Ditmir Bushati: Liderët e BE duket ta kenë harruar vendimin e tyre të vitit 2003 në samitin e Selanikut

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Në një intervistë me IBNA, Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati flet për marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, hapjen e negociatave dhe zgjerimin e BE-së, ndryshimin e kufijve, praninë e aktorëve të jashtëm në Ballkan, përdorimin e historisë në politikat e jashtme si dhe për vetë të ardhmen e tij në politike.

  • Ministër, ju jeni nga të paktit që e njihni deri në detaj çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Cilat faktorë ndikuan në vonesën e fillimit të këtyre negociatave?

Ditët e sotme, është e vështirë të thuhet me saktësi nëse fakti që unë e njoh këtë proces kaq mirë është një avantazh apo jo, për shkak të vetë ritmit të procesit të anëtarësimit në BE të rajonit tonë.

Procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor është karakterizuar gjithnjë nga paqartësitë dhe angazhimet e paplota. Kjo u vërtetua qartësisht, sidomos pas krizës financiare të vitit 2008. Që atëherë, rrugët mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë takuar shumë rrallë në të njëjtën pikë për sa i përket konvergjencës ekonomike dhe Evropianizimit të shpejtë.  Këto dy elementë janë qartësisht të ndërlidhur. Ato janë të pazëvendësueshëm për arritjen e një transformimi real në Ballkanin Perëndimor dhe rrugës së tij drejt anëtarësimit në BE.

Pyetja juaj më kujton rekomandimet e Komisionit Ndërkombëtar mbi Ballkanin, të drejtuar nga ish-Kryeministri italian, Giuliano Amato në vitin 2006. Pyetja atë kohë nuk ishte, “Çfarë duhet bërë me Ballkanin?”, por “Cilat janë mjetet e duhura politike që i nevojiten Ballkanit në mënyrë që ai ta arrij pjesën tjetër të Europës dhe në këtë mënyrë të bëhet pjesë e BE”? Pikërisht ky është elementi që mungon tashmë, nëse analizojmë mënyrën se si BE po e trajton çështjen e Ballkanit Perëndimor. Në vend që të flitet për “pikëpamjen europiane”, ka ardhur koha të punojmë rreth “anëtarësimit në BE”, duke shmangur gjuhën e thjeshtë për qytetarët e thjeshtë. Le të mos harrojmë, që interesat strategjik të BE-së, në një mënyrë ose në një tjetër, përkojnë me ato të Ballkanit perëndimor.

Si përfundim, nëse më duhet të bëj një listë dëshirash për vitin 2021, do të doja të shihja fillimin e udhëtimit drejt anëtarësimit në BË për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë e cila është prej kohësh e vonuar; të shoh një regjim të ri pa viza për Kosovën; një ritëm dhe kualitet të ri për procesin e anëtarësimit për Malin e Zi dhe Serbinë; Plani Ekonomik i Investimit, i cili është adaptuar nga BE, duhet të bëhet i mundshëm në përmbushje të respektimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe arritjes së objektivave në fusha të tjera prioritare. Hapat e lartpërmendur do të krijonin dinamika të reja në marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit.

  • Kundërshtimi i Bullgarisë ndaj nisjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut, për shkak të dallimeve historike ndikon edhe mbi pikëpamjen Europiane ndaj Shqipërisë. Mendoni se është e mundur të ndahet procesi negociues për të dy vendet? Çfarë ndikimi mund të ketë ky vendim mbi politikat e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor?

Edhe pse nga një pikëpamje teorike, procesi i zgjerimit është i bazuar në “parimin regatta” ky debat ishte goxha prezent dy vite më parë, kur kishte zëra që mbështesnin një proces anëtarësimi më të shpejtë për Maqedoninë e Veriut. Ditët e sotme, kemi një skenar potencial të kundërt, që ndan Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut. Ne presim t’i shohim fqinjët tanë, të cilët janë pjesë e BE-së të jenë në favor të kësaj çështje në mënyrë aktive si dhe të shpalosin urtësi politike. Sjellja e problematikave mes palëve në procesin e anëtarësimit në BE, e vë në pikëpyetje serioze besueshmërinë e procesit të zgjerimit për të gjithë rajonin. Korrigjimi i metodologjisë së zgjerimit duhet të shoqërohet edhe me një qasje më të palëkundur dhe vepra më koherente nga institucionet dhe shtetet e BE-së. Integrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në BE do ishte një hap përpara drejt arritjes së një finalizimi për BE-në. Në fund të fundit, do të nënkuptonte që projekti i integrimit Evropian është konsoliduar në një hapësirë konkrete politike, dhe me një kufi preciz, në shkallë kontinentale.

  • Ndasitë historike mes shteteve të Ballkanit kanë vendosur në mënyrë të vazhdueshme për politikat e shteteve si edhe marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin. A është normale që në shekullin e 21, historia të vendosë për politikën? Si mendoni se mund t’i shmangim tensionet dhe t’i japim formë një të ardhmeje të përbashkët dhe të paqtë në Ballkan?

Pyetja juaj më kujton një burrë të urtë, i cili ishte edhe kolegu im për vite me radhë, Nikos Kotzias. Ai shpesh na kujtonte ne, ministrave të jashtëm, që “nuk duhet të jemi të burgosur të historisë”. Është e vërtetë që historia dhe gjeografia janë elementë kyç në formimin e politikave të jashtme. Ama, për praktikuesit e politikës së jashtme, nuk është e mjaftueshme të vendosim pozicionet kombëtare duke u bazuar tek emergjencat historike. Ne nuk mund ta rishkruajmë historinë, por mund të krijojmë një mjedis të favorshëm në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjet e dyanshme. Për shembull, në rastin e “Marrëveshjes së Prespës”, të dyja shtetet edhe Greqia edhe Maqedonia e Veriut vendosën t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet bilaterale, gjë e cila i hapi rrugën anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe me shpresë edhe për fillimin e negociatave me BE.

  • Ballkani është një rajon ku fuqitë e mëdha konkurrojnë duke vendosur kështu ndikimin e tyre. SHBA, Rusia, Kina, BE kanë kthyer vëmendjen tek ky rajon. A e ndihmon ky interes rajonin?

Europa juglindore ka qenë gjithmonë një fushë shahu për konkurrencën gjeopolitike. Sidoqoftë, ne nuk duhet të gabojmë duke i vendosur të gjithë aktorët e fuqishëm në një thes. Ndikimi i aktorëve jo-perëndimor në rajon është kthyer në argumentin e përdorur më shpesh, dhe siç duket një nga shtysat kryesore të angazhimit të BE-së me rajonin.

SHBA ka qenë duke punuar me BE-në në mënyrë të vazhduar kur vjen puna tek demokratizimi dhe transformimi i agjendës së këtij rajoni. Roli i SHBA-së ka qenë veçanërisht instrumental për anëtarësimin në NATO të disa shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për sa i përket sigurisë, roli i SHBA në rajon mbetet i pazëvendësueshëm.

Nga ana tjetër, aktorët e fuqishëm jo-perëndimor janë goxha prezent sidomos kohët e fundit me anë të “diplomacisë së vaksinave” dhe “diplomacisë së borxhit”. Ata kanë gjithashtu ndikimin e tyre në këtë rajon. Pesha e tyre politike dhe ekonomike nuk matet dot me atë të BE-së. Sidoqoftë, BE duhet ti identifikojë qartësisht aktivitetet e aktorëve të jashtëm – në lidhje me sjelljen e tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor, – të cilat bien ndesh me vlerat dhe standardet e BE-së, ata duhet t’i bëjnë publike këto efekte dhe t’i vendosin para përgjegjësisë shtetet që shkelin angazhimet e tyre ndaj rregullave të BE-së. Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të përfshij shtetet e Ballkanit Perëndimor në strategjitë e saj në lidhje me Kinën dhe Rusinë, si dhe në qasjen e saj ndaj Lindjes së afërt, Gadishullit Arabik si edhe zona të tjera me konflikt të vazhdueshëm.

  • A ju frikëson çështja e ndryshimit të kufijve që erdhi në qendër të vëmendjes kohët e fundit, pas publikimit të dokumentet ‘non-paper’, apo mund të quhet një zhvillim që mundet, në kushte të caktuara, të shkarkojë sadopak tension të mbledhur prej kohësh?

Gjatë një samiti në Selanik në vitin 2003, liderët e BE-së morën vendimin strategjik dhe largpamës për t’i ofruar anëtarësim të gjithë rajonit. Për fat të keq, liderët e BE duket ta kenë harruar këtë fakt. Shpërndarja e dokumenteve non-paper me non-autorë, rreth rishikimit të kufijve aktual është një pasojë direkte e faktit të procesit të zgjerimit të BE ka ngecur; korniza integruese për rajonin është dobësuar. Entropia socio-ekonomike, kërcënimi demografik dhe prapambetja demokratike në Ballkanin Perëndimor nuk mund të adresohet duke përqafuar idetë e shekullit të 19 në një kontekst të shekullit 21.

  • Le të fokusohemi paksa tek ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Përse duhet të vihet në zbatim kjo ide, pasi në pamje të parë, gjendet një përshtypje që mund të shkaktojë një ‘efekt domino’ situatash të pakontrollueshme dhe mbase edhe një shpërthim të ri nacionalist?

Në të vërtetë nuk e di përse kjo pyetje bëhet sërish. Shqipëria është një anëtare e NATO-s dhe duhet të vazhdojë të konsolidojë sistemin e saj demokratik dhe ekonomik, në mënyrë që të bëhet pjesë e familjes së BE. Siç e ka thënë edhe shkrimtari ynë i mirënjohur, Ismail Kadare: “Europa është gjendja e natyrshme e Shqipërisë. E vetmja”. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të përmbyllë dhe konsolidojë shtetësinë e saj. Në këtë mënyrë, rroli i Shqiptareve për stabilitetin demokratik dhe integrimin e shteteve te Ballkanit Perëndimor në BE do të vazhdojë të mbetet instrumental.

  • Një nga gjembat e politikës së jashtme Shqiptare janë marrëdhëniet me Greqinë. Ju keni punuar fort me ish-Ministrin Grek Nikos Kotzias, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje në shumë çështje të mbetura pezull. Përse nuk patët sukses? Vërtetë kaq të mëdha janë dallimet mes jush?

Nuk do të ishte  drejt ta përkufizonim të gjithë procesin që kemi drejtuar së bashku me Nikos Kotzias, nën mbikëqyrjen e Kryeministrave të Shqipërisë dhe Greqisë, si një proces që nuk arriti të prodhonte asnjë rezultat. Ne punuam shumë për të rikthyer besimin midis shteteve dhe ekipeve respektivë. Besimi është një element i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu siç ai është edhe në jetën e përditshme kur angazhohemi me dikë ose në një projekt. Në këtë aspekt, ne ja dolëm në mënyrë të suksesshme t’i japim zgjidhje shumë problematikave, të cilat kanë një efekt praktik tek qytetarët. Sigurisht, vazhdojnë të mbeten problematika të mbetura pezull të cilat duhet të zgjidhen. Kushtet janë pjekur për të ecur para me kurajo dhe vendosmëri. Na duhet një vizion largpamës në mënyrë që të sjellim në jetë energjinë dhe potencialin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.

  • Do të doja t’ju pyesja diçka rreth të ardhmes tuaj politike. Z. Ministër, ju nuk kandiduat gjatë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, por ju jeni ende një politikan aktiv. A mund të ndani me ne mendimet tuaja rreth të ardhmes suaj politike?

Në fakt, është e vertetë që nuk do të jem pjesë e parlamentit të ardhshëm, dhe ju e dini që parlamenti është vendi më i rëndësishëm ku luhet politika. Sidoqoftë, unë kam ndërmend të vazhdoj angazhimin tim politik dhe qytetar në jetën publike, duke shpresuar që kontributi im të ja vlejë.

Intervista origjinale në gjuhën angleze e Ditmir Bushatit me (Independent Balkan News Agency) IBNA mund të gjëndet këtu

Etiketimet

Gjermania mund 4-2 Portugalinë duke vënë seriozisht në diskutim pozitat e tyre në grup

Gjermania fitoi bindshëm 4-2 përballjen e dytë në Euro 2020 kundër Portugalisë të shtunën. Ndeshja e vlefshme për Grupin F nisi me një gol të...

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i hidhëruar për humbjen e qenit të tij

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden njoftuan të hidhëruar humbjen e qenit të tyre pastor...

Surprizon Hungaria, ndal kampionët e botës

Hungaria bën surprizën e madhe në fazën e grupeve, duke marrë pikën e parë, ndaj kampionëve të botës, Francës. Gjelat hasën vështirësi ndaj një kundërshtari të...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER