Pikëpamje

Erion Braçe: Për legjitimimin me dhunë të një sistemi drejtësie me prokurorë e gjykatës të politikanëve, edhe një herë më shumë!

Përditësimi i fundit: 27/02/2020 - 12:42
Text size Aa Aa

Si socialist, për 2 marsin, Fatos Lubonjën, legjitimimin me dhunë të një sistemi drejtësie me prokurorë e gjykatës të politikanëve, edhe një herë më shumë!

Po, po, Fatos Lubonja është në foto, “armiku”! I ka adresuar një thirrje socialistëve për “Lëvizjen e Ilir Metës” dhe, meqë të qenit socialist është zgjedhje e lirë, unë jam një i tillë, po them ca fjalë.

Fatos Lubonjën e kam lexuar nisur nga një lloj idealizmi që has aty këtu, por kurrë për burimet e tij të informimit, te njëanshme, të qëllimta të tilla,  nga burojnë dhe “përfundimet” e tij.

Edhe kjo është një zgjedhje e lirë,  kështu e njëanshme dhe, kurrë e vërtetë absolute.

Socialistëve sot, u qaset me qëndrimin e tij të qartë kundër Reformës së Drejtësisë dhe, me një pyetje po aq të qartë, “A ka të drejtë Presidenti apo jo?” Unë kam përgjigje për të dyja, si socialist patjetër!

E para, Reforma e Drejtësisë është akti  më i drejtë që Partia Socialiste ka ndërmarrë, votuar e çuar përpara,  në të gjithë historinë e saj.

Ky vend nuk ka pasur drejtësi në këto 30 vite! E sfidoj Fatos Lubonjën të më tregojë një akt të vetëm drejtësie të drejtësisë në këto 30 vite!

Një të vetëm, edhe kur PS ka qene në opozitë, edhe kur PS ka qenë në pushtet. NUK KA!

Përkundrazi, unë listoj akte të rënda padrejtësie që kanë tronditur themelet e shtetit të së drejtës në këtë vend:

U vranë 26 punëtorë të pafaj, mes tyre gra e fëmijë në Gërdec dhe askush nga vendimmarrësit politikë e kopilët e tyre nuk u hetua, gjykua apo dënua për atë krim të përbindshëm.

U vra dëshmitari kyç i lidhjeve të vendimmarrësve politikë me atë krim dhe, as u hetua, gjykua e dënua kush.

U pushkatuan 4 njerëz të pafaj, të paarmatosur dhe paqësorë në mes të bulevardit dhe, askush nga urdhërdhënësit politikë e ushtarakë as u hetua, gjykua e dënua siç e meriton një krim i përbindshëm siç është pushkatimi pa gjyq.

Janë tre ngjarje që rrëzuan përfundimisht Drejtësinë e Vjetër, tre kulme në një diagramë të gjatë ku regjistrohej pulsi korruptiv i një sistemi politik, partiak, klientelist, koorporativ i keq-ndërtuar me prokurorë e gjykatës të improvizuar në një shkollë politike 6 mujore, që donin të ishin edhe të tillë-prokurorë e gjykatës, edhe partiakë, edhe të tillë-prokurorë e gjykatës, edhe biznesmenë (besoj nuk i del zot këtij rastit të fundit).

Ky sistem instaloi pabarazinë para drejtësisë ne këtë vend. Ky sistem prodhoi të paprekshëm mes politikes, biznesit e krimit dhe si kompensim, të prekshëm lehtësisht mes njerëzve te zakonshëm.

Ky sistem ktheu drejtësinë në një korporatë biznesi që prodhonte e shiste vendime me tarifa të mirëpërcaktuara, unike, të paligjshme natyrisht,  gjithnjë në kurriz të njerëzve të zakonshëmë

Vetëm tani nga Reforma në Drejtësi, të gjithë po kuptojnë përmasën e kësaj koorporate dhe xhiron e saj të biznesit. Vetëm pasuria e paluajtshme është tej çdo imagjinate. Fatos Lubonja i bën thirrje kësaj kategorie të rezistojë.

Unë i bëj thirrje çdo funksionari të ndershëm ende në drejtësi- ka prej tyre që kalojnë me nder e dinjitet Vetingun, çdo funksionari në organet e Vetingut, t’i rezistojë këtij presioni kundër reformës edhe si ideologji e mbështetur tek sovranizmi, edhe si hall pas rrëzimit të sistemit të vjetër ku politikani, biznesmeni e krimineli kishte prokurorin e gjykatësin e tij, veç avokatit.

Sistemi i ri që po ngrihet mundimshëm, duhet të kthejë drejtësinë e barabartë për të gjithë, t’i japë fund pabarazisë para ligjit, të vrasë pandëshkueshmërinë në politikë, biznes, krim.

Pra, tek Reforma në Drejtësi, ndahemi!

Reforma në Drejtësi u sanksionua në Kushtetutë. Reforma ne Drejtësi u detajua në një seri ligjesh të ekzaminuara ndërkombëtarisht. Reforma ne drejtësi ka dy shtylla jetike: Njëra, pastrimi i sistemit nga prokurorët e gjyqtarët me lidhje të qartë varësie nga politika, korrupsioni e krimi.

Tjetra, çlirimi i procesit të emërimeve në Drejtësinë e Re nga politikanët - Presidenti, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kuvendi, Qeveria, partia politike e qeverisë dhe partitë politike të opozitës. Ka vendosur mekanizma zhbllokues kur secili prej tyre kërkon prokurorin e gjykatësin e tij me pahir. Presidenti i Republikës nuk e pranon këtë dhe kjo është antikushtetuese.

Shqip si përgjigje për pyetjen tende: NUK KA TË DREJTË!

Kryetari real i PD nuk e pranon këtë, madje e thotë qarte se gjyqtari në kushtetuese i takon opozitës. Ky dihet, është i njëjti! Pra të dy refuzojnë thelbin e Kushtetutës së vitit 2016-të në këtë aspekt.

Komisioni Evropian, një nga monitoruesit Reformës së Drejtësisë, e dalloi qartë dhe i bëri thirrje presidentit dhe kujtdo të pranojë e të zbatojë ndryshimet në Kushtetutë.

Pra presidenti dhe kryetari real i PD, nuk duan drejtësi të pavarur, ndërtuar nga institucionet e reja të drejtësisë, por një drejtësi të ndare edhe një here mes politikes, prokurorë e gjyqtare të qeverisë dhe opozitës!

A e kuptoni që këtë duan?! A e dini se e gjithë çfarë po ndodh, përfshi “Lëvizjen e Ilir Metës, siç e shquan Lubonja 2 Marsin, ndodh e tillë për një gjykatëse kushtetuese me lidhje të qartë varësie me politikën, Partinë Demokratike, me lidhje të qartë varësie me sistemin e vjetër dhe përgjegjësi direkte për degradimin e tij si me sipër?

Mendojeni pak. Po sikur Partia Socialiste të kishte emëruar gjyqtarë në gjykatën Kushtetuese gruan e një sekretari të saj, partisë, a nuk do na digjnin këta të gjalle?!

Po si mund të legjitimohen disa shkelje flagrante bashkë, të Kushtetutës e ligjeve-shkelja e afateve, shkelja e rregullit të zgjedhjes mes tre të parëve gjykatës, shkelja e mospranimit të mekanizmit zhbllokues?

MBI TË GJITHA SHKELJA E EMËRIMIT TË NJE GJYTARI ME LIDHJE të QARTE VARËSIE POLITIKE E PARTIAKE?!

A e dini që 2 Marsi është thirrur për të legjitimuar me dhunë këtë praktikë antikushtetuese?

Njerëzit e zakonshëm pyes: Do pranoni ju të ktheheni tek gjykatësit e partisë, edhe të PS po të doni, përsëri e përsëri?

Ai sistem dështoi. Sistemi me prokurorë e gjykatës partie, politikanësh e bëri këtë vend tërësisht të pabarabartë para ligjit, mbaroi e nuk do kthehet më!

Nëse ndodh, ky është deformimi më i rëndë i Reformës së Drejtësisë, për këtë duhet të dalin njerëzit në rrugë.

JO PËR GRUAN E SEKRETARIT TË PARTISË!

Partia nuk jep dot drejtësi, kurrkund. As këtu, u provua! Presidenti, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, qeveria, kuvendi, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe cilado tjetër, i kanë punët e tyre të shkruara, le të merren me to, kurrë më me caktimin e gjyqtarëve për vete e njerëzit e zakonshëm.

Fatos, do jetë më mirë kështu!

 

SHËNIM: Mendimet e shprehura në rubrikën Pikëpamje i përkasin vetëm autorit dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me ato të Euronews Albania.