Pikëpamje

Metodologjia e re e Zgjerimit të Bashkimit Europian-ndikimet në procesin e integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Përditësimi i fundit: 04/05/2020 - 16:23
Text size Aa Aa

Ballkani Perëndimor është një term politik që i referohet vendeve të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Integrimi Europian i këtij rajoni në veçanti luan një rol shumë të rëndësishëm si në politikën e brendshme, ashtu edhe në orientimin e politikës së jashtme të vendeve. Që nga rënia e Perdes së Hekurt dhe shpërbërja e Jugosllavisë, vendet kanë ndjekur rrugën e Integrimit në BE. Samiti i Selanikut në 2003 vendosi për herë të parë perspektivën dhe angazhimin e qartë të BE-së drejt zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, që nga fillimi i vetë procesit të zgjerimit, ai është ndryshuar gradualisht për shkak të çështjeve të brendshme të BE-së dhe sfidave me të cilat vet unioni është ndeshur, sikurse janë mësimet nga zgjerime të mëparshme, kriza ekonomike të vitit 2008, Brexit, kriza e refugjatëve që nga viti 2014 dhe së fundmi pandemia COVID- 19.  Pas 30 vitesh aspirata për integrimin europian, vetë procesi ka pësuar disa ndryshime. ‘Mësimet e marra’ nga zgjerimet e mëparshme si ai i Bullgarisë dhe Rumanisë, aplikohen në vendet e rajonit, duke rritur numrin e kërkesave ndaj tyre.

Së fundmi, Bashkimi Evropian ka publikuar Metodologjinë e re të Zgjerimit si një formë konsensuale midis propozimit francez pas vetos në Tetor 2019 dhe propozimit të grupit të anëtarëve pro zgjerimit.  Kjo metodologji e re e zgjerimit u botua gjatë 100 ditëve të para të Komisionit Europian të kryesuar nga Ursula Von der Leyer. Metodologjia propozon një proces të veçantë të zgjerimit që përmban kushte të aplikueshme vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi do të vazhdojnë negociatat e tyre të pranimit në "mënyrën klasike".

Për ta shpjeguar, deri më tani çdo hapje kapitujsh (në total 35 kapituj) është bërë në mënyrë paralele dhe hapja apo e mbyllja e njërit kapitull, nuk ndikonte në hapjen apo mbylljen e kapitujve paralele, nga çdo ministri linje. Ndryshe nga kjo rrugë e deritanishme, metodologjia e re rigrupon të 35 kapitujt në 8 grupe tematike (clusters). Plotësimi i kapitujve të të njëjtit grup, i hap rrugën çeljes së kapitujve të grupit të radhës, pra duke ndjekur një logjikë të njëpasnjëshme dhe jo paralele.  Grupi i kapitujve që do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit është ai i parimeve themelore, i cili përbëhet nga kapitujt 23, 24, 5, 18, 31 ku përfshihen dhe çështjet e gjyqësorit dhe funksionimi i dëmokracisë. Pra, shihet qartazi fokusi në nevojën për përmirësim dhe funksionim të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të konsideruara parakushte themelore për hapjen e kapitujve lidhur me aspektet ekonomike dhe teknike. Ky element thekson aspektin politik të zgjerimit dhe nevojën për funksionim të Shtetit të së Drejtës.

Kjo është rruga që do të ndjeki Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjatë negociatave, kurse Serbia dhe Mali i Zi do të vijojnë në mënyrën klasike. Ndër të tjera, Shqipërisë i janë paracaktuar 15 parakushte të tjera për të përmbushur para fillimit praktik të negociatave. Në këtë mënyrë, balancat gjeopolike në rajon lidhur me influencën dhe integrimin europian mund të ndryshojnë në një të ardhme, nësë Shqipëria nuk zotohet të përmbushë këto kushte. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut në një skenar të ngjashëm me situatën aktuale mund të anëtarësohen më parë se Shqipëria.

Në të gjitha komunikimet zyrtare të Komisionit Europian, fjala kryesore është "besueshmëria" (credibility). Në këtë kontekst, metodologjia e re kërkon të krijojë një perspektivë realiste të besueshmërisë, e cila rrit drejtpërdrejt kushtëzimin (conditionality). Për më tepër, metodologjia e re, ndërsa përqendrohet në parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë, përforcon atë që historikisht ka qenë postulati kryesor i procesit të integrimit në BE: demokratizimi i vendeve që po ndjekin rrugën e anëtarësimit.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? Një proces më i gjatë në kohë i anëtarësimit në rast se reformat nuk merren si angazhime serioze dhe prioritare. Kjo mund të çojë në integrimin e Serbisë dhe Malit të Zi më herët se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, duke ndikuar indirekt në ekuilibrat gjeopolitikë në rajon.

Së dyti, aktualisht, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ekziston një dualizëm në retorikën e përdorur nga liderët politikë - ai që i shërben audiencës kombëtare  e cila shpesh është nuancuar me nacionalizëm dhe ligjërim jo në përputhje me rekomandimet e BE-së, dhe tjetra në anglisht dhe 'për hir të Komisionit Europian'. Kjo qasje e dyfishtë krijon mungesë besimi, si dhe mungesë hapash konkrete nga ana e qeverisë për të ecur përpara me procesin e integrimit. Më në fund, kjo metodologji mund t'i japë fund këtij dualizmi duke qënë se kërkon angazhim konkret dhe realist, por zgjatja e procesit mbetet patjetër një sfidë. Metodologjia pasqyron me të vërtetë politikën e "karrotave dhe shkopinjve", por në këtë rast përmes stimulimit të fondeve të BE-së, të cilat vijnë si shpërblim në rast të përparimit në grupin përkatës.

Qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të përballen me euro-fatigue, një simptomë e humbjes së besimit në këtë proces nga qytetarët. Kjo euro-fatigue mund të shmanget nëse qytetarët qëndrojnë realisht të informuar për situatën dhe nëse qeveritë përkatëse janë transparente për hapat e ndërmara. Si rrjedhim, kjo metodologji gjithashtu mund të promovojë llogaridhënien qytetare ndaj qeverive të vendeve.

Së fundmi, situata e pandemisë globale, shkaktuar nga COVID-19 pritet të ketë një ndikim në ekonominë e BE-së, duke e renditur përsëri zgjerimin poshtë në listën e përparësive të BE-së. Megjithatë, edhe pse procesi mund të vonohet për vendet si Shqipëria, një qasje e tillë e re synon të sigurojë qëndrueshmëri dhe angazhim të qartë reciprok dhe politik në proces. Kështu që, ky riorganizim duhet të shihet si një mundësi për BE-në dhe qeveritë e vendeve të rajonit për të zbatuar parimet demokratike, si dhe për të inkurajuar shoqërinë civile të Ballkanit Perëndimor të kërkojë përgjegjësi të mëtejshme për procesin nga institucionet përkatëse, si dhe për median për të edukuar opinionin publik me informacione teknike mbi procesin. Nëse shoqëria Shqiptare nuk angazhohet plotësisht në këtë proces, vendi rrezikon të mbetet pas krahasuar me vendet fqinje.

 

Lutjona Lula është një studiuese e Integrimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, si edhe kontribuese në Forumim për Europën Lindore dhe Qëndrore (fomoso.org). Lutjona zotëron diplomë universitare master në ‘ Studimet e Europës Juglindore’, Universiteti i Beogradit,Serbi dhe Karl Franzens Graz, Austri. Ajo është njohëse e aktualitetit në rajon falë dhe eksperiencës së të jetuarit në Beograd dhe Zagreb.