. Do të jetë e pashmangshme që skica e parë e kushtetutës skoceze të vijë nga ekspertë të tjerë europianë, ose nga Amerika e Veriut, të cilët do të kenë përvojën dhe ekspertizën e duhur.

Gjithashtu, kushtetuta nuk duhet të hartohet vetëm nga specialistë studiues akademikë, por nga juristë të  gjithanshëm. Kushtetuta, sado që është shumë teknike, duhet të jetë tepër praktike, përndryshe nuk do të funksionojë. Dhe duhet të jetë popullore pa qenë populiste, ndaj përfshirja e shoqërisë civile është shumë e rëndësishme. Një kushtetutë funksionale duhet të jetë e shkruar në anglishte të pastër e të qartë, ndryshe nga Akti i Skocisë i vitit 1998, që nuk mund të quhet dokument kushtetues as nga thelbi, as nga stili.

Hyrja e një Skocie të pavarur në BE kërkon që Skocia të jetë një vend europian modern nga pikëpamja kushtetuese, që të ndjekë linjën e “acquis communautaire” të BE-së gjatë negociatave të anëtarësimit. Ata që duan një tjetër referendum pavarësie, dhe ata që do ta votojnë, duhet ta kenë parasysh këtë.

Andreas Rahmatian është profesor juridiku te Universiteti i Glasgout, në Skoci