Pikëpamje

Shqipëria dhe perspektiva e saj evropiane

Përditësimi i fundit: 10/09/2020 - 11:44
Text size Aa Aa

Shtatëdhjetë vite më parë, ndërsa Evropa linte pas krahëve eksperiencën e luftës së dytë botërore, Shqipëria e Enver Hoxhës linte pas krahëve Evropën, duke i mbyllur kufijtë e saj për më shumë se dyzetë vite.

Vdekja e liderit komunist në vitin 1985 shënonte fundin e një regjimi diktatorial dhe autarkik që do të shpërbëhej në fillimin e viteve ’90. Mbërritja në Bari, më 8 gusht të vitit 1991, e njëzetë mijë emigrantëve shqiptarë me anijen “Vlora” paraqet një vijë ndarëse historike midis “para” dhe “pas”. Është imazhi i një Vendi dhe i popullit të tij që, pas dhjetëra viteve izolim, dëshiron të kthehet në Evropë. Dhe simbolikisht në atë moment, nga bankinat e portit të Puglia-s, nis rrugëtimi evropian i Shqipërisë.

Një rrugëtim që nis formalisht me kërkesën e vitit 2009 për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian e që vazhdon me marrjen, në vitin 2014, të statusit të Vendit kandidat. Momenti i tretë i rëndësishëm është ai i marsit të këtij viti, me lejen (edhe pse të kushtëzuar) të dhënë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave.

Pas zhgënjimit për veton e vendosur nga Bashkimi Evropian në tetor të vitit 2019 për çeljen e negociatave, drita jeshile e hapur në mars qe thelbësore për përfundimin e një faze, sa të gjatë aq edhe të mundimshme, përgatitjesh me të cilën Shqipëria u përball në mënyrë shpesh jo të rregullt e pak lineare. Një fazë gjithsesi pozitive, aq sa që dy vite më parë (dhe dy herë njëra pas tjetrës) Komisioni Evropian kishte pranuar aftësinë e Tiranës për të nisur negociatat.

“Makina” shqiptare është duke u bërë gati. Përpara nisjes së punimeve me Bruksel-in – punime që do të nisin vetëm pas thirrjes së parë të Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri (datë ende e pacaktuar) – Ambasadori Zef Mazi do të jetë Kryenegociatori për Tiranën. I zgjedhur për shkak të eksperiencës së tij të gjatë e të konsoliduar në forumet e në negociatat shumëpalëshe (ka punuar gjatë pranë OSBE-së e, në vijim, pranë AIEA), në nivel politik Mazi do t’i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama. Është parashikuar, në vijim, një farë monitorimi i negociatave nga ana e “Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian” (KKIE) – një grup i thirrur nga dy partitë në të cilin bëjnë pjesë Institucionet, forcat e opozitës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile – i cili është mbledhur tashmë dy herë. Mbledhja e fundit u mbajt qershorin e kaluar, ku u ilustrua një “Action Plan” i parë me objekt kushtet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian në mars (konsolidimi i shtetit të së drejtës në kuptimin e gjerë, reforma elektorale, lufta ndaj kriminalitetit, etj.) kushte të cilat do të duhet të plotësohen paraprakisht në mënyrë që të mund të thirret Konferenca e parë Ndërqeveritare.

Është e vështirë që Konferenca të mund të thirret brenda vitit 2020. Me shumë mundësi do të shtyhet në vitin 2021, një vit që parashikohet të jetë kompleks për Shqipërinë sepse do të zhvillohen zgjedhje politike. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të konfliktit dhe fragmentimin e dialektikës midis partive, nuk përjashtohet fakti që edhe aspirata evropiane dhe përgatitjet përkatëse të mbeten peng i përballjes zgjedhore. Skenari evropian që nuk do të ndihmonte të qetësohej klima (përkundrazi, do t’i hidhte më shumë benzinë zjarrit) ka të bëjë me një mospërputhje të druajtur midis thirrjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe të asaj për Maqedoninë e veriut. Nëse kjo do të ndodhte, do të nxiteshin polemika të brendshme të reja dhe do të dobësohej një shpirt bashkimi kombëtar që, në këtë fazë historike, është vetë i dobët. Me rrezikun e një tjetër dëmi anësor: ngadalësimi i mëtejshëm i punës për realizimin e reformave që janë në vijim e sipër.

Nga ana tjetër, duhet thënë se është pikërisht ky mundim parametri me të cilin matet serioziteti i qëllimeve të qeverisë shqiptare. Nëse aspirata evropiane është filli që bashkon të gjitha qeveritë të cilat i kanë lënë vendin njëra-tjetrës në periudhën post-komuniste, është pikërisht mbi këto fakte që Shqipëria do të thirret për të vepruar. Frontet janë të shumta: nga përmbyllja e reformës në drejtësi tek lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike, nga përforcimi i administratës publike tek lufta kundër korrupsionit, nga përmirësimi i “business climate” tek ndërtimi i një kuadri ligjor që të fuqizojë tregun e brendshëm e të nxisë investimet e huaja.

E, megjithatë, nuk duhet qenë shumë të ashpër. Duhen pranuar, sinqerisht, zhvillimet e mëdha që janë bërë nga koha e anijes “Vlora”. Tirana është sot një qytet evropian në zhvillim të plotë (një ndër qytetet e pakta në Ballkan me popullsi në rritje), impenjimi në modernizimin infrastrukturor të Vendit është i dukshëm, sipërmarrje ndërkombëtare të vogla e të mëdha investojnë kapital, norma e rritjes së ekonomisë para periudhës së COVID ka qenë e lartë për vite me radhë, ekziston një shoqëri civile që po konsolidohet e që nuk ngurron të vërë nën presion “pushtetin”. Ashtu siç duhen vlerësuar pozitivisht zhvillimet më të fundit në fushën e drejtësisë (ngritja e SPAK-ut, aktivizimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të mbështesë Prokurorinë e Posaçme, etj.) si edhe përdorimi i mjeteve të reja kundër kriminalitetit.

Të gjitha hapa përpara, sigurisht. Por që nuk mjaftojnë. Shumë mbetet për të bërë dhe, pikërisht për këtë, çelja efektive e negociatave duhet të garantohet sa më shpejt. Sepse vetëm në atë moment BE-ja do të mund të ketë në dispozicion një sërë mjetesh juridikisht detyruese për të nxitur qeverinë shqiptare të vazhdojë reformat dhe të përshtatet gjithmonë e më shumë, pa hezitim apo pa bërë hapa pas, me acquis-in evropian.

Por, duke kthyer kokën pas, “çështja evropiane” duhet parë edhe nga një pikëpamje tjetër. Pra, që pasja e një Shqipërie “evropiane” është edhe përparësi e jona. E vendosur në Ballkanin perëndimor, pak milje larg bregut tonë, Shqipëria – ashtu si edhe Vende të tjera të rajonit – shihet me vëmendje në rritje nga ana e aktorëve jashtë Evropës. Mbi të gjitha Turqia, Kina dhe Rusia përgatisin projektin e vendosjes së ndikimit të tyre në këtë pjesë të kontinentit evropian që ende nuk ka hyrë në “shtëpinë e përbashkët”, duke përdorur gjerësisht soft power-a të artikuluar në formën e marrëveshjeve tregtare, të investimeve në sektorët strategjikë (energji, transport, infrastrukturë), të financimeve herë të dhëna (në mënyrë të befasishme) mbi baza besimi fetar e të tjera në drejtim të sektorit strategjik të medias e të argëtimit.

Tirana ka bërë prej kohësh një zgjedhje euro-atlantike të qartë, që rrit potencialin e saj në fushën e mbrojtjes dhe konsolidimit të projektit evropian. Por në konjukturën aktuale, ku ndryshimi i zgjedhjeve (madje edhe i atyre strategjike) duket të jetë regjistri i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, as Shqipëria nuk mund të merret si e mirëqenë. Është një rrezik për të cilin BE-ja dhe Shtetet anëtare më skeptike ndaj Shqipërisë duhet të jenë të vetëdijshëm: vendosja e herëpashershme e kushteve, në dukje për të garantuar një hyrje më të butë por në të vërtetë për të shtyrë deri në pafundësi hyrjen e Shqipërisë në BE, mund të ketë pasoja.

Në këtë sfond kaq kompleks, spikat roli i Italisë. Për arsye historike, gjeografike, shoqërore, ekonomike e tregtare, dy Vendet tona kanë një marrëdhënie unike në llojin e saj dhe të padiskutueshme. I kemi mbrojtur gjithmonë pritshmëritë evropiane të Shqipërisë e do të vijojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Bashkërendimi dypalësh me partnerët evropianë më të ndjeshëm ndaj kërkesave shqiptare – Italia in primis – do të jetë gjithashtu vendimtar parë në këndvështrimin e zhvillimit rrënjësor të reformave që i janë kërkuar Tiranës nga Evropa. Ndihma italiane në fushën e drejtësisë me teknikët dhe ekspertët tanë të së drejtës, bashkëpunimi dypalësh në nivelet e Ministrisë së Brendshme e asaj të Drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar me angazhimin e ekipeve hetimore të përbashkëta, sinergjitë e krijuara midis Prokurorisë sonë Kombëtare Antimafia dhe SPAK-ut shqiptar, fushatat e kontrollit ajror të Guardia di Finanza-s për asgjësimin e plantacioneve të kanabisit në territorin shqiptar: janë të gjitha veprimtari që konfirmojnë rolin e luajtur nga Italia për të lehtësuar procesin e çeljes së negociatave të anëtarësimit. Paraqisin, njëkohësisht, fushat kryesore në të cilat duhet të vijohet të punohet për anëtarësimin e ardhshëm në Evropë të Vendit të Shqiponjave.

Duhet theksuar qartë. Bëhet fjalë për një anëtarësim që i përgjigjet edhe një interesi tonë të saktë kombëtar. Sepse për ne nuk bëhet fjalë për një Shtet çfarëdo, por për “Vendin përballë” (nga titulli i një dokumentari të bukur mbi Shqipërinë, të Institutit Luce të disa viteve më parë).

* Intervistë e dhënë për Qëndrën e Studimit të Politikave Ndërkombëtare CeSPI.

 

Mendimet e shprehura në rubrikën Këndvështrime i përkasin vetëm autorit.