Pikëpamje

Fjalimi i komisionerit Varhelyi te Forumi i Ballkanit Perëndimor: E ardhmja e zgjerimit nga pikëpamja europiane

Përditësimi i fundit: 08/09/2020 - 16:04
Text size Aa Aa

Berlin, 7 Shtator 2020

Të nderuar ministra dhe të ftuar.

Faleminderit që më ftuat në këtë ngjarje dhe që u përqendruat te konferenca e sotme mbi perspektivën euroiane të Ballkanit Perëndimor.

Ballkani Perëndimor është zemra e Europës dhe ne po punojmë që ta afrojmë edhe më shumë me BE-në. Ky komision ka angazhim të plotë në këtë drejtim. Ky komision e ka kthyer në përparësi kryesore.

Ky komision po punon pa pushim me këtë përparësi, dhe kjo fushë e politikës është një nga ato ku puna është në vazhdim e sipër, që nga dhjetori i shkuar. Kjo tregon angazhimin, përgjegjësinë dhe vendosmërinë tonë.

Kemi nevojë për Ballkanin Perëndimor sepse pa të nuk do të kemi siguri europiane, dhe mund të mos kemi zhvillimin që mund të arrijmë bashkë me ata.

Përgjegjësia dhe sfida jonë është t’i integrojmë në BE, dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë, sepse e ardhmja e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor është BE-ja, në plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Ky është destinacioni i tyre. Jam i kënaqur të shoh angazhimin e tyre të plotë në këtë drejtim.

Por duhet të fitojmë besimin jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, por edhe të vendeve anëtare. Duhet të jetë një projekt që duhet ta shohin si përparësi. Që të arrinim këtë na u desh të fillojmë punën mbi tri shtylla, dy prej të cilave janë duke dhënë rezultate që tani.

  • Shtylla e parë ishte të krijonim një rishikim të metodologjisë së zgjerimit. Kjo u bë në shkurt dhe jo vetëm që u mbështet nga vendet anëtare, në mars, por edhe u vu në veprim.
  • Shtylla e dytë ishte një mision i gjatë dhe i papërmbushur, por që tani u krye. Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni ka vendosur propozimet e duhura mbi tryezë dhe kemi arritur të gjejmë mbështetje nga vendet anëtare në mars.
  • Shtylla e tretë, e cila po del në javët në vazhdim, është një plan i madh investimi ekonomik për të gjithë rajonin. BE dhe Ballkani Perëndimor ndahen nga një hendek i madh në lidhje me ekonominë. Sa më shpejt të mbyllet ky hendek, aq më shpejt do të krijojmë ekonomi tregu të forta, për popujt dhe për vendet. Sa më shpejt të integrohen, aq më shpejt do të vendoset paqja dhe stabiliteti në rajon.

Për sa i përket shtyllës së parë, rishikimi i metodologjisë së zgjerimit, kjo bazohet në katër parime.

Parimi i parë është të rikthehet besueshmëria në Ballkanin Perëndimor dhe te vendet anëtare. Pa besueshmëri nuk është e mundur të vazhdohet dhe të hapim negociata e pranimit, apo të përparojmë në mënyrë thelbësore me këto negociata. Kjo do të thotë se vendet që duan të bëhen anëtare do të duhet t’i realizojnë reformat siç kanë premtuar, në mënyrë të besueshme, që vendet anëtare të sigurohen se kjo punë dhe këto reforma nuk janë thjesht fjalë në letër, por nisma të vëna në zbatim në jetën e vërtetë. Kështu rritet besueshmëria te vendet anëtare. Por na është dashur të përforcojmë edhe besueshmërinë tonë. Nëse partnerët japin rezultate, edhe ne duhet të japim rezultate. Shpresoj të kemi ndërruar qëndrim e të kemi nisur të japim rezultate, edhe gjatë krizës së COVID-19, si dhe në javët në vazhdim.

Parimi i dytë ishte për drejtimin politik. Shumë kanë argumentuar, jo vetëm nga vendet anëtare, por edhe në Ballkan, se procesi i zgjerimit është bërë shumë teknik. Është folur për kapituj, për aftësi administrative, direktiva, etj., por që është humbur drejtimi politik. Duhet të dimë se cili është synimi politik i procesit dhe rezultati i tij politik, në përgjithësi por edhe për çdo temë të diskutuar, me udhëheqës e politikanë që merren me drejtimin e procesit. Pra, është thjesht formalitet. Kjo kërkon angazhimin e plotë të udhëheqësve dhe në mars ata mbështetën vendimin tonë për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në maj, pavarësisht krizës me COVID-19, Ballkani Perëndimor dhe BE mbajtën një video-samit ku konfirmuan vendimet e forta politike që janë marrë, me udhëheqësit që i përkrahën.

E treta ishte paparashikueshmëria. Pasi të ketë arritje, do të përgjigjemi nga ana jonë. Ua bëmë të qartë partnerëve se pasi të jenë arritur kushtet, edhe ne do të përgjigjemi. Nëse nuk janë arritur kushtet, nuk do të përgjigjemi. Kjo do të thotë që dhe ne duhet t’i bëjmë të qarta ato që priten. T’i bëjmë kriteret të prekshme e të dukshme, që mund të maten më shumë se më parë. Për këtë po punojmë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

E katërta është dinamizmi. Të shkëputemi nga qasja “kapitull pas kapitulli” e të përqendrohemi në çështje që duhen të jenë të bashkuara, dhe t’i negociojmë bashkë. Ata që japin rezultate më shpejt dhe që mund t’i plotësojnë të gjitha reformat ligjore që me hapjen e një negociate, pra, nëse ka përmbushje të reformave ligjore edhe para se të jetë hapur negociata e radhës, ne angazhohemi që kapitujt e kësaj negociate t’i mbyllim brenda vitit. Ky është një ndryshim i madh i praktikave të tanishme, ku kapitujt mbahen mbyllur për pesë e shtatë vite, pa bërë përparime. Do të thotë edhe që mund të përqendrohemi te zbatimi, dhe te aftësia e zbatimit, përforcimi i duhur, që është një çështje tipike e vendeve anëtare dhe e Ballkanit Perëndimor, pasi nëpërmjet tyre ata mund të shohin se çfarë do të thotë anëtarësim, dhe se çfarë nevojitet.

Paralelisht, si shtyllë e dytë, vendimi për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë më në fund u mor. Kjo nuk do të ishte arritur pa rishikimin që i bëmë metodologjisë së zgjerimit, që në fakt ishte propozimi që i dha shtysë dhe na ndihmoi të marrim miratim për hapjen e negociatave.

Propozimet për kuadrin negociues i kemi përgatitur për të dy vendet. Këshilli tani po diskuton se kur dhe si do të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me të dy vendet. Synimi im, duke qenë se jam në Berlin dhe do të takohem me përfaqësues të qeverisë gjermane, është që të hedhim një hap guximtar dhe që Presidenca Gjermane e Këshillit Europian të mbajë konferencat e para ndërqeveritare me këta vende. Është e mundur. Kemi parë që kushtet janë aty. Thjesht duhet të përshpejtojmë punën dhe mund ta arrijmë. Le të përpiqemi ta bëjmë konferencën e parë ndërqeveritare këtë dhjetor, me presidencën gjermane.

Së fundmi, shtylla e tretë, elementi i ri që pritet të vijë së shpejti. Reformat transformuese që duhet të mbajnë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbështeten nga rritje ekonomike të përshpejtuara, dhe ekonomi tregu funksionale e të zhvilluara, të cilat do të ndihmojnë me përshpejtimin e reformave dhe zbatimin e tyre.

Na duhet një qasje e bazuar në ekonomi, përndryshe, synimi ynë për të intensifikuar praninë në Ballkanin Perëndimor nuk ka për t’u arritur. Duhet të shtojmë investimet e të ndihmojmë me zvogëlimin e hendekut ekonomik.

Kemi më pak fonde nga buxheti i radhës i BE-së. Kjo është pjesa që ka pësuar më shumë shkurtime gjatë negociatave, por do t’ia dalim. Që t’ia dalim, duhet të tregohemi manovrues, të vendosur dhe të përqendruar në veprimet tona.

Prandaj, ky Plan Investimi Ekonomik duhet të përqendrohet në zonat kryesore dhe me projekte që mund të krijojnë rritje afatgjata dhe vendet e punës që nevojiten aq shumë. Kjo është një mënyrë për të krijuar një klimë tërheqëse investimi. Këto fusha janë; komunikimi në transport dhe energji, marrëveshja e gjelbër, transformimi dixhital, infrastruktura bazë e rrjetit dixhital, e cila mungon në rajon. Pa këto është e pamundur të zhvillohet nëj ekonomi konkurruese.

Plani duhet të përforcojë edhe dimensionin rajonal të bashkëpunimit tonë, nëpërmjet zonave kryesore dhe projekteve ku përparësi do të kenë veprimet në shkallë masive, me ndikim rajonal dhe pjesëmarrje. Vetëm nëpërmjet kësaj mund të krijojmë një ndikim të vërtetë.

Plani do të pasqyrojë elemente të “autonomisë strategjike të hapur”. Kjo përparësi e presidencës gjermane, e cila thekson autonominë teknologjike, është një aspekt shumë i rëndësishëm në kontekstin e rikonfigurimit të hallkave globale ekonomike, “nearshoring”, ose hapja e bizneseve pranë vendeve përkatëse, pas pandemisë së COVID-19. Ballkani Perëndimor ka potencial të kthehet në një rrjet investimesh për kompanitë europiane që duan të këpusin hallkat ekonomike botërore dhe të ndihmojnë rajonin që të zhvillohet nëpërmjet këtij procesi. 

Një tjetër faktor i rëndësishëm është ndikimi pozitiv që mund të ketë ky plan, duke shtuar plotësimin me plane të tjera investimi, qofshin dy-palëshe apo shumë-palëshe. siç është Procesi i Berlinit. Duhet të punojmë bashkë. Së bashku mund të arrijmë më shumë.

Duhet të shohim së bashku masat konkrete që mund të marrim për të sjellë investime në Ballkanin Perëndimor, që të lehtësohet qasja në tregun e përbashkët të BE-së, të hapen vende pune dhe mundësi sipërmarrjeje, të përmirësohet klima e biznesit dhe e investimeve, si dhe të ndalohet rrjedhja e trurit për të gjithë rajonin.

Ne kemi besim se rajoni e ka aftësinë që të paraqitet si një treg rajonal koherent, i bazuar në standardet dhe rregullat e BE-së, duke lejuar që të qarkullojnë investimet brenda rajonit si dhe që të integrohen mirë në tregun e përbashkët. Është thelbësore që të kapen këto mundësi. Por që të përfitojë nga mundësitë e “nearshoring”, hapjes së vendeve të punës pranë BE-së, vendet e rajonit duhet të japin përpjekje domethënëse.

Momentalisht është duke vuajtur nga fragmentimi politik. Shembull janë kamionët, që shpenzojnë 28 milionë orë në vit duke pritur nëpër pika kufitare. Kjo pengesë mund t’i kushtojë rajonit 1% të PBB-së. Minon përfitimet e infrastrukturës së re rrugore, të financuar nga BE. Ndërtimi i një tregu të përbashkët prej 18 milionë banorësh, që të funksionojë sipas bazave dhe rregullave të BE-së, mund të ndryshojë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe mund t’i sjellë përfitime rajonit dhe të gjithë BE-së.

Kompanitë gjermane mund të përfitojnë shumë nga kjo qasje. Gjermania është partneri më i madh tregtar dhe investuesi më i madh në rajon, si dhe ka hallka ekonomike me themele të forta në të gjithë rajonin. Prandaj, një Ballkan Perëndimor më i integruar dhe më i lidhur, që të mos ketë më pengesa teknike për të bërë tregti, do të krijojë me siguri mundësi të reja biznesi.

Edhe sikur të kemi sukses me të gjitha këto, kemi të paktën dhe një çështje të cilës duhet t’i adresohemi. Nuk do të funksionojë nëse nuk ka përparime me bashkëpunimin rajonal, nëse nuk përmirësohen marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve. Rajoni është përpjekur shumë që të kapërcejë pasojat e luftërave të Ballkanit, por duhet bërë edhe më shumë. Përparësi këtu janë Kosova dhe Serbia.

Pa arritur një normalizim të gjithanshëm dhe efektiv të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, nuk mund të kemi stabilitet në rajon. Një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse, e detyrueshme me ligj, është thelbësore dhe nevojitet në mënyrë urgjente që Kosova dhe Serbia të përparojnë me rrugëtimet e tyre drejt BE-së.

Prandaj, mirëpres rikthimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe përshëndes Përfaqësuesin e Posaçëm, Miroslav Lajčák, për punën e bërë. Mirëpres faktin që kemi pasur një takim të nivelit të lartë midis presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti, në Bruksel. Po ashtu, mirëpres rezultatet e arritura në Uashington javën e shkuar, sepse shumë prej elementeve janë ato që kemi menduar dhe ne. Jam i kënaqur që kemi takuar zotin Palmer, të dërguarin e posaçëm për Ballkanin dhe ndihmës zv/sekretar i departamentit amerikan të shtetit pak para kësaj ndërhyrjeje. Besoj më shumë se kurrë se mund ta ndihmojmë rajonin vetëm nëse punojmë bashkë, nëse i japim rezultatet bashkë. Dhe unë jam i gatshëm ta bëj këtë.

Mund të flas pak edhe për punën që kem bërë me rajonin gjatë pandemisë së coronavirusit. Por më duket e kotë ta përsëris, pasi vetë-duartrokitjet nuk duhet të tingëllojnë kurrë mirë. Një gjë doja ta theksoja: nëse veprojmë shpejt, mund të jemi shumë më efektivë në terren. Gjatë pandemisë, nëpërmjet ndihmës që kemi arritur t’u japim popujve dhe partnerëve tanë, ne krijuam besueshmëri. Jam mëse i lumtur ta bazoj punën tonë mbi këtë.

Do t’ju jap një shembull: korsitë e gjelbra në kufi. Arritëm të kapërcejmë një problem që vazhdonte prej kohësh. Kufijtë janë bërë të kalueshëm, kamionët kanë arritur të kalojnë më shpejt përtej kufijve. Dhe kjo ndodhi për shkak të pandemisë. Të gjithë e kuptuan se duke mbyllur kufijtë, mbyllet ekonomia. Pati një mirëkuptim të qartë dhe ne kemi arritur të punojmë duke u bazuar mbi këto. Kjo gjë krijoi besim dhe kështu do t’i afrohemi fazës tjetër të udhëtimit.

Faleminderit për vëmendjen!