Do të jetë e vështirë të mundet trashëgimia politike e Merkel në Ballkan

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Gjatë vizitës së fundit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës në Berlin në verë  të 2018, kancelarja në ikje, Angela Merkel, pretendohet se iu ka thënë politikanëve boshnjakë se në strukturën  e Bashkimit Europian, Bosnja dhe Hercegovina, do të ishte “përkrenarja e stolisur e kishës”, pa të cilën “një kishë nuk do të quhej kishë”.

Pretendohet se më tej, ajo është shprehur se në mënyrë që BE ta përftojë këtë “stoli”, kërkohet edhe më tepër punë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në BE, si dhe në Bosnje.

Kjo deklaratë thuhet se ka provokuar një sërë reagimesh të ndryshme tek delegacioni i Bosnjës, duke u cilësuar si lajm i mirë që vendi shihet si një pjesë thelbësore e BE nga kancelarja gjermane.

Por, nga ana tjetër, u pa dhe si një lajm i keq, pasi deklarata e kancelares ishin një shenjë e qartë se Bosnja do të ishte vendi i fundit që i bashkohet unionit, dhe një shenjë që mbështetja për reformat në vend nuk është prioritet i Gjermanisë.

Megjithatë, gjatë mandatit prej më shumë se 15 vitesh të kancelares Merkel, në disa raste, Gjermania ka marrë iniciativa që synonin përshpejtimin e reformave dhe afrimin e Bosnje Hercegovinës dhe vendeve të tjera të Ballkanit më pranë BE.

Në fakt, Merkel nisi të merrej me Bosnjën menjëherë pas fitores në zgjedhjet parlamentare dhe para zgjedhjes së saj si kancelare, kohë kur ajo mbështeti emërimin e Përfaqësuesit të ri të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schëarz-Schilling, politikan që vinte nga Partia Kristiandemokrate (CDU).

Përtej mbështetjes së vazhdueshme për anëtarësimin e Kroacisë në BE, përfshirja e Merkel në rajonin e Ballkanit Perëndimor u theksua edhe më tej në 2010.

Nga njëra anë, interesi ndaj rajonit erdhi si pasojë e procesit të suksesshëm të liberalizimit të vizave dhe një sërë aplikimesh për anëtarësim në BE nga vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

Nga ana tjetër, interesi u shtua edhe më shumë nga nevoja për të reaguar ndaj opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të  Drejtësisë pas deklaratës së pavarësisë nga Kosovës në vitin 2008.

Ishte po gjatë kësaj periudhe kur kancelarja Merkel dhe ekipi i saj ndërmorën iniciativën e parë për Bosnjën me synim formimin e qeverive në të gjitha nivelet shtetërore pas zgjedhjeve të mbajtura në tetor të vitit 2010.  Edhe më domethënëse ishte lëvizja për të ndryshuar kushtetutën e vendit e ndër të tjera implementimi i ashtuquajtur “Sejdic-Finci” nga Gjykata Europiane në 2009.

Dervo Sejdic dhe Jakob Finci, respektivisht anëtarë të komunitetit rom dhe hebre, iu ndalua hyrja në garën elektorale parlamentare dhe presidenciale pasi sipas kushtetutës së pasluftës lejohet që vetëm qytetarë kroatë, boshnjakë dhe serbë të garojnë për këto mandate.

Asokohe, komuniteti ndërkombëtar ishte pro mbështetjes së reformave në Bosnje. Përveç Gjermanisë, interes kishte shfaqur dhe SHBA, në gjysmën e parë të mandatit të Presidentit Obama, por edhe Mbretëria e Bashkuar, ku aleatët më të afërt të kryeministrit David Cameron, i zgjedhur në maj 2010, kishin eksperiencë të mirëfilltë në Bosnje.

Megjithatë, iniciativa e kancelares Merkel nuk solli rezultatet e dëshiruara.

Së pari, Presidenti i Lidhjes Demokratike Kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës (HDZ), Dragan Covic, refuzoi mundësitë që Partia Social Demokratike e Bosnjës dhe Hercegovinës (SPD) të merrte postin e rezervuar për kroatët në kabinetin ministror. Kryetari i SDP, Zlatko Lagumdzija, si fitues i zgjedhjeve, refuzoi të formonte qeverinë nëse SPD nuk merrte disa prej posteve të rezervuara për kroatët, të cilat iu takonin atyre pas rezultatit të zgjedhjeve.

Kryeneçësia e HDZ çoi në vendimin e ODIHR për të lejuar emërimin e presidentit dhe formimin e qeverisë federale pa ta.

Në një lëvizje e cila u mor në mënyrë të dukshme për të mbrojtur HDZ, Milorad Dodik, presidenti i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD) dhe asokohe presidentit i entit serb në Bosnje “Republika Srpska”, propozoi mbajtjen e një referendumi për ligjet që vijnë nga gjykata dhe kryeprokuroria e Bosnjës si dhe shpalli Përfaqësuesin e Lartë. Disa kohë më pas, Asambleja Kombëtare e miratoi vendimin, duke vënë në pikëpyetje autoritetin e OHR.

E gjithë kjo solli vizitën e Përfaqësueses së Lartë të BË për Punët e Jashtme, Catherine Ashton, në Banja Luka; abdikimin e Dodik nga referendumi dhe nisjen e një dialogu të strukturuar mbi gjyqësorin.

Ndryshe nga dialogu Kosovë-Serbi, ku BE shënoi progres të konsiderueshëm në 2013 përmes ndërmjetësimit dhe “Marrëveshjes së Brukselit”, proceset e reformave në Bosnjë shkuan drejt ngërçit. Gjatë kësaj periudhe, Serbia çeli negociatat për anëtarësim me BE ndërsa Kosova Procesin e Stabilizim Asociimit.

Shkëndijat e para të krizës në Ukrainë në 2014, protestat sociale në Bosnje dhe përmbytjet në rajon, e kthyen vëmendjen e Merkel sërish nga Bosnja.

Përmes një iniciative të përbashkët midis Britanisë dhe Gjermanisë, BE u fokusua në reformat shoqërore dhe ekonomike në Bosnje si dhe në rrugëtimin e vendit drejt statusit kandidat.

Në fillim të vitit 2015, protestat në Bosnje, përmbytjet në rajon dhe eksodi masiv i kosovarëve drejt BE, si dhe vetë nevoja e ekonomisë gjermane, çuan në miratimin e “Rregullit për Ballkanin Perëndimor” i cili e bëri qasjen në tregun e punës së Gjermanisë shumë më të lehtë për boshnjakët.

Kur Merkel vizitoi vendin në 2015, ajo shkoi vetëm tek Presidencën dhe u takua me Këshillin e Ministrave, dy institucione që përbëhen kryesisht nga përfaqësues të Partisë Popullore Europiane, pjesë e së cilës është dhe Merkel. EPP ka qenë vazhdimisht në favor të krijimit të qeverisë në shkallë shtetërore, e cila do të përjashtonte Milorad Dodik dhe partinë e tij.

Merkel shkoi në Sarajevë me një ofertë konkrete që ta shtynte Bosnjën drejt statusit kandidat për anëtarësim në BE në këmbim të reformave sociale dhe ekonomike.

Në përpjekjen e saj, Merkel herë pas herë mbështeste dhe autoritetet shtetërore. Përtej vizitës në Sarajevë në 2015, Merkel gjithashtu i dha Bosnjës dritën e gjelbër për të dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në shkurt 2016.

Më pas, në korrik të 2016, ajo dërgoi ministrin e Bujqësisë , Christian Schmidt, në Sarajevë për t’u takuar me Milorad Dodik, i cili asokohe mbante postin e presidentit serbëve të Bosnjës. Arsyeja e takimit ishte negocimi për përmbushjen e kushteve të një vendimi të marrë në mënyrë unanime nga 28 vendet anëtare të BE për t’ia nisur kërkesën e aplikimit të Bosnjës Komisionit Europian.

Ndoshta ndërhyrja më e rëndësishme e Merkel në rajon ishte në fund të verës së 2018, kur ajo doli publikisht kundër idesë së ndryshimit të kufijve sipas përkatësive etnike në Ballkanin Perëndimor.

Ideja e mbrojtur nga presidenti serb Aleksandar Vucic dhe ish-kreu i shtetit të Kosovës Hashim Thaçi, dhe për të cilën gjetën mbështetje edhe nga administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Çështjet e Jashtme Federica Mogherini dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Pas interesave të administratës së Trump në Ballkanin Perëndimor, i cili fokusohej kryesisht në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe pas firmosjes së marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë në shtator, Merkel dhe qeveria e saj vendosën të emëronin një kandidat gjerman për Përfaqësuesin e Lartë të Komunitetit Ndërkombëar në Bosnje. Zgjedhja ra mbi ish-ministrin e Bujqësisë, Christian Schmidt.

Debati mbi emërimin e tij vijon ende sot e kësaj dite. Zgjedhja e tij, e shpallur në fillim të vitit 2021, do të varet nëse Rusia do të japë miratimin e saj. Në mënyrë që të zgjidhet, do të duhet miratimi unanim i SHBA, Britanisë dhe BE, pavarësisht refuzimit të Rusisë. Kjo, ashtu si dhe përbërja e qeverisë së ardhshme gjermane, do të vendosin mbi mandatin e Schmidt.

Një bashkëpunim midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara mund të jetë esenciale për të zgjidhur problemet në Bosnje, por nëse kjo do të ndodhë së shpejti, mbetet e vështirë për t’u thënë.

Është e qartë se vepra e fundit e Angela Merkel për sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe Bosnjës do të jetë me siguri mbajtja e takimit të fundit në kuadër të Procesit të Berlinit këtë verë.

E ardhmja e këtij procesi mbetet për t’u vendosur, megjithëse ka dyshime, se si shumë iniciativa të tjera të Merkel, mund të transferohet drejt Brukselit dhe Komisionit Europian.

Në këtë pikë, është e vështirë të thuhet se si do të ndikojë largimi nga politika i Angela Merkel mbi Bosnjën. Pavarësisht gjithë fatkeqësive që ranë mbi botën e Europën, Merkel nuk ia ktheu kurrë kurrizin Bosnjës dhe proceseve politike në Ballkanin Perëndimor. Kur Merkel u bë kancelarë, ajo dinte shumë pak për Ballkanin Perëndimor dhe Bosnjën dhe këto vende nuk ishin midis prioriteteve të saj, por kjo ndryshoi shumë shpejt dhe ajo u kthye në një urë lidhëse për të ardhmen e Ballkanit në BE. Ajo ka qenë gjithmonë një mbrojtëse e idesë së anëtarësimit të plotë të vendeve të Ballkanit dhe kjo duket në iniciativat e ndërmarra prej saj në rajon.

Një gjë është e sigurt, kushdo që do të jetë pasardhësi i Merkel, qoftë Annalena Baerbock apo Olaf Zcholz ose Armin Laschet do i duhet shumë punë që të krahasohet me trashëgiminë politike lënë pas nga Merkel në Ballkanin Perëndimor.

Harun Cero është një ekspert i shkencave politike i specializuar në politikat e Europës juglindore si dhe ish-gazetar.

Etiketimet

Këngëtari amerikan shpallet fajtor për abuzim seksual

Këngëtari amerikan R Kelly i njohur për hitin “I believe I can fly” është shpallur fajtor nga një gjykatë për abuzim seksual të grave...

Lindita Nikolla për Ramën: Debate të forta pavarësisht bashkëpunimit maksimal

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tregoi për Euronews Albania se me kryeministrin Rama pavarësisht bashkëpunimit maksimal kanë pasur dhe debate të forta. Ajo u shpreh...

Lindita Nikolla tregon pengun më të madh nga koha kur ishte ministre e Arsimit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi për Euronews Albania se nga protesta e studentëve, i ka ngelur merak që nuk iu dha mundësia që...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER