Politikë

SHBA-BE-OSBE përshëndesin marrëveshjen për reformën zgjedhore: Arritje për stabilitetin politik të vendit

Përditësimi i fundit: 14/01/2020 - 17:42
Text size Aa Aa

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca ka përshëndetur marrëveshjen e arritur ditën e sotme mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore.

Përmes një postimi në Twitter, Soreca inkurajon palët politike në Shqipëri të punojnë pa humbur kohë që reforma zgjedhore të miratohet në parlament.

“Ne mirëpresim marrëveshjen dypalëshe për të ecur përpara për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Është një arritje e madhe për të rivendosur stabilitetin politik të Shqipërisë edhe në kontekstin e procesit të integrimit në BE.

Ne besojmë se të gjitha palët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të përmbyllur një reformë zgjedhore në kohë që të miratohet nga parlamenti për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë dhe të ardhmen evropiane”, - shkruan Soreca

“Euronews Albania” ka zbuluar detaje mbi konkluzionet e tryezës për Reformën Zgjedhore të organizuar sot mes mazhorancë dhe opozitës brenda dhe jashtëparlamentare.

Sipas dokumentit të mëposhtëm, palët politike duhet që Reformën Zgjedhore ta përfundojnë jo më vonë se 15 marsi i vitit 2020. 

Projekti përfundimtar i dakordësuar në mënyrë të plotë nga të gjitha palët politike  pritet të kalojë  më pas për miratim përfundimtar në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo lëvizje e sotme duket se do të lë mënjanë ndasitë mes palëve dhe në vend të saj do të “mbjellë” komunikimin aktiv dhe atë institucional.

Ambasada e SHBA: Sigurohuni që zgjedhjet në Shqipëri të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni

Edhe ambasada amerikane në vendin tonë ka përshëndetur dakordësinë mes palëve si një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR. Përmes një mesazhi të publikuar në faqen e vet në Facebook, ambasada inkurajon palët në Shqipëri që të vijojnë me frymën e  bashkëpunimit për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri “të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”.

“Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

OSBE: Marrëveshja, një hap i parë i rëndësishëm drejt një reforme të plotë

Marrëveshja mes maazhorancës dhe opozitës lidhur me reformën zgjedhore është vlerësuar si një hap mjaft pozitivv edhe nga Prezenca e OSBE në Shqipëri e cila përmes një njoftimi për mediat shprehet se e sheh këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore. E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca është e gatshme të vijojë të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore, në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në njoftimin e OSBE.

Tregime të lidhura