Politikë

PD e denoncoi, Olsian Çela kërkesë KQZ për formularin e dekriminalizimit të kreut të bashkisë Mallakastër

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 20:42
Text size Aa Aa

Pas denoncimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për kryebashkiakuan e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, që dyshohet se ka fshehur një dënim në formularin e dekriminalizimit, ka reaguar edhe Kryeprokurori i Përgjithshëm, Oslian Çela. 

Kreu i prokurorisë i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilën kërkon që t’i vihet në dispozicion formulari i dekriminalizimit që ka plotësuar dhe ka dorëzuar në këtë institucion kreu i bashkisë Mallakastër. Partia Demokratike pretendon se i pari i Mallakastrës ka fshehur një dënim në Greqi dhe për këtë ai nuk mund të ushtrojë poste të tilla.

Kjo lëvizje e re e Kryeprokurorit të Shqipërisë, Olsian Çela, vjen pak ditë pas kërkesës së PD-së, e cila i bëri thirrje këtij institucioni  të nisë verifikimet  për pastërtinë e figurës së kreut të bashkisë në Mallakastër, Qerim Ismailaj.

Konkretisht, në kërkesë që PD-ja i drejtoi  pak ditë më parë Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se “Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke”.

Më tej, PD-ja theskoi se kryebashkiaku i Mallakastrës është me të shkuar kriminale, ndërsa pretendon se Qerim Ismailaj ka falsifikuar edhe formularin e dekriminalizimit.

 “Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO”- theksohet në shkresën e PD, e cila mban firmën e z.Gazment Bardhi.

Për këto pretendimet të PD-së ka reaguar edhe kreu i bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj.  Ai tha pak ditë më parë në një deklaratë për mediat se është i hapur ndaj çdo lloj verifikimi të mundshëm, ku shtoi se nuk ishte ndaluar ndonjëherë nga policia.

 

83051184_587220045172737_8176346803516473344_n_copy.jpg?t=1579027344

81917364_2455845787965135_8271013942919168000_n_copy.jpg?t=1579027344