Pikëpamje

Sa bukur do ishte që 8 nëntori të shpallej Dita Kombëtare e Gjuhës Shqipe

Përditësimi i fundit: 08/11/2020 - 11:10
Text size Aa Aa

Sot është një nga ditët më të bukura për çdo shqiptar. Sepse si sot e 558 vjet më parë, më 8 nëntor 1462, janë shkruar në shqip, me germa latine, fjalët: “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë!”.

Këtë formulë, Arqipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli, ua la nënave e gjysheve që ta përdornin për të pagëzuar fëmijët e tyre, sepse po vinin kohë të vështira, duke qenë se “hordhitë” turke kishin përparuar shumë e po bëheshin gati të mësynin akoma më shumë.

Këto fjalë janë për ne të krishterët janë shumë të rëndësishme, sepse me anë të këtyre fjalëve, të ujit dhe të Shpirtit Shenjtë bëhemi krijesa të reja në Krishtin.

Por janë të rëndësishme për çdo shqiptar, sepse dëshmojnë me shkrim se këtu flitej shqip dhe mirë.

Kjo gjuhë na mban e na bën një popull, pavarësisht nëse jemi të krishterë, myslimanë, agnostikë apo ateistë. E ajo formulë është aty me shekuj për të na e dëshmuar këtë gjë.

Kam akoma më shumë motiv të ndjehem krenar për këtë ditë, sepse vendi ku u shkrua është pikërisht në Dioqezën e Rrëshenit, në Qafkajshë të Macukullit në Mat.

Sa bukur do të ishte sikur 8 nëntori të shpallej Dita Kombëtare e Gjuhës shqipe!

 

Mendimet e shprehura në rubrikën Këndvështrime i përkasin vetëm autorit.