Pikëpamje

Reforma në drejtësi, frymëzimi i vetëm për t’u marrë ende me politikë

Përditësimi i fundit: 23/05/2020 - 19:31
Text size Aa Aa

Kam zgjedhur të them disa fjalë sot, në ditën kur Mafia vrau barbarisht një gjykatës simbol të luftës kundër saj, një frymëzim Giovanni Falcone dhe, në javën që më kujton hyrjen në politikë, përmes barbarisë me të drejtën jetike për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, në fundmaj 1996.

Për reformën në drejtësi, politikën e pistë, shoqërinë dhe Partinë Socialiste.

1 – Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh i Partisë Socialiste në 30 vite!

E nisëm vetëm, falë kurajës së burrave dhe grave të votuar për të sanksionuar realisht drejtësinë e barabartë, si palcën e një shoqërie ku pabarazia e padrejtësia, kanë krijuar statuse të turpshme duke ndarë qytetarët në të hetueshëm, gjykueshëm, dënueshëm dhe në të pahetueshëm, pagjykueshëm, padënueshëm – një pakicë politikanësh, qeveritarësh, biznesmenësh, kriminelësh, prokurorësh e gjykatësish bërë bashkë në një sistem sa tallës, po aq të dhunshëm e kriminal.

Kërkuam partnerë kombëtarë në politikë, duke besuar se çdonjëri prej tyre kish kuptuar se zullumi ishte trashur aq shumë sa skishte.

Bëmë përpjekje shpesh edhe qesharake për t’u nxjerrë frikën atyre e jo vetëm, duke besuar se drejtësia e barabartë, e pastër e profesionale për të gjithë, është shumë më mirë se ajo e kontrolluara që nuk të heton, as gjykon, si shenjë e pushtetit tënd të fortë, por që të mban varur e kurrë të qetë për një krim të kryer e të pahetuar, gjykuar e dënuar.

Nuk i patëm kurrë partnerë, nuk i kemi as sot!

Përkundrazi, luftëtarë dje e luftëtarë sot, kundër reformës në drejtësi!

Lumturisht gjetëm partnerë SHBA-të dhe BE-në. Ata asistuan, mbështetën, mbikëqyrën në çdo kohë reformën e po e bëjnë edhe tani gjatë zbatimit të saj.

Por mbi të gjitha, kërkuam, gjetëm, morëm mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve të zakonshëm.

Në qershor 2017 ne jemi votuar për reformën në drejtësi, atë që kishim bërë deri atëherë dhe atë që do vijonim të bënim për drejtësinë e barabartë.

Nën mandat prej atyre votave, unë nuk e harroj kurrë këtë!

2 – Reforma në drejtësi ka disa shtylla bazë:

Pastrimin e sistemit të drejtësisë nga prokurorë e gjyqtarë të varur e të korruptuar

Ngritjen e institucioneve të qeverisjes së drejtësisë, jo nga politika – Presidenti, qeveria, Kuvendi, deputetët, maxhoranca.

Emërimin e prokurorëve nga institucionet e drejtësisë, jo nga politika – Presidenti, qeveria, Kuvendi, deputetët, maxhoranca.

Hetimin penal të çdo prokurori e gjykatësi të gjetur në shkelje të ligjit për pasurinë e jo vetëm.

Troç: Reforma në drejtësi ju heq prokurorët e gjykatësit e tyre politikanëve – deputetëve e ish-të tillë, qeveritarëve e ish-të tillë, i heq sistemit prokurorët e gjyqtarët e korruptuar.

Kështu edhe biznesmenëve e kriminelëve me pushtet të paligjshëm, i bën të barabartë me qytetarët e zakonshëm. Të gjithë të barabartë përpara ligjit, pavarësisht pushtetit, pasurisë, fuqisë kriminale – siç e thotë Kushtetuta.

3 – Në këtë vend, mungesa e drejtësisë, por dhe drejtësia e varur politikisht, ekonomikisht, përtej ligjit tek politikanë, disa biznesmenë, kriminelë, ka legjitimuar krime të përbindshme dhe pabarazinë më të dhunshme që mund të ekzistojë.

E di që nuk kam konsensus politikanësh, por shoqëror, patjetër që kam për dy prej tyre: krimin politik dhe ekonomik, qeverisës të Gërdecit, krimin politik dhe të dhunshëm qeverisës të 21 janarit!

Janë vrarë prej korrupsionit në pushtet e pushtetit të tmerruar nga të shtypurit e korrupsionit, 26 burra, djem, gra e vajza, fëmijë, madje fëmijë në bark të nënës në Gërdec e 4 burra, baballarë në Bulevard.

Asnjë nuk ndodhet në burg sot, kur qeveritarë përgjegjës, administratorë, vrasës direkt duhet të ishin në burg përjetë!

A ka më padrejtësi se kjo?!

Është e pashembullt që në 30 vite, ndër qeveritarë, politikanë të përzierë në shpërdorim të detyrës, korrupsion, vjedhje e pasurim të paligjshëm, vrasje barbare siç ato më lart të konsumuara publikisht – të djathtë e të majtë, – në burg ka qenë veç kryetari i opozitës së kohës, Fatos Nano.

Tërësisht i pafaj, për akuzat e ngritura atë kohë – 1993, – por për nevojë politike të pushtetit të Sali Berishës, për të shtypur e dhunuar barbarisht alternativën.

Kurrë, jo se janë provuar të pafaj, por sepse nuk janë hetuar kurrë, nuk janë gjykuar kurrë ndershmërisht, me drejtësi e si të barabartë para ligjit!

Është tallëse, fyese, neveritëse, ta shpif, është pa rast të ngjashëm në Evropë, që Kryeministri e Ministrat përgjegjës në vrasjet e Gërdecit e Bulevardit, qëndruan në detyrë, nuk u dorëhoqën e akoma nuk kanë marrë përgjegjësi, nuk kanë kërkuar as falje, nuk u pyetën, hetuan e gjykuan, por dominojnë politikën, përdorin statusin e tyre politik, për të bindur prokurorë e gjykatës ende në sistem që t’i mbrojnë dhe mbrojnë nga reforma në drejtësi çdo prokuror e gjykatës të varur prej tyre, të korruptuar e që ju shërben.

Sulmojnë reformën cep e më cep, qoftë duke qeshur për të fshehur frikën e me fjalë pa kuptim si pa kuptim siç bën njëri, qoftë duke puthur Kushtetutën, siç bën gjahtari çiften dygrykëshe siç bën tjetri, qoftë barbarisht, haptazi e dhunshëm, siç bën kumbari që i bën bashkë në zgjidhjen totale për ta: destabilizmin e rendit kushtetues në vend!

4 – Kjo që po ndodh këto ditë është beteja e fundit, finale, kundër reformës në drejtësi.

Betejat e vogla kanë ndodhur gjithnjë në përpjekje për të kushtëzuar reformën, vendimet për të, votën me ngjarje të tjera ku është dashur prezenca e tyre. I kanë humbur!

Bllokimi ka ndodhur por është mundur!

Aq dëshpërim ju ka sjellë pafuqia përballë reformës sa i shtyu në aktin ekstrem – daljen nga institucionet, kthimin në një organizatë të dhunshme që synon ndaljen e reformës me zjarr e flakë mbi institucionet.

Aq e verbër është lufta kundër reformës sa edhe shiu kur mungon, domatja kur nuk shitet, qepa kur nuk ka çmim, rruga kur nuk mbaron, uji kur nuk vjen në orar, tërmeti kur ndodh, pandemia kur përballohet – njerëzit, zbatojnë rregullat, spitalet nuk kolapsojnë, shërbejnë, viktimat janë në minimum, droga kur kapet, banditëve ju sekuestrohet pasuria, stadiumi kur shembet, teatri kur ndërtohet, opera nis të këndojë, zgjedhjet kur duhet të mbahen, kthehet në çështje politike për t’u kushtëzuar, bllokuar, negociuar, ndryshuar, copëtuar reforma në drejtësi.

Kjo nuk është politikë!

Nuk ka asgjë parimore, asgjë që i vlen njerëzve të zakonshëm, Shqipërisë dhe integrimit të saj.

Kjo është nevojë personale, individuale e disa njerëzve bërë sa një grusht për të njëjtin hall, duan prokurorët e gjykatësit e tyre, nuk rrojnë dot si politikanë pa ta!

Pa ta janë pa pushtet, pa status, janë të barabartë me njerëzit e barazia si njerëz të zakonshëm para ligjit, për ta është vdekje.

Do ishte krejt normale që ata të militonin e përmbushnin mandatet në përputhje me ligjin.

Por nuk ka qenë kështu, ligji për ta nuk është mënyrë jetese, shkelja e tij dhe përfitimet e paligjshme nga ky akt, është ves.

Vesi del me shpirtin – thonë, por nuk duhet të jetë kështu. Vesi duhet të dalë me drejtësi të barabartë për të gjithë!

5 – Partia Socialiste është në shënjestër të sistemit prej reformës në drejtësi!

Ka qenë, është! E thashë më lart, reforma në drejtësi është akti më i lartë i kurajës në 30 vite të saj, në këto dy mandate është vepra më e rëndësishme e saj.

Na pyesin për veprat shpesh e me to kanë në mendje ngrehina, sheshe, rrugë, ujësjellës, kanale etj.

Por drejtësia e barabartë për një shoqëri është kryevepër.

Drejtësia në të gjitha dimensionet e saj, civile, penale, administrative, hyn tek drejtësia sociale e ky është thelbi për PS-në!

Si socialist besoj fort se, PS-ja nuk e negocion drejtësinë, është si të negociosh të vërtetën. Nuk negociohet e vërteta e as drejtësia!

PS-ja e ka vuajtur në lëkurë drejtësinë e varur, politike e të korruptuar, e ka paguar me mund, sakrifica e gjak!

Pardje, postova në rrjetet sociale mbi dhunën e vitit 1996, në fillim në zgjedhje e pastaj si epërsi e pushtetit në rrugë, sheshe e hyrje pallatesh, ditën e në errësirë.

Janë qindra fakte e mijëra jetë njerëzish sulmuar, luftuar e shkatërruar me dhunë, barbari deri tek 21 janari në Bulevard.

E dini cili ishte reagimi?

Ju nuk bëtë drejtësi, nuk hetuat, nuk gjykuat, nuk ndëshkuat!

I kemi bindur njerëzit se ne nuk jemi rrëgjimi i Partisë, ku ajo jep Drejtësi, as asaj të diktaturës e as asaj të Berishës.

Sjellja jonë me çdo keqbërës të majtë apo të djathtë, kalon nga drejtësia dhe drejtësia kalon nga reforma në drejtësi, një standard që Edi Rama e PS-ja e vendosën me kurajo, e zbatuan, e zbatojnë si kurrkush tjetër në këtë vend në 30 vite

Një drejtësi e re, e pastër, e pavarur, e barabartë dhe funksionale për të gjithë.

PS-ja, si maxhorancë e si qeveri, ka qenë e është bashkë, nuk përçahet në këtë angazhim, përgjegjësi politike e qeverisëse, nuk ka asnjë lëkundje për të!

Mos harroni, PS-ja është e vetmja fuqi politike në këtë vend me reformën në drejtësi.

Sulmohet, goditet, për të përçarë, ndarë, tani, me synimin që ky të jetë fundi i reformës, fundi i përpjekjes për drejtësi të pastër, të pavarur nga politikanët, një pakicë biznesmenësh, kriminelësh, të barabartë.

Presidenti i Republikës që po synon këtë, synon fundin e reformës, por edhe fundin e PS-së.

Do të humbasin edhe një herë më shumë. Kanë bllokuar, por janë mundur, e kanë provuar edhe një herë më shumë, por kanë dështuar, nuk kanë cenuar dot shtyllat bazike të reformës, nuk kanë mbrojtur dot asnjë prokuror e gjykatës nga rrethi i tyre politik apo i korrupsionit, nuk kanë mundur të rimarrin të drejtën për të emëruar drejtësinë e re!

Kanë vonuar, për të hequr çdo mundësi bllokimi e shmangur çdo vonesë këtu do jemi, bashkë me partnerët – SHBA-të e BE-në, ekspertët kombëtarë e ndërkombëtarë që jetësuan reformën, analizojnë objektivat, ecurinë, arritjet, burimet, kohën për të përshpejtuar drejtësinë për çdo shqiptar.

6 – Pabarazia po e mundon shumë Shqipërinë. Si pabarazi mundësish, si pabarazi ekonomike, si pabarazi sociale – edhe si efekte të drejtpërdrejta, apo dëme anësore të llojit më të keq ndër llojet e kapitalizmit, që po ndërtojmë e nga përfitojmë prej 30 vitesh.

Kapitalizmi që nuk ka garant drejtësinë!

Tridhjetë vite që gjithkush ka shfrytëzuar këtë e ka vënë plaçkë, pasuri duke shkelur ligjin, rregullat, duke tejkaluar kështu – prej lidhjeve me politikën e krimin – të ngjashmin, shtypur të ndryshmin.

E di, drejtësia e barabartë frymëzon!

E di – e kam vuajtur si budallai i fundit, – frymëzon edhe modeli i politikanit që vjedh, pasurohet në mënyrë të paligjshme, përdor pushtetin për t’u fuqizuar vetë, por edhe për të bërë të madhe të fortë ortakun, biznesmenin apo banditin që ka për biznes krimin.

Jeta e luksit, shtëpitë sa në rezidencat e shtrenjta të Tiranës, Lalzit, apo Palasës, Dhërmiut, Ksamilit, makinat e shtrenjta e tjerë, konkurron një jetë modeste, me nder e dinjitet, punë të ndershme e luftë të drejtë për drejtësi e barazi mbi të paligjshmit.

Gjithkush zgjedh, ne që merremi me politikë zgjedhim edhe publikisht.

Unë nuk do të guxoja të përmendja kurrë gjykatësin Falcone sot, nëse do kisha vrarë katër njerëz të pafaj në Bulevardin Dëshmorët e Kombit!

E bëri përgjegjësi dhe kjo ta shpif, e bëri dhe arsyeja e atij akti barbar të përgjegjësit dhe kjo ta shpif, nuk di sa nga këta do e bëjnë deri në mbrëmje, në mënyrën e tyre e duke i sjellë fjalët e tij të drejta e të ndershme, kundër reformës në drejtësi!

Hipokrizi më të madhe se kjo nuk ka! Do kalojë edhe kjo.

Tani na duhet të shkoj deri në fund reforma në drejtësi, shpresa e fundit për të jetuar të garantuar nga ligji e drejtësia në këtë vend!

Kapitali i akumuluar deri tani në çdo mënyrë, ndershmërisht, por edhe duke shkelur ligjin – përmes favoreve, korrupsionit, krimit, edhe në kushtet e një rishpërndarjeje të mundimshme fiskale e sociale, i ka kufizuar mundësitë për barazi!

Drejtësia e barabartë, e pastër, e pavarur e funksionale, është shpresa e fundit për barazi. Për t’u dalluar në mes pabarazive të mësipërme, për të mos qenë “njësoj” të barabartë, si politikanë hajdutë, ministër të korruptuar, zyrtarë klientë, deputetë me fuqi tek paraja e jo vota, fuqi tek krimi e jo tek populli, i majtë apo i djathtë qofsh!

Barazia, drejtësia, drejtësia e barabarte është frymëzimi i vetëm për t’u marrë ende me politikë!

 

Erjon Braçe, deputet i Partisë Socialiste në disa legjislatura të Shqipërisë, aktualisht zëvendëskryeministër.

Tregime të lidhura