Pikëpamje

Erion Braçe: Për 1 Maj, duhet të ndryshojmë punën dhe rishpërndarjen!

Përditësimi i fundit: 01/05/2020 - 19:46
Text size Aa Aa

Ky është kantieri i Presidentit a Kryetarit të Dhomës së Tregtisë e Industrisë në Tiranë, ndërtues i madh ku prej orës 07:10 deri në 17 e pak, punëtorët e tij punuan sot më 1 Maj.

Nuk kam asgjë me të si kapitalist dhe kapitalin e tij/e tyre, kapelën s’ua heq, por s’kam gjë me ta, fare; por për të dhe 20 të tjerët si ai - presidentë apo kryetarë shoqatash pronarësh, jo punëtorësh, dua të kujtoj:

Punëtorët që kishit sot në punë, duhet t’i paguani 25% më shumë dhe t’u jepni pushim aq orë sa punuan sot!

Është Kodi i Punës që sanksionon kështu, pra nuk është agresiviteti i imi. E di që nuk e keni lexuar por besoj që keni dëgjuar rreth tij.

Natyrisht ky 1 Maj është ndryshe, më shumë punë e respekt për shërbyesit publikë-mjekë, infermierë, epidemiologë, farmacistë, sanitare, policë, ushtarakë, postierë, mësues, shoferë, pastrues etj, etj.

Më shumë punë e respekt për shitëset, shoferët, arkëtarë, kudo në supermarkete e banka, punëtorët në kantieret e rihapura të ndërtimit në punë publike e vepra private, fabrika, sera, ferma në fushë të hapur e ferma blegtorale etj, etj.

Betejë për të ruajtur vendin e punës kudo, më të gjitha të drejtat që burojnë nga puna e ligjshme, vënë në rrezik nga tkurrja e fortë e ekonomisë, efektet e se cilës sapo kanë nisur.

Kriza e fortë e pandemisë nxori në pah se, shtetin, funksionet bazë të tij, shërbimet për qytetarin, pavarësisht transferimit masiv tek privati, e mbajnë punëtorët.

Qytetarët, madje dhe privatët që deri në pandemi dukeshin të mëdhenj, të fuqishëm, ndikues, thërritën shtetin në ndihmë, për mbrojtje, shërbim, para!

Por, mbi të gjitha, këto 50 ditë kërkojnë prej nesh shumë ndryshim; të ndryshojmë punën, ta bëjmë punën të ligjshme, të gjithë, puna e zezë, e detyrueshme e tillë është krim, jo vetëm fiskal.

Ta mbrojmë punën me një kontratë publike, individuale e kolektive të mbështetur fort tek Kodi i Punës me të gjitha të drejtat e garancitë gjatë punës deri në fund të saj, duke nisur nga garancitë shëndetësore e përfunduar me ato gjyqësore në gjykata civile të hapura, funksionale, efikase, të drejta e të barabarta, ku gjen drejtësi edhe punëtori.

Ta çmojmë e paguajmë punën drejt, në një treg funksional pune ku nuk fiton veç një palë, pronarët, por ku gjejnë mbrojtje nga dyshemeja, paga minimale e rritur, e çmohen nga rregullat e tregut të ligjshëm, jo të zi edhe punëtorët.

Gjatë debatit të kësaj jave për kushtet mizerabël në disa fasoneri, ndërhyrësit me pronësi në to, ku ju përmenda pagën e nënçmuese 26 mijë lekë, me përgjigjeshin: I paguajmë punëtorët me pagën që ka caktuar shteti!

Abuzim më të madh se ky nuk ka! Shteti nuk cakton paga punëtorësh në sektorin privat! Shteti ka vendosur nivelin e pagës minimale për të mbrojtur punëtorët nga abuzimi ekstrem; tregu cakton pagën, çmon punën e puna me norma të larta në atë sektor nuk vlen kurrë 26 mijë lekë. Mungesa e një sistemi mbrojtës në atë sektor, shtyp punëtorët duke i futur nën dysheme!

Të çmojmë e paguajmë realisht punën e grave, pse jo edhe mbi atë të burrave kur tregu çmon kështu, t’i japim fund diskriminimit që mbështetet fort tek dobësia e imponuar e gruas, nevoja për të ardhurat e shtëpisë që mbahet prej saj.

Të shkurtojmë orët e punës për të bërë tri gjëra njëherësh; investuar për të rritur produktivitetin, lejuar e kthyer në domosdoshmëri punën nga shtëpia, veçanërisht për gratë që kanë përgjegjësi për fëmijët, vajzat që duan të ndjekin edhe më tej edukimin. Kursejmë e ripërdorim në funksion të investimit për produktivitetin shpenzimet operative.

Padyshim, kriza e nxitur nga pandemia do të thellojë pabarazinë dhe punëtorët, ata që kanë dhe mbajnë një punë, por më shumë ata që do e humbin atë, do goditen edhe më nga pabarazia.

Dëgjova dje si zgjidhje rishpërndarjen mes atyre që thjesht paguhen, marrin rroga në shtet dhe atyre që të goditur nga kriza e pandemisë marrin pagesë lufte po nga shteti.

Më ndjeni po kjo nuk është rishpërndarje! Nuk ka rishpërndarje mes atyre që thjesht paguhen, punëtorëve. Rishpërndarje duhet të ketë mes kapitalit dhe punës, pra mes atyre që fitojnë dhe atyre që paguhen.

Në një sistem progresiv që taton të gjitha të ardhurat bashkë, ato nga kapitali, fitimet, dividentët, aksionet, depozitat, qiratë, në fund edhe nga puna!

Tatimi progresiv vetëm mbi të ardhurat nga puna, mbajtur jashtë progresivitetit fitimet, madje me favore fiskale për dividentët etj., nuk ngushton pabarazinë. Norma e fitimit nga kapitali gjithnjë do të jetë disa fish më e madhe se të ardhurat e fituara nga puna.

Ju dukem agresiv tani? Nuk kam asgjë me kapitalin, dua thjesht të çmoj realisht punën, punëtorët e të tatohet drejt! Të jesh i drejtë nuk është krim!

Tregime të lidhura