Kriza e Afganistanit tregon se Ballkani është një pellg gjeopolitik

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Afganistani është tema më e nxehtë në agjendat e politikave të jashtme të momentit, ndërsa pasojat e konfliktit u ndjenë anembanë.

Le të marrim si shembull Ballkanin, ku tri janë ndikimet kryesore.

Çështja e parë shqetësuese për vendet e Ballkanit është strehimi i afganëve që bashkëpunuan me Shtetet e Bashkuara.

E dyta është se ndërkohë që disa qeveri si ajo e Kosovës do të përpiqen të përdorin dramën që po ndodh në Afganistan për t’u përafruar me SHBA, vende të tjera si Serbia, do të gjejnë mënyra se si të ruajnë balancat midis fuqive të mëdha.

Së treti, e ndoshta dhe pasoja më e rrezikshme për Ballkanin, është mundësia e ardhjes së një vale të madhe emigrantësh e refugjatësh në dyert e Europës.

Hapi i parë i vendeve të Ballkanit ishte evakuimi i qytetarëve të tyre nga Afganistani. Megjithatë, agjenda përmban edhe çështje të tjera. Si fillim, teksa SHBA po mundohet të gjejë vende të sigurta për afganët me të cilët bashkëpunuan, Ballkani është i përçarë nëse duhet të ndihmojë me strehimin e afganëve përpara se të çelen vizat me SHBA.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria është e gatshme të strehojë deri në 3 mijë refugjatë afganë. Për këtë arsye, qeveria boshatisi në minutë të fundit Qytetin Studenti, pa asnjë lloj paralajmërimi. Megjithatë, vajtja e 300 refugjatëve të parë në vend u shty dy herë. Maqedonia e Veriut ra dakord që të strehojë 450 afganë, ndërsa Kosova mori përsipër një shifër mjaft ambicioze prej 10 mijë personash.

Nga ana tjetër, teksa Mali i Zi iu bashkua deklaratës BE-SHBA për kalimin e sigurt nga Afganistani, vendi nuk e ndjen për detyrim që t’iu ofrojë azil shtetasve afganë. Edhe Serbia iu bashkua deklaratës, por ka pak të ngjarë të strehojë afganë. Ashtu siç Timothy Less nga Qendra për Çështjet Gjeopolitike në Universitetin i Kembrixhit i shpjegoi mediave serbe, Serbia fajëson SHBA dhe politikat e saj të shtet-ndërtimit për humbjen e Kosovës, ndaj janë të pakta shanset që t’i vijë në ndihmë SHBA.

Së dyti, teksa disa po e shohin këtë situatë si një mundësi për të shënuar pikë me Perëndimin, kryesisht me SHBA, Serbia po përpiqet të ruajë një baraspeshë midis Perëndimit në një krah dhe Rusisë e Kinës në krahun tjetër.

Ndërsa për tre shtetet që pranuan të strehojnë afganët, kjo ishte një mënyrë për të luajtur me kartën amerikane, në një kohë kur shpresat për t’u futur në BE mbeten ende një vizion i largët. Siç është shprehur dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Agim Nesho, “ky gjest ishte një mundësi për të joshur pranimin nga Perëndimi”.

Në një formë nderi ndaj SHBA, Shqipëria aktualisht po strehon 3 mijë muxhahedinë, një grup radikal iranian kundër regjimit të Ajatollahut.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte edhe më i drejtpërdrejtë kur tha se: “Aleati kryesor dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës janë Shtetet e Bashkuara. Çështja për strehimin e afganëve, përtej aspektit humanitar, ka dimensionin e një aleance dhe partneriteti me SHBA”.

Në rastin e Beogradit, kriza në Afganistan është një tjetër sfidë për politikat e vendit dhe ruajtjes së balancave midis fuqive. Sipas mediave serbe, Beogradi ngurroi t’i bashkohet deklaratës së përbashkët BE-SHBA mbi Afganistanin për të shmangur zemërimin e Rusisë dhe Kinës, por në fund u dorëzuan për shkak të presionit nga SHBA dhe Gjermania si një mënyrë për të lehtësuar presionet në të ardhmen për çështjen e Kosovës. Në të vërtetë, Serbia nuk po ia mbyll derën SHBA. Kryetari i Parlamentit, Ivica Dacic, tha së fundmi se gjatë kohës kur shërbente si ministër i Jashtëm (2014-2020), Serbia ndihmoi në mbajtjen e bisedimeve sekrete midis qeverisë afgane dhe përfaqësues të talebanëve, përfshi edhe diskutime me ish-presidentin e Afganistanit Ashraf Ghani.

E ndërsa Serbia mundësoi vendin, më vonë u mësua se kjo ndodhi me mbështetjen e SHBA. Dacic, i cili konsiderohet si pjesë e fraksioneve pro-ruse të qeverisë, kritikoi Perëndimin për rritjen e prodhimit të lëndëve narkotike në Afganistan dhe faktin se ish-qeveria afgane njohu Kosovën. Gjithashtu, ai theksoi se bisedimet e ndërmjetësuara nga Uashingtoni dhe Moska dështuan. Për Serbinë, sfida kryesore është mbajtja e një kanali komunikimi të hapur me SHBA si dhe shtetet që nuk njohin Kosovën, Rusia dhe Kina, por pa anuar plotësisht në asnjërin kah.

Ndodh që Ballkani ta gjejë veten një ditë si një korridor i azilkërkuesve afganë që synojnë të shkojnë drejtë Europës. Greqia përfundoi ndërtimin e një muri prej 40 kilometrash në kufi me Turqinë me një sistem të sofistikuar mbikëqyrjeje. Kriza e fundit e emigrantëve (2015-2016) e ka larguar rajonin nga BE si dhe mbolli frikën në Ballkan se unioni e sheh si një vend ku mund të zbarkojë emigrantët.

Gjatë krizës së fundit, Serbia u vlerësua pozitivisht për trajtimin human të refugjatëve. Sot situata nuk është më e njëjtë. Të shumtë janë ata në BE që janë skeptikë për marrjen e më shumë refugjatëve. Kroacia vazhdon me politikat që e mbajnë larg prej emigrantëve. Presidenti kroat Zoran Milanovic tha haptazi “Të gjithë ata duhet ta gjejnë vendin e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ne mund të marrin një shifër simbolike, por nuk jemi më në 2015”.

Ndërkohë, grupet e së djathtës ekstreme po përfitojnë nga fryma e përgjithshme anti-emigrantë dhe frikës që ndihet në vendet e ish-Jugosllavisë.

Turqia njihet për shfrytëzimin e rrugëve që përdorin emigrantët për t’i bërë shantazh Brukselit. Aktualisht, Ankaraja po përforcon kufirin me Iranin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia nuk do të kthehet në “magazinën e refugjatëve” të Europës, teksa i apeloi unionit që të pranojë përgjegjësitë që ka ndaj afganëve.

Thënë kjo, Ballkani rrezikon të kthehet në një urë kalimi e të gjendet në mes të një ping-pongu politik midis BE dhe Turqisë.

Kërcënimi nga terrorizmi dhe radikalizmi fetar nuk duhet ekzagjeruar, por rrugët e pakontrolluara të emigrantëve mund të kthehen në një terren që i ushqen këto kërcënime.

Për fat të keq, ngjarja e Afganistanit nuk përcjell ndonjë mençuri gjeopolitike apo politika të reja për Ballkanin dhe banorët e tij.

Ndaj mbetet thjesht si diçka e pranuar në dhimbje se rajoni vijon të jetë pellgu gjeopolitik i periferisë së Perëndimit, elitat e të cilit mund të reagojnë vetëm ndaj fuqive globale ndaj të cilave Ballkani mbetet i ekspozuar dhe të luten që të mos digjen gjatë procesit.

Vuk Vuksanovic është studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në “London School of Economics and Political Science” dhe bashkëpunëtor në qendrën e hulumtimeve LSE si dhe Qëndrën e Politikave të Sigurisë në Beograd.

Etiketimet

Ulen tensionet Paris-Uashington, Franca rikthen ambasadorin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të rikthejë javën e ardhshme ambasadorin francez në Shtetet e Bashkuara. Vendimi u mor pas një bisede telefonike të...

Reciprociteti për targat serbe, profesori: Dy mesazhet që Kosova i përcolli Brukselit

Aplikimi i reciprocitetit të Kosovës për targat e automjeteve serbe ka prodhuar debate mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe ka nxitur reagime nga Brukseli. Blerim...

Çollaku: Rama e ka masakruar Kosovën. Vodo: Ka promovuar interesat e Shqipërisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku dhe ekspertja e gjeopolitikës, Teuta Vodo janë përplasur mbi idenë e “Open Balkan”. Sipas Çollakut, Rama e ka dëmtuar...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER