Franca, miku më i mirë i Serbisë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Mendimet e shprehura në rubrikën Këndvështrime i përkasin vetëm autorit. 


Më 1 shkurt, 2021, presidenti serb Aleksandër Vuçiç vizitoi Parisin për të zhvilluar biseda me homologun e tij francez Emmanuel Macron.

Gjatë kësaj vizite, Macron i tha të ftuarit të tij: “Unë dua të nënvizoj vendin e veçantë që Serbia zë në Francë”. Vuçiç, në anën tjetër, ishte po aq i ngrohtë në fjalën e tij: “Franca është një shtet i rëndësishëm për ne dhe një mik i vërtetë dhe tradicional i Serbisë”.

Për ekspertët e Ballkanit, kjo vizitë nënkupton se Serbia, një ndër vendet më të rëndësishme strategjikisht në Ballkan, e ka përqafuar Francën si mbështetësin e saj më të fuqishëm në Perëndim.  

Lidhjet mes Parisit dhe Beogradit kanë themele të vjetra historike. Ndikimi kulturor dhe politik francez e kanë frymëzuar Serbinë drejt rrugës së saj të pavarësisë nga Perandoria Osmane. Kushtetuta e parë Serbe, Kushtetuta e Stretenjës, e vitit 1835, gjithashtu u frymëzua nga Franca. Në Luftën e Parë Botërore, Franca ishte aleati më i rëndësishëm i Serbisë në Perëndim, një ngjarje që solli në ngritjen e Monumentit të Mirënjohjes ndaj Francës, e cila sot e kësaj dite vazhdon të jetë në Kalemegdan, kështjellën historike të Beogradit.

Përgjatë dy luftërave botërore, Franca ka pasur një ndikim të fortë kulturor në formimin e Jugosllavisë. Franca ndihmoi në formimin e “Antatës së Vogël”, aleanca mes Mbretërisë së Jugosllavisë, Rumanisë dhe Republikës Çeke kundër Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Lufta Jugosllave dhe pjesëmarrja e Francës në luftën e NATO-s së vitit 1999 kundër Serbisë e shkundi këtë marrëdhënie historikisht të fortë. Megjithatë, gjatë kësaj lufte, Franca kundërshtoi bombardimin e urave të Beogradit. Pas përmbysjes së regjimit të Sllobodan Milosheviçit në vitin 2000, presidenti francez Jacques Chirac u bë lideri i parë perëndimor që vizitoi Beogradin në fund të 2001.

A është boshti i Beogradit një ri-vendosje e marrëdhënieve të vjetra historike? Jo domosdoshmërisht. Historia nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm në nëntor të 2018 gjatë njëqindvjetorit të armëpushimit të Luftës së Parë Botërore. Gjatë ceremonisë, presidenti serb nuk ishte ulur përkrah liderëve botërorë, ndërsa presidenti kosovar qëndronte krah tyre.

Beogradi e quajti këtë lëvizje si fyese ndaj aleancës historike mes dy vendeve dhe numrit të lartë të viktimave në Serbi gjatë asaj lufte, duke shtyrë ambasadorin francez në Beograd të kërkonte falje. Në prill të vitit 2019, një numër gazetash pro-qeveritare në Serbi postuan në faqet e tyre të internetit se zjarri që përfshiu katedralen e Notre Damit në Paris ishte “një dënim i Zotit pasi vendi kishte valëvitur flamurin e shtetit të rremë kosovar”. Raportet u tërhoqën mbrapsht, me shumë gjasa, për shkak të ndërhyrjes nga qeveria serbe.

A lidhet ky bosht me integrimin europian të Serbisë? Presidenti Vuçiç thotë se presidenti Macron është një aleat i Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në korrik të 2020, Serbia u bë vendi i parë që pranoi metodologjinë e re të BE-së për zgjerim, një propozim i Francës.

Megjithatë, integrimi Europian është një rrugë e ndërlikuar. Bashkimi Europian po përballet me sfida të shumta dhe në vitin 2020, Serbia nuk hapi asnjë kapitull të ri për sa i përket bisedimeve me BE, si pasojë e mohimit të shtetit të së drejtës. Macron gjithashtu është skeptik për zgjerimin e unionit përpara se sistemi i BE-së të reformojë veten. Në 2019, Franca bllokoi hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Metodologjia e re e zgjerimit ishte një kompromis me Francën.

Atëherë, pse Beogradi i ka kthyer sytë nga Parisi?

Kjo vjen si pasojë e nevojës së Serbisë për të pasur një aleat të fuqishëm në perëndim, veçanërisht gjatë një periudhe kur të gjithë marrëdhëniet e vjetra të presidentit serb po kalojnë në krizë. Për vite me radhë, mbështetësi kryesor i Serbisë në perëndim ka qenë Gjermania, nën drejtimin e Angela Merkel. Vuçiç mbështeti politikat e Merkelit gjatë krizës së emigrantëve, ndërsa i përdori lidhjet me kancelaren gjermane për përfitime politike të brendshme. Ky partneritet po ftohet. Merkeli është e pakënaqur me idenë e shkëmbimit të territoreve, strategjia që Vuçiç sugjeroi si zgjidhje ndaj mosmarrëveshjeve me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, gjatë administratës së Trump. Si edhe për shkak të tendencave jo-liberale të Vuçiç në Serbi.

Marrëdhëniet me SHBA-në gjithashtu janë të paqëndrueshme, pasi Vuçiç vuri një bast të dështuar në rizgjedhjen e Trump si president të SHBA, dhe tani ai i druhet se Gjermania dhe SHBA mund të ushtrojnë presion mbi Serbinë për njohjen e Kosovës.

I zënë ngushtë mes një nevoje të madhe për një aleat në perëndim pasi Gjermania dhe SHBA-ja dolën jashtë loje, i vetmi shtet që kishte mbetur ishte Franca. Këto themele të reja u vendosën gjatë verës së vitit 2019, kur presidenti Macron u bë i pari president francez që vizitoi Beogradin në 18 vitet e fundit. Ndërsa qëndronte përpara Monumentit të Mirënjohjes ndaj Francës, Macron mbajti një fjalim në serbisht, diçka që i përshtypje të gjithë qytetarëve serb dhe eliminoi pakënaqësi të vjetra.

Ndërkaq, Serbia është në biseda për të blerë “Mistral”, një sistem francez për mbrojtjen ajrore. Në 2019, kompania franceze “Vinci” nisi koncesionin 25-vjeçar për modernizimin dhe menaxhimin e aeroportit të Beogradit. Kompania franceze “Suez” gjithashtu do të ndërtojë një sistem menaxhimi të plehrave në Vinça të Serbisë. Gjatë verës së 2019, disa gazeta serbe e quajtën presidentin Macron si aleatin më të fortë të Serbisë për sa i përket mosmarrëveshjeve me Kosovën, edhe pse Franca ka qenë ndër të parët shtete që njohi pavarësinë e Kosovës.

Elitarët serbë kanë investuar për forcimin e marrëdhënieve me Francën, për ta bërë atë mbështetësin e vet diplomatik. Ata shpresojnë se Franca mund të zbusë presione që Serbisë mund t’i vijnë nga Gjermania dhe SHBA për njohjen e Kosovës, veçanërisht gjatë periudhës kur Berlini dhe Parisi po dominojnë tregun e shërbimeve në BE. Marrëdhëniet me disa partnerë lindorë janë gjithashtu jo të qëndrueshme. Pavarësisht fasadës së ngrohtë, Rusia është e pakënaqur me bashkëpunimin mes Vuçiç dhe SHBA gjatë administratës së Trump, kështu, Serbia mund të gjendet mes një kompromisi të SHBA dhe Rusisë mbi Kosovën.

Kina e ka zëvendësuar Rusinë si partnerin më të fortë lindor të Serbisë. Beogradi tani po bashkohet me Parisin dhe Pekinin për të fuqizuar sistemin tregtar, siç vihet në dukje nga një projekt i planifikuar për krijimin e një metroje në Beograd nga kompani franceze dhe kineze. Marrëveshja e fundit e investimit, nënshkruar nga BE dhe Kina, ku presidenti Macron ishte një figurë kryesore, gjithashtu ishte një shtysë e Vuçiç për ta firmosur këtë lëvizje.

Megjithatë, mbetet për t’u parë në rast se udhëheqësit në Beograd përfitojnë nga partneriteti i tyre me Parisin. Është e paqartë nëse Franca është me të vërtetë e interesuar për Ballkanin ndërsa fitorja e Macron në zgjedhjet e 2022 nuk është e sigurt. Por, tani për tani, në rast se Vuçiç duhet të bisedojë me Europën, ai do të telefonojë numrin e presidentit Macron.

 

Vuk Vuksanovic është një doktorant në marrëdhëniet ndërkombëtare në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE).

Etiketimet

Destinacion udhëton në Leskovik, qytezën e vogël me një natyrë të mrekullueshme

"Destinacion" shkon në Leskovik, qytezën e vogël plot njerëz të urtë, punëtorë e bujar. Në këtë qytet mund të shijoni natyrën e mrekullueshme dhe...

“Udhëtarët” vizitojnë Pukën, qytetin e vogël që ofron plot surpriza

Ajri i pastër prej pyjeve me pisha, burimet e pastra të ujit, prodhimet e likerit, reçelit, apo birrës, shkolla ku në vitet 30-të jepte...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER